Kosova

Kuvendi në sesionin pranveror ka miratuar vetëm 16 ligje

Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror ka treguar performancë të ulët sa i përket miratimit të ligjeve, vlerëson Instituti Demokratik i Kosovës, në raportin për sesionin pranveror.

Ndërkohë, deputetët e pranojnë se ka mundur të bëhet më shumë. Opozita e kritikon Qeverinë për mungesë përkushtimi dhe serioziteti, ndërsa nga koalicioni qeverisës, mungesën e miratimit të ligjeve, e arsyetojnë me bllokadën gjashtëmujore institucionale të vitit të kaluar.

Vetëm 16 ligje janë miratuar gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, përderisa në agjendën legjislative ishin paraparë 63 projektligje për këtë periudhë. Kryetarja e Komisionit për legjislacion, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu fajëson Qeverinë, duke thënë se as gjysmën e projektligjeve që i ka paraparë t’i sjellë në Kuvend, nuk i ka proceduar.

“Kjo tregon faktin se kjo qeveri është joserioze dhe e papërgjegjshme karshi qytetarëve dhe Kuvendit të Kosovës, për faktin se edhe vetë projektligjet të cilat i deklaron se do t’i sjellë në afatet e parapara ajo nuk e bën atë. Kjo qeveri nuk ka treguar deri më tani një përkushtim sa i përket dërgimit të projektligjeve në Kuvend, projektligje të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.

Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për legjislacion ka një arsyetim për këtë, por megjithatë, pajtohet se Kuvendi do duhej të ishte më aktiv.

“Dinamika e punëve ka qenë e grumbulluar sa i përket qoftë hartimit të legjislacionit por edhe akteve të tjera përcjellëse që janë përcjellë nga legjislatura e kaluar. Duhet të merret parasysh edhe bllokada gjashtëmujore dhe kjo i ka parapri një stërzgjatje qoftë të procedurave, por edhe prurjes së ligjeve të reja. Mendoj që Kuvendi duhet të jetë më aktiv, këtu pajtohem, por miratimi i projektligjeve ka rregulla të veçanta që janë sipas rregullave të punës së Kuvendit”, tha Zemaj për Radio Kosovën.

Zemaj përmend si të metë, faktin që në vazhdimësi nga Qeveria vijnë shumë projektligje për plotësim-ndryshim. Edhe KDI-ja thekson se në agjendën legjislative për sesionin pranveror ishin paraparë 35 projektligje për plotësim-ndryshim të ligjeve ekzistuese.

Sipas KDI-së, Kuvendi kishte paraparë miratimin e 55 projektligjeve, ndërkohë që Qeveria i ka sjell dhe 8 projektligje tjera që nuk ishin paraparë me agjendën legjislative. Rreth 65% e projekt-ligjeve të parapara janë proceduar për miratim në Kuvend, mirëpo gjatë kësaj periudhe, në të dy leximet janë miratuar vetëm 16 ligje apo më pak se një e katërta e projektligjeve, ndërsa rreth 40% e projektligjeve janë në procedurë të shqyrtimit brenda komisioneve parlamentare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button