Home / roze / Nga skena në rrugë

Nga skena në rrugë

Ajo quhet Aida, njëlloj si vepra Verdit. I pëlqen të thotë se ka lindur për të çelur, ashtu siç është refreni i një prej këngëve të saj.

Është një violiniste me temperament, ka prekur skenën dhe sot e ndeshim në rrugë.

“Kjo mund të jetë një thirrje e brendshme që lidhet me shumë vite përvojë në instrument. Diçka që mund të ngacmonte publikun për ta bërë të ndjejë diçka dhe atje ku nuk mendon se mund ta ndjejë, në rrugë”, thotë Aida.

Ajo luan  muzikë klasike, folklorike, alternativë dhe propozon edhe kompozimet e saj në rrymën që e ka pagëzuar “Balkandream”.

“Edukimi im është klasik dhe ne nuk ndahemi dot lehtë nga Moxarti apo Vivaldi, apo Shtrausi. Por propozoj edhe rrymën BalkanDream prej disa kohës”, shprehet violinistja.

I pëlqen stili i rrugës, i jep asaj lirshmërinë të ndihet në lëkurën e saj të vërtetë, jashtë impostimit që i duhet të ketë kur interpreton në skenë.

‘Përveç asaj që dihet, impostimi teknik, ndriçimi apo edhe impenjimi për t’u veshur mirë, për t’u kuruar, këtu shmanget fare. Këtu mund të dalësh edhe me pishame. Është një farë plusi kjo”, thotë Aida.

Të jetosh me artin është e vështirë. Interpretimi në rrugë është një praktikë e njohur që në pikat turistike të Vjenës e deri në ato të qyteteve tona. Por ndërsa në skenë artistët kanë gjithë vëmendjen e publikut, në rrugë impenjimi i tyre duhet të jetë shumë më i madh që të tërheqin publikun kalimtar.

“Je duke iu drejtuar një publiku dhe ai vërtet është kalimtar, por edhe telekomandën e televizorit ne nuk e kemi në dorë të të gjithë teleshikuesve. Ata munda ta ndryshojnë stacionin. Kështu është edhe kur ecin. Kalimtari kalon, osë qëndron”, shprehet ajo.

Violina e saj nuk është e kushtueshme, por tingujt i ka të dashur. Ja kanë dhuruar gjatë kohës kur ishte në Turqi. Së bashku me Anglinë, ato kanë qenë dy vendet që i kanë shërbyer më shumë në formimin psikologjik dhe emocional, sidomos kjo e dyta, në pjesën e saj të thjeshtë, në Veri dhe provincë.

Pjesa emotive e saj është e dukshme, ndonjëherë më shumë seç duhet. Ndonjëherë ndihet bosh, pa motiv, mezi paguan faturat dhe nuk është e sigurt nëse nesër do të ketë diell. Por kjo nuk e bën me më pak jetë, përkundrazi. Jeta kësaj vajze i vlon ngado. Nga sytë, nga gjuha e trupit,  nga duar e shkathta në violinë dhe nga tingujt që ajo ka zgjedhur për këtë ditë të tërheqë kalimtarët e rastit.

Dëshira e saj në fund është shumë e thjeshtë, mjafton të çelë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: