Arte

Në Tiranë fillon nesër Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut

Nga data 26 shtator deri më 1 tetor 2016 do të mbahet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA), ku temë qendrore do të jetë “migracioni”.

Sot për të prezantuar risitë e këtij festivali është mbajtur nga organizatorët një konferencë për mediat, ku u theksua se ky festival është bërë një institucion dhe një ngjarje me rëndësi jo vetëm për qytetin e Tiranës, por ai është pjesë e festivaleve botërore që kanë në fokus liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Drejtori ekzekutiv i IHRFFA-së, Kujtim Çashku, u shpreh se “Sot, më shumë se kurrë janë vënë në pikëpyetje një sërë vlerash morale dhe etike. Këto vlera lidhen ngushtë me ndjesitë e shpresës, besimit, dhe marrëdhënies me të vërtetën. Migracioni në thelb është kontestim, është revoltë, është njohje dhe dalje nga çdo tendencë e njeriut të vetizoluar. Migrimi tek e fundit është një vlerë nga vlerat më të mëdha të lirisë dhe pasurisë së njerëzimit.”

Këtë vit si temë qendrore e festivalit do të jetë “migracioni”, ndërsa nga 2.300 filma që kanë aplikuar nga e gjithë bota, janë përzgjedhur 45 prej tyre.

Një risi e veçantë në këtë edicion, sipas organizatorëve, është edhe zgjerimi i rrjetit të vendeve ku do të shfaqen filmat e përzgjedhur. Përveç Akademisë së Filmit dhe Multimedias “MARUBI”, si dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, filmat do të shfaqen edhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në Akademinë e Sigurisë, Qendrën Rinore tek Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe pranë Galerisë Kombëtare të Arteve.

Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë dhe Hercegovina, Franca, Italia, Belgjika, Kina, Suedia, SHBA, Izraeli, Danimarka, Spanja, Gjermania, Zvicra, Greqia, Holanda, Austria, Rusia, Republika Çeke. Mbretëria e Bashkuara, Argjentina, etj.

Festivali organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “MARUBI” me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë Arsimit dhe Sportit, dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button