Home / Opinion / Don Kishoti i halabakëve politikë

Don Kishoti i halabakëve politikë

Nga Viktor Malaj

 

 “Një betejë me përmasa epike na pret në mejdanin e historisë”/Lulzim Basha

Megjithëse nuk ka asnjë parti politike të përsosur në botë, rrallë ndodh që pas një humbjeje katastrofike një parti e tërë të mos gjejë kurrfarë gabimesh, të metash dhe, aq më pak, fajesh në të kaluarën e saj. PD-ja nuk bëri asnjëherë analizë serioze të humbjes së saj në 2013 dhe as gjeti përgjegjësi tek kupola drejtuese e vet. Fajet dhe të metat ose i gjeti tek zyrtarët e saj të rangjeve të ulëta, ose tek kundërshtari politik, ose fajësoi popullin shqiptar që “u tregua mosmirënjohës ndaj atyre që kemi bërë sa ishim në pushtet”.

Ky qëndrim i përsëritur edhe pas humbjes tjetër të madhe të zgjedhjeve lokale në 2015 por, veçanërisht, qëndrimi i saj i fundit ndaj rezultatit në bashkinë e Dibrës të bindin përfundimisht se kemi të bëjmë me një formacion politik të pakorrigjueshëm dhe, rrjedhimisht, të dëmshëm për të ardhmen politike të vendit. Për rezultatin e fundit në Dibër janë dhënë shumë mendime. Unë besoj se përfundimi i 11 shtatorit është rezultat i një tërësie faktorësh. Vetëm pak gazetarë e vunë theksin tek zgjedhja e kandidaturave.

PD ishte e sigurt se kishte dërguar “njeriun e duhur” si përfaqësues të vetin për konkurrim. Pikësëpari më duhet të them se edhe nëse z.Shehu qëndron pak më lart se shumica e figurave të PD-së, e vërteta është se ai nuk mund të konsiderohet kurrsesi një figurë e pranueshme nga shumica e dibranëve. Nëpërmjet heshtjes kur duhej të ngrinte zërin, mbështetjes për berishizmin kur duhej ta kundërshtonte fort, lavdërimeve për Berishën (para katër vitesh thoshte se Sali Berisha ishte figura më me reputacion për t’u caktuar sërish president) kur duhej distancuar prej tij, z.Shehu për shumicën e dibranëve nuk ishte veçse një berishist i padenjë për ta. Ai mund të jetë një ekonomist apo pedagog i mirë, por kurrsesi një qytetar dhe politikan i vlefshëm për aq kohë sa nuk ka parë asgjë të dënueshme në sjelljet tribale, arkaike, antidemokratike dhe kriminale të ligjshkelësit më të madh të këtyre 26 viteve. Ai është akoma aty ku është, në politikë, jo për shkak të parimeve dhe moralit politik, por për shkak të përshtatjes dhe servilizmit ndaj të keqes, ai është aty për shkak të pajtimit të vazhdueshëm me atë sjellje dhe moral me të cilët shumica e shqiptarëve, dhe shumica e dibranëve, nuk janë pajtuar thuajse asnjëherë.

Nga ana tjetër, shumica e dibranëve do të kenë pyetur veten me të drejtë: Çfarë e ka shtyrë këtë dibran, të larguar nga vendlindja para 40 vitesh, të kthehet tani në moshën e pensionit për të drejtuar pushtetin e një zone për të cilën nuk ka bërë asgjë për një çerek shekulli megjithëse ka qenë për disa legjislatura deputet i asaj zone dhe pushtetin lokal e ka pasur thuajse gjithnjë partia e tij (Shehut)? Çfarë të mirash, pra, do të mund t’i sillte asaj popullsie ky individ që vendbanimin e kishte në Tiranë dhe në një kohë kur pushtetin qendror e kanë kundërshtarët e tij politikë? Normalisht, kandidimi i tij përmban shumë hije dyshimi rreth atyre që disa kanë thënë për të. Sjellja e tij ndaj një punonjësi policie tri ditë përpara zgjedhjeve, me arrogancë e nervozizëm të përkundërta këto me njeriun e kulturuar, tregonte edhe se z.Shehu e ka parandier humbjen dhe se nuk ishte personi i duhur për të qeverisur një bashki të tërë. Por, akoma më keq, deklarata e tij pas zgjedhjeve është dëshmi tipike e një personaliteti të deformuar nën trysninë e berishizmit dhe interesave vetjake, është dëshmi e mentalitetit provincial dhe aspak të qytetëruar.

Gati askush nuk i kushtoi rëndësi faktit se rivali i tij, që doli fitues, ishte një individ më i ri në moshë, me reputacion shumë të mirë dhe mjaft i njohur nga votuesit e ardhshëm. Ky rival, duke qenë edhe banues i përhershëm i Dibrës, kishte një përparësi jo të vogël ndaj humbësit. Në anën tjetër, prania e kudondodhur në Dibër e një çete gangsterësh politikë të tipit Ndoka, Strazimiri, Spahiu, Paloqja, Ristani dhe shumë të tjerë si dhe mënyra e sjelljes dhe e të folurit të tyre duhet t’i kenë kushtuar shumë vota Shehut. Qëndrimi i PD-së ndaj reformës në drejtësi nuk duket se ka qenë krejt pa ndikim në votimet e Dibrës dhe, ndoshta, do të ketë ndikim edhe më të madh në zgjedhjet e përgjithshme të vitit tjetër.

Partia e Shehut dhe një numër analistësh të rrenave u përpoqën që fitoren e Muharrem Ramës t’ia atribuonin vetëm “blerjes së votave” me paratë e drogës. Nuk e përjashtoj dhe nuk duhet përjashtuar mundësia e përdorimit të shumë marifeteve të paligjshme në shërbim të fitores nga të dyja palët. Edhe sikur Rama dhe Basha të mos kenë fare gisht në këto lojëra, manipulimet e votimeve janë kthyer në sëmundje gati të përgjithshme tek ne. PD dhe Sali Berisha janë themeluesit e Shkollës së Manipulimeve Zgjedhore dhe nuk kanë pse çuditen fare nëse “nxënësit” e kësaj shkolle ndodhen sot në të gjitha partitë politike. Por, të thuash se pala fituese përdori blerjen e votave ndërkohë që militantët e tu u kapën duke dhënë para për vota dhe e plagosën rëndë atë që iu kërkoi llogari, kjo do të thotë të jesh krejt i pafytyrë.

Kryetari formal i PD-së, Lulzim Basha, qartësisht i dëshpëruar nga rezultati zgjedhor, akuzoi për humbjen e tij jo vetëm pushtetin por, në mënyrë të turpshme dhe të padenjë, edhe popullin e Dibrës duke i ndarë në “të ndershëm” ata që i dhanë votën dhe “të shitur” ata që votuan M.Ramën. Kandidati i tij humbës shkoi edhe më tutje duke thënë: “Qoftë ky fillimi i fundit të poshtërimit të shqiptarëve duke u blerë votën, nderin dhe dinjitetin”. Do të mjaftonin këto dy qëndrime që këta dy politikanë të cekët të mos shfaqeshin më përpara popullit të Dibrës të cilin e etiketuan si të shitur, të çnderuar dhe pa dinjitet. Në të vërtetë, Basha dhe krejt çeta e tij politike duhet t’i jenë mirënjohës gjithë popullit shqiptar që i ka mbajtur në këto nivele politike deri tani sepse, me sjelljet dhe moralin e demonstruar paprerë prej tyre, në vendet perëndimore nuk do të kishin marrë as 1% te votave.

Disa analistë pohuan se për çfarë ndodhi ishte faji i Bashës dhe se ai duhet t’ia lërë vendin dikujt tjetër në drejtimin e PD-së. As kritikët e Bashës në PD, as kundërshtarët politikë të tij dhe asnjëri nga ne që analizojmë këto probleme nuk do të mund të shkëputej nga berishizmi po të ishte në vend të Bashës. Por Basha ka një cen edhe më personal. Ai jo vetëm nuk mundet, por as dëshiron të shkëputet nga berishizmi dhe arsyet janë më shumë subjektive (afera e rrugës Durrës-Morinë, vrasjet e 21 janarit etj), sesa objektive. Mëkati dhe amoraliteti i tij nuk qëndron në faktin pse nuk shkelmon Berishën dhe berishizmin, por në faktin se, me dëshirë, pasion dhe përkushtim e përqafoi berishizmin në 2005, e mbështeti dhe ndihmoi deri në 2013 dhe po përpiqet ta çojë përpara sot e kësaj dite.

Faktori kryesor që PD-ja ka mundur vetëm një herë gjatë një çerek shekulli të marrë votat e shumicës së shqiptarëve është vetë berishizmi. Kjo parti është falsiteti më i madh politik në historinë e Shqipërisë. Është false nga mënyra e krijimit, nga përbërja e saj dhe, veçanërisht, nga sjellja e vet politike. E formuar nga makinacione të fshehta të komunistëve në largim, e drejtuar nga një pseudokomunist ekstremist, në përbërjen e saj hynë që nga komunistët e kupolës së vjetër që kërkonin pushtet të ri deri tek antikomunistët “e lashtë”, nga injorantët dhe gangsterët e rrugës e deri tek akademikë dhe profesorë, nga republikanë e deri monarkistë fanatikë, nga hetues e gjykatës xhelatë të komunizmit e deri tek të burgosur dhe internuar politikë të atij sistemi.

PD- ja nuk u krijua nga kurrfarë idealesh, por ishte produkt i nevojës për ndryshim dhe i zemërimeve popullore (më së shumti të bazuar) ndaj regjimit të mëparshëm. Nga zierja e kazanit me qumësht del shkuma, ndërsa ajka e qumështit formohet nga gjendja e tij e qetë. Kjo parti pretendonte se përfaqësonte interesat e të gjitha shtresave popullore por, në të vërtetë, nuk kishte në shpirt asnjërën prej tyre, por vetëm etjen për pushtet dhe fitime vetjake të pjesës më të madhe të kupolës së vet drejtuese në qendër dhe në bazë. Pretendonte se ishte e djathtë dhe thoshte se “toka i takon atij që e punon”; derdhte lot krokodili për vuajtjet e të përndjekurve, por i zhdëpi në dru kur ata hynë në greva urie në kërkim të të drejtave të tyre dhe në sundimin e saj të katërt i detyroi t’i vinin flakën vetes e të vetëvriteshin në mes të Tiranës; u premtoi kthimin e pronave pronarëve dhe lejoi popullsinë e periferisë të grabiste këto prona; premtoi të siguronte pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira kurse, në realitet, burgosi kundërshtarë politikë dhe u bë pionierja e dhunimeve të proceseve zgjedhore; u krenua se themeloi shtypin e lirë, por rrahu e burgosi gazetarë dhe dogji redaksi gazetash; u angazhua për shtetin ligjor dhe ndërtoi drejtësinë më të korruptuar në Evropë; propagandoi nacionalizmin dhe Shqipërinë historike, por cenoi integritetin territorial duke bërë marrëveshje poshtëruese me Greqinë; premtoi ekonominë e tregut dhe lejoi e zhvilloi ekonominë e kioskave dhe firmave piramidale; tha se zhvillimi vjen nga konkurrenca e dijeve dhe aftësive, por zbatoi favorizimin dhe korrupsionin e tenderave e të koncesioneve. Çfarë mund të thuash tjetër për një parti që mban si simbol dhe themelues të vetin një halabak province që u vra për shkaqe ordinere dhe që konsideron lider historik dhe shembull udhërrëfyes një individ tjetër mbi të cilin rëndojnë dhjetëra krime ende të pandëshkuara?

Kjo ishte PD-ja e vitit 2005 kur iu bashkuan Lulzim Basha dhe një grup individësh të rinj në moshë, por të infektuar në moral. U sollën aty jo për shkak të kapaciteteve intelektuale dhe as të vlerave morale, por për të shërbyer si makijazh për një parti të rrudhur nga e keqja e saj e brendshme dhe koka e saj pa kurrfarë parimesh. Iu nevojitej skifterëve të saj politikë t’ia shisnin popullit shqiptar si diçka e re, e cila meritonte të ndiqej. Koha tregoi se “të rinjtë” u bënë thjesht satelitë që silleshin pas “yllit” Berishë. Basha është thjesht njëri nga këta satelitë dhe nuk ka as dëshirë dhe as mundësi të dalë nga orbita. Berishizmi është morali i tij politik, është frymëzimi dhe modeli i tij i pëlqyer. Njëherësh është edhe kamerdarja e shpëtimit të tij nga ndjekja ligjore.

E keqja më e madhe nuk qëndron këtu. Pavarësisht disa “vicklave” që duket se hedhin disa figura të tjera, e vërteta është se PD-ja e drejtuar prej cilësdo nga këto figurina politike nuk do të kishte kurrfarë ndryshimi cilësor me PD-në e sotme. Dikush më pak, dikush më shumë ato janë të gjitha bartëse dhe përçuese të moralit politik berishist. Ato mund të duan të jenë vetë në vend të Bashës, por asnjë prej tyre nuk është për kritikën dhe shkëputjen nga berishizmi. Madje M.Bregu shprehu mendimin se në vend të Bashës duhej rikthyer Berisha.

Deklarimet e disa prej tyre dhe, veçanërisht, diskutimet e tyre më të fundit në mbledhjen e Kryesisë së PD-së të lënë pa mend për nivelin e ulët të kulturës politike dhe sidomos për moralin e tyre të kalbur. Ndërsa sjelljet e tyre në parlament i vënë vulën e një bande ordinerësh një grupi që pretendon se është parti politike. Asnjë prej tyre nuk sheh ndonjë të metë në të kaluarën e sundimeve të tyre të errëta dhe as në qëndrimet dhe sjelljet aktuale të partisë së tyre. Kaosi social e ligjor që krijuan në vitet 1990-1992 për të ardhur në pushtet “me hir apo pa hir”; burgosjet e kundërshtarëve politikë; dhunimet masive gjithëshqiptare të zgjedhjeve të vitit 1996 (të vetmet zgjedhje të shpallura të dhunuara dhe të papranueshme nga bashkësia ndërkombëtare); firmat piramidale; inicimi i luftës veri-jug dhe gjendja e jashtëzakonshme në shkurt-mars 1997; marrja e pushtetit me dhunë në 14 shtator 1998; falsifikimi i zgjedhjeve të përgjithshme të 2009; falsifikimet në zgjedhjet vendore, të vërtetuara e dënuara nga gjykatat në Libofshë dhe Ruzhdie të Myzeqesë, Dajç të Lezhës etj.; karteli i drogës së Lazaratit dhe parcelat më të vogla në të gjithë vendin; 21 janari 2011 apo Gërdeci etj.etj. nuk iu thonë asgjë këtyre halabakëve politikë.

Njëri prej këtyre figurave pa personalitet, “disident” i kotësisë, tha në parlament se “Edhe opozita e sotme mund të ketë pasur flirtime sporadike me ndonjë bandë… Kjo mazhorancë e ka asgjësuar institucionin e zgjedhjeve që kur erdhi në pushtet”. Ky individ kërkon të na bëjë të harrojmë se dashuria 25 vjeçare me bandat nuk mund të quhet as flirtim dhe as rast sporadik por mendim, sjellje dhe praktikë koherente dhe kriminale që ai dhe partia e tij e kanë instaluar dhe praktikuar qysh nga krijimi e deri sot. Ai dëshiron të na bëjë të harrojmë 1996-ën dhe 2009-ën kur korrespondenca diplomatike amerikane thoshte se zgjedhjet janë falsifikuar dhe “kreu i trukimit të zgjedhjeve është kryeministri i vendit”.

Berishizmi, i mishëruar në sjelljet dhe veprimet e Bashës dhe këtyre figurinave të tjera të padinjitetshme, përpiqet të krijojë bindjen tek shqiptarët se ata janë shpëtimi i vendit dhe se “Shqipëria do të shuhet nëse e lëmë në dorë të Edi Ramës” (L. Basha), se ata dhe partia e tyre përfaqësojnë ndershmërinë dhe vlerat evropiane etj. etj. Nënkuptimi është i qartë: Ne jemi shpëtimi. Por, kush jeni ju? Ata janë edhe fizikisht, edhe shpirtërisht, edhe moralisht dhe politikisht ata që kanë qenë, që janë provuar katër herë dhe që gjithnjë kanë dëshmuar se janë sa të padenjë aq edhe të rrezikshëm.

Shqipërisë i nevojitet PD-ja, ashtu si partitë e tjera politike, por i nevojitet një PD që ka guximin dhe ndërgjegjen morale e kombëtare të hedhë poshtë pa ngurrim gjithë trashëgiminë e rrejshme, brutale dhe antidemokratike të berishizmit dhe të thotë: Mjaft më! Ne duhet të jemi ata që kemi premtuar në 1990, duhet të jemi ata që kanë nevojë shqiptarët dhe jo ushtri e verbër e një komandanti bandit, duhet të jemi dhe të sillemi si partitë e vërteta demokratike të Perëndimit dhe jo si çetë çakejsh që bën zhurmë për ndarje kockash dhe nuk bën roje për shpëtimin e “stanit” Shqipëri, duhet të jemi parti idesh dhe alternativash dhe jo bandë çjerrjesh apo shpifjesh e fyerjesh nga Facebuuk-u i një të marri të dëshpëruar sepse ka mbetur pa pushtet.

Lulzim Basha, i cili i ka shpallur të gjitha zgjedhjet e pas 2013 si referendume për miratimin e tij për të ardhmen dhe i ka humbur të gjitha, thotë aty-këtu se “Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën!”. Unë i bashkohem këtij mendimi, por, për hir të së vërtetës, dua ta çoj deri në fund konkluzionin. Shqipëria mund të jetë më mirë pa Edi Ramën, por është e sigurt se do të ishte dhjetë herë më keq me Lulzim Bashën dhe taborin e tij, i cili është provuar si i dështuar në të gjitha funksionet drejtuese qendrore e vendore që ka drejtuar përgjatë 12 vjetëve. Mbi të gjitha, Shqipëria nuk duhet t’i kthejë më sytë nga berishizmi i shumëdiskredituar dhe i kudodëmshëm, por duhet të luftojë për të krijuar forca të tjera politike më të denja dhe të përmirësojë përbërjet dhe sjelljet e forcave politike ekzistuese.

One comment

  1. Te digjen te gjalle deputetet e PD fashiste

Leave a Reply

%d bloggers like this: