Politika

Forumi Davos: Rama për mediat serbe, Shqipëri-Serbi, së bashku në BE me presupozimin që të njohë Kosovën

“Ne duam shumë që të hyjmë në BE së bashku, me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën”, deklaroi të mërkurën Kryeministri Edi Rama, nga Davos, në një intervistë dhënë për mediat serbe.

Pyetjes së medias serbe nëse pret që Serbia dhe Shqipëria do të hyjnë së bashku në BE, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj se “ky është një proces i bazuar tek merita”. “Ndërsa flasim, Serbia është më përpara, sepse Serbia tashmë është duke negociuar dhe ne jemi duke pritur me padurim të nisim negociatat këtë vit. Por është një garë e shëndetshme, le të themi. Po, ne duam shumë të kemi një ecuri shumë më të shpejtë, le të themi, dhe pse jo të jemi thjesht në të njëjtën pozitë në të ardhmen dhe pse jo të hyjmë në BE së bashku, me presupozimin që Serbia të njohë Kosovën”, deklaroi Rama.

Sipas tij, “Europa nuk është në formën e saj më të mirë, por lajmi i mirë është se ajo është në një moment ndërgjegjësimi rreth nevojës për të qenë në një formë më të mirë”. Rama tha se “kjo është një periudhë tranzicioni shumë inkurajuese nga një e kaluar e zymtë në diçka më të ndritshme”.

Pyetjes nëse e sheh inkurajues fjalimin e Kancelares Anxhela Merkel, Kryeministri Rama iu përgjigj se “ajo është gjithmonë inkurajuese”. “Ajo është e vetmja, e cila mbajti gjallë jo vetëm Evropën, por edhe vlerat evropiane, parimet evropiane dhe ëndrrën evropiane, duke qëndruar e fortë në një moment shumë të vështirë, kur Gjermania u përball me krizën dramatike të refugjatëve dhe ajo nuk luajti politikisht me këtë gjë”, tha Rama.

Ndërsa lidhur me pritshmëritë nga vizita e Presidentit Trump nesër dhe pasnesër, Kryeministri Rama u shpreh se “po pres me kuriozitet të dëgjoj Presidentin dhe jam shumë shpresëplotë që, përsëri, ajo çfarë thashë për Evropën është e njëjtë për SHBA-në”. “Janë dy aleatët e mëdhenj strategjikë të Shqipërisë, por janë dy faktorë të mëdhenj, në të gjithë rajonin. Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të luajnë një rol strategjik në rajonin tonë, si edhe shtetet vetë të ecin drejt një të ardhmeje më të mirë”, shtoi Rama.

Lidhur me ngritjen e Gjykatës Speciale në Kosovë, Kryeministri Rama e konsideroi një proces të pakthyeshëm. “Edhe pse mendoj së është e rëndësishme të kesh gjithnjë një mendje të hapur në lidhje me çfarë është më e mira dhe çfarë mund të përmirësohet. Kështu që nuk mendoj se ideja dhe gjykata si e tillë është në ndonjë lloj rreziku dhe nëse ka një debat rreth përmirësimit është një debat i mirë”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button