Home / Opinion / Kauzat fluturake dhe një popull pa krahë

Kauzat fluturake dhe një popull pa krahë

Nga Alqi Koçiko

Miratimi i ligjit për importin e mbetjeve, qoftë ky dhe “listë e gjelbër”, i zuri të gjithë pa mendje, me përjashtim të iniciatorëve. Protesta e kujtdo që e perceptoi këtë si pabesi, ishte e ligjshme, por edhe e pafuqishme, për sa kohë që mazhoranca paralelisht me sqarimet që po jepte për këtë ndryshim radikal qëndrimi mbi këtë çështje, ndërkohë po e votonte ligjin. Duke i vënë kësisoj, të gjithë para faktit të kryer.

Para se t’i kthehemi kthesës së beftë të shumicës, le të shohim pak reagimet politike të kundërshtarëve të këtij akti. Është e kuptueshme që kreu i opozitës Lulzim Basha është kail të kapet pas çdo forme protestimi të kujtdo shtrese e grupimi, për ta përvetësuar dhe… ndotur edhe kauzën më të pastër. Nuk bën përjashtim pra importi i mbetjeve, apo plehrave nëse doni, për çka Basha si kryetar bashkie i Tiranës ka negociuar për një incenerator -furrë plehrash  në Sharrë. Dhe kjo vetëm 4 vjet më parë. Por është e kotë të presësh nga politikanë të këtij formati të japin sqarime për qëndrimin e dikurshëm, dhe të shpjegojnë pse e kanë ndryshuar atë.

Por këtë shumëkush e priste nga deputetë si Ben Blushi, që me anë të një fjale pasionante në Kuvend

në emër të ambientalizmit, nuk dha asnjë shpjegim përse 12 vjet më parë, si ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit kishte firmosur lejimin e një impianti djegieje të plehrave në Kashar, të famshmin projekt Becchetti. Të paktën në letër, riciklimi dhe djegia edhe për atë që s’di shkrim e këndim, janë dy procese totalisht të kundërta (paçka se nga djegia do përftohej edhe energji). Në këtë derexhe ndotjeje që ka ajri i Tiranës, imagjinoni sikur këto 12 vjet t’i mbivendosnim edhe djegiet e inceneratorit të Kasharit! Ndërsa riciklimi, pra riprodhimi i letrës nga letra, i drurit nga druri, i plastikës nga plastika etj, nuk bën gjë tjetër veçse pakëson plehrat. Por…

Me kusht që këto të ishin mbetjet tona. Sepse në këto rrethana, ne thjesht do pakësojmë plehrat e fqinjëve, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq kushedi ç’lloj lëndësh do na vijnë nga përtej detit bashkë me “mbetjet e mira” e kushedi se në ç’tunele të braktisura ushtrie do përfundojnë, po t’u besojmë konspiracioneve të kundërshtarëve të këtij ligji.

Arsyetimi, në këndvështrimin e industrisë së sektorit, është i logjikshëm. Janë investuar miliona euro për impiante e fabrika riciklimi, në kohën kur ligji ose nuk ekzistonte, ose i lejonte këto përpunime. Tashmë ky investim ishte bllokuar, bashkë me vendet përkatëse të punës, sepse sistemi ynë nuk i ndan dot mbetjet sipas kategorive. Thuhet se janë mbi 100 milionë euro investim në këtë sektor, që me plehrat vendase punon vetëm me 20% të kapacitetit. Pse nuk i ndajmë dot plehrat tona?

Mesa duket, sepse është e vështirë. Sepse ky proces duhet të kalojë përmes bashkive që do prodhojnë dhe nxisin hedhjen e diferencuar të mbetjeve në kazanët e rinj përkatës, dhe njëherësh, përmes bindjes (ose gjobitjes) së qytetarëve derisa të mësojmë të bëhemi si bota. Deri atëherë, do t’i marrim nga… bota, sepse nuk duam ta zgjedhim rrugën e sikletshme dhe ca të gjatë. Sepse kemi halle të tjera, më të ngutshme dhe në këto kushte, të kërkosh ndarje të mbetjeve që në familje, është si të kërkosh kaligrafi nga b… e Argjirosë, siç thotë një fjalë jo dhe aq e urtë. Nga ana e vet, industria e përpunimit të mbetjeve nuk rend sipas “ofertës vendase”, sepse ajo pasi ngrihet, kërkon të funksionojë e të fitojë.

Tani, këto arsyetime ishin të vlefshme edhe në vitet 2012-13, kur mazhoranca e tanishme bashkë me shoqërinë civile e kundërshtoi prerë ligjin që po përgatiste qeveria Berisha. Atëherë lista e lëndëve që lejoheshin të hynin në vend ishte më e madhe; u tha edhe se kushtet e kontrollit nga ana e strukturave përkatëse ishin shumë të dobëta. U tha se për vende si Shqipëria, lejimi i këtyre lëndëve ishte thjesht shesh për përshesh mafiozësh.

Vërtet ka ndryshuar kaq shumë këto 3 vjet kontrolli i territorit dhe kufijve? Vërtet rigoroziteti i strukturave kufitare, policore e doganore gjatë kësaj kohe është shembullor? Vërtet, ndryshe nga 3 vjet më parë, industria e përpunimit këtë herë do ketë kontraktorë të tjerë dhe firma të ndryshme bashkëpunuese të huaja, nga ato të vjetrat? Apo asgjë nuk ka ndryshuar, përveçse palëve qeveritare me të cilat duhet të negociojë kjo industri për të punuar?

Socialistët e opozitës, në fakt nuk bënë gjë tjetër veçse kapën një kauzë të ndjeshme dhe e përdorën, ashtu siç bën Basha dhe PD sot, që mjaft të shohin një tubim njerëzish të pakënaqur, qofshin shoferë furgonash, maturantë apo punonjës administrate të pushuar nga puna dhe u futën me mes. E dhimbshmja për njerëzit e thjeshtë në këtë mes, është se PS edhe kur nën kryeministrin Nano deshi të ndërtonte inceneratorin, u frenua dhe u tërhoq, duke dëshmua kësisoj nerv ndjeshmërie ndaj publikut. Apo frikë, në daçi. Ndërsa qeveria aktuale nis sqarimet dhe përgënjeshtrimet pas të vjelit, pas miratimit të ligjit, kundër “sharlatanëve që shpifin për mbetjet”. Duke e shtuar dozën e zhgënjimit tek qytetarët.

Kapja e kauzave momentale për të çuar ujë në betejën politike të radhës, është bërë një rutinë e lodhshme në këtë vend, aq sa nuk do çuditej kush sikur PD nesër të mbronte me forcë të drejtat e veteranëve të luftës, të familjeve të dëshmorëve apo të bërtiste me të madhe pro datës 29 nëntor të çlirimit të vendit. Tek e fundit, PD ka qeverisur Tiranën 4 vjet me votat e komunistëve.

Por ajo që lë shije të hidhur pas “episodit të plehrave” është fuqizimi i përshtypjes se “këta janë të gjithë njësoj”. Mjafton të vijnë në pushtet dhe harrojnë ç’kanë thënë, ç’kanë premtuar, ç’kanë deklaruar solemnisht… Çështjet dhe kauzat fluturake që kapën rrugës, e kryen punën e tyre dhe tashmë kanë mbetur pas, bashkë me një popull që pikërisht pse është pa krahë, mendon si e si të fluturojë… jashtë vendit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: