Home / Politika / Aleanca me PS, Gjinushi flet ‘pa dorashaka’ për kritikat ndaj Ramës: Ca bëjnë opozitë e ca marrin votën e ndryshimit

Aleanca me PS, Gjinushi flet ‘pa dorashaka’ për kritikat ndaj Ramës: Ca bëjnë opozitë e ca marrin votën e ndryshimit

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi u shpreh kritik në lidhje me vlerësimin që ka marrë Partia Socialdemokrate nga aleatja e saj e madhe, Partia Socialiste. “Jo vetëm PSD, por asnjë aleat tjetër i PS, në periudhën më të ashpër opozitare 2009-2013, nuk arriti të përfaqësohet në Kuvend? Një gjë e tillë nuk ndodh në një demokraci të konsoliduar. S’ndodh që ca të bëjnë opozitën e ca të tjerë të marrin votën e ndryshimit”, u shpreh Gjinushi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare.

Zoti Gjinushi, ju keni qenë nga aleatët e hershëm të PS-së, sot në qeveri. Ku është vendi i PSD-së tashmë në këtë qeverisje?

Është e tepërt të flitet se kush janë marrëdhëniet që nga 2009. Vazhdimisht kemi theksuar se e majta, taktikat elektorale nuk i ka përpunuar si duhet, madje edhe ka gabuar. Për shkak të kësaj u pagua shtrenjtë në 2009, por nuk qe pa disa anë negative edhe fitorja e 2013-tës. Sigurisht, defektet e disa deformime kanë ardhur jo vetëm nga taktikat e së majtës e nga mënyrat se si janë ngritur koalicionet parazgjedhore, por edhe nga mënyra se si ka reaguar votuesi ndaj lëvizjeve politike e manovrave të ndokujt.  PSD-së nuk i është dhënë vendi që i takon dhe që meriton si nga aleatët, si nga votuesit e majtë. Megjithëse PSD ka qenë më konsekuentja në qëndrimin opozitar për 8 vjet me radhë, megjithëse opozita më 2013 mori rreth 1 milion vota, PSD nuk mori mbështetjen që i takonte. E them këtë pasi jo vetëm PSD, por asnjë aleat tjetër i PS, në periudhën më të ashpër opozitare 2009-2013, nuk arriti të përfaqësohet në Kuvend? Një gjë e tillë nuk ndodh në një demokraci të konsoliduar. S’ndodh që ca të bëjnë opozitën e ca të tjerë të marrin votën e ndryshimit. Sigurisht ky s’është thjeshtë defekt a mungesë përvoje e votuesit, por pasojë edhe e asaj që i serviret votuesit nga ata që dominojnë e kontrollojnë median e opinionin publik. Si pasojë e këtij rezultati PS s’e pa të nevojshme të përfshinte partitë e tjera aleate në qeverisjen e vendit ndonëse kishte një marrëveshje e ndonëse kontributet midis aleatëve s’maten vetëm me votë, ca më tepër kur votat nuk janë të numëruara siç duhet. Kohët e fundit ka një reflektim për t’iu rikthyer bashkëpunimit midis dy partive.

Pse ndodhi me ju kështu?

Theksojmë se kjo s’ndodhi vetëm me ne. Po të kishim vetëm ne një rezultat negativ, pavarësisht nga besueshmëria e tij, atëherë arsyet duhet t’i kërkonim te vetja. Por, kur për 8 vjet opozicion ke vetëm një vlerësim nga elektorati i majtë, që s’i ke shitur kurrë, që ke mbrojtur interesat e tij po aq, a më fort se PS dhe në fund kjo nuk reflektohet me votë, atëherë arsyet kërkohen gjetkë. Vetë fjala zgjedhje do të thotë të zgjedhësh alternativën më të mirë e individët më të besueshëm për këtë alternativë.

Ju si aleatë, ku e gjeni veten si pjesë e qeverisjes?

Ne nuk kemi qenë pjesë e qeverisjes. Pas zgjedhjeve lokale, në kuadër të rivendosjes së një bashkëpunimi me PS është emëruar një përfaqësues i yni si zv. ministër. Ju e dini që në zgjedhjet lokale ne zgjodhëm të paraqitemi vetëm, të detyruar nga rrethanat. Një arsye kryesore ishte për të treguar se PSD ka marrë gjithnjë votat e veta, se bashkëpunimi me PS nuk ka qenë thjesht për pragmatizëm, për të përfituar vota padrejtësisht, por për shkak të faktit se dy partitë janë të majta dhe se me bashkëpunim grupimi merr më shumë mandate se i përçarë. Në zgjedhjet lokale të 2015, të vetëm, morëm mbi dyfishin e votave të 2013.   Kujtojmë se partitë jashtë grupimeve sidomos në zgjedhjet lokale pësojnë një shtypje. Pra, edhe të shtypur jashtë koalicionit morëm më shumë vota se të “pa shtypur” (por të pa vlerësuar) brenda koalicionit.

Besoni se në zgjedhjet që po vijnë do ju kërkohet sërish bashkëpunimi nga PS-ja? A do i besoni ju sërish një aleance të tillë?

Jam i bindur se, mbi të gjitha, votuesit e majtë, veçanërisht ata që kanë të njëjtat rezerva për aspekte të caktuara të qeverisjes, d.m.th. të zhgënjyer, dëshirojnë rikthimin e bashkëpunimit PS-PSD. Vetë rezultatet e mëparshme tregojnë që një përfaqësim i PSD-së me votat e të majtëve që preferojnë atë, do të kontribuonte si në një rifitore solide, ashtu dhe në një qeverisje më të qëndrueshme e më të pa kërcënuar nga bllokimet dhe krizat. Qeverisjet e majta kanë nevojë për aleatë të majtë, të provuar në vazhdimësi. Ne besojmë së bashku me lidershipin e PS-së se rivendosja e bashkëpunimit ndërpartiak do të qe në interes të së majtës.

Si ka qeverisur, Edi Rama?

E majta a të majtët kanë qenë gjithnjë më objektivë në vlerësimin e qeverive të veta, duke përjashtuar ata që kritikat ndaj qeverisë nuk i bëjnë në emër të vetes, por të të tjerëve. Dy herë pushteti nga e majta është marrë, pasi PD e ka çuar vendin në buzë të greminës: në 1997, pas krizave piramidale dhe në 2013 në kulm të krizës botërore. Vetë Berisha parashikonte skenarin grek për Shqipërinë. Pra, vlerësohej se ne rrezikonim të kalonim në një recension afatgjatë. Atëherë, si për qeverinë “Nano” në atë kohë edhe për qeverinë Rama krahasimi për të vlerësuar bëhet në dy plane: Çfarë ka bërë në raport me situatën ku e mori dhe ç’ka bërë në raport me premtimet. Në raport me situatën e trashëguar qeveria ka bërë mirë detyrën e saj? Në raport me opozitën shumë mirë, ndërsa në raport me pritshmëritë e premtimet ka ende problem, madje dhe zhgënjime. Për një vend në krizë, me borxhe publike të deklaruara e të fshehta tej limiteve të pranueshëm, të qeverisur nëpërmjet një korrupsioni e shpërdorimi të kthyer në sistem në të gjitha nivelet e kategoritë, të lëna 8 vite me radhë në kërkim të statusit të vendit kandidat, të arrijë të marrë statusin e të jetë në prag hapjes së negociatave dhe t’i rikthehet një rritje të qëndrueshme ekonomike konsiderohet qeverisje e mirë. Më tej është pozitiv fakti se rimëkëmbja dhe rifutja në procesin e integrimit nuk po i lihen spontanitetit a disa masave a fryme ndryshe, por për këto janë ndërmarrë disa reforma si për forcimin e shtetit ligjor, respektimin e ligjit e detyrimeve nga qytetarët ndaj shtetit, reforma tatimore, pushtetit lokal, shoqëruar këto me masa me vlerë reformuese në rimëkëmbjen e sektorëve jetikë të vendit si: bujqësia, energjia elektrike, nafta, pasuritë nëntokësore si dhe përshpejtimi i legalizimeve. Krahasuar me pritshmëritë a premtimet, sigurisht ka mosplotësim e zhgënjim edhe për një arsye objektive: kur e merr vendin në buzë të greminës njerëzit presin me padurim të bësh hapa para. Kur në fakt, po bëre para bie poshtë. Prandaj, fillimisht duhet një indietro për të shmangur greminën. Këto quhen masa shtrënguese. Shumëkush do thoshte pse s’na u thanë këto gjëra që në fushatë…

Ç’ duhej bërë më mirë?

Pritshmëritë më të mëdha kanë qenë në luftën ndaj korrupsionit, sidomos në nivelet e larta, në çmontimin e disa koncesioneve e aferave korruptive të qeverisë së mëparshme si dhe në reformimin e pastrimin e administratës publike. Për të parën, pritshmëritë tani janë kushtëzuar me reformën në drejtësi, me zbatimin e saj do të vlerësohet përfundimisht puna e qeverisë në këtë drejtim tepër të rëndësishëm e parësor si për vendosjen e shtetit ligjor dhe për zhvillimin ekonomik e social të vendit. Korrupsioni i pushtetarëve e administratorëve është shkaku kryesor i shumë mosrealizimeve ndër vite. Në zbatim të reformës në administratën publike ka pasur disa përmirësime në zbatim të ligjit të ri, por vetë ligji është shtrirë shumë para kohe, nuk zbatohet me të njëjtat standarde dhe shumë të papërshtatshëm kanë përfituar nga mbrojtja ligjore e manovrat politike. Kjo ka privuar padrejtësisht shumë njerëz që e meritojnë të jenë pjesë e administratës për aftësi e kontribut. Rrugët duan një ritëm tjetër. Edhe sektori i naftës do një ringritje me ritmet e KESH-it. Politika e taksimit duhet, gjithashtu, të marrë edhe rol stimulues e nxitës siç është p.sh. amnistia për rivlerësimin e pasurive të patundshme. Problemet e kompensimit e rikthimit të pronës duhet të kishin ritmin e drejtësinë e legalizimeve.

Po me drogën ka përhapje?

Përhapje mund të ketë, por jo shtim. Më shumë se sa prodhohej në kohën e lejimit politik të kultivimit të drogës s’mund të prodhohet dot. Jo për tendencë, por deri më 2013 Shqipëria quhej Kolumbi e vogël, sepse zona të tilla si Lazarati njiheshin ndërkombëtarisht dhe kurrkush s’mund të hynte e jo më të prekte hashashin pa leje. Kolumbi quhesh kur shteti është i pafuqishëm e i kapur publikisht nga droga e kultivuesit. Kjo fazë u tejkalua me çlirimin e Lazaratit, para dy vjetësh. Pas kësaj, matëse mbetet nëse kultivimi e prodhimi është në rritje a në ulje dhe se sa është implikimi i strukturave policore, të drejtësisë a politikës në këto aktivitete. Vetë kthimi i luftës ndaj drogës si kauzë e opozitës është tepër e pabesueshme e hipokrite në kushtet tona. Opozita s’mund t’i shpallë luftë këtij fenomeni pa pranuar implikimet e veta, pa larguar të implikuarit e saj. Si mund të shpallësh aleancë antidroge me Lazaratin në krahë? Në tetë vjet qeverisje PD që merrte 95% të votave në Lazarat si nuk u denoncua ndonjë pushtetar a kultivues e tregtues i madh? Ç’u bënë ata? Kur u ndërmor aksioni në Lazarat Berisha bërtiste se kapot janë në Tiranë, pra i dinte, i njihte e s’i kishte prekur. Këtë e them për të shprehur shqetësimin që ndryshe nga kudo ku opozita ka rol denoncues e kontrollues ndaj problemeve qeverisëse, kjo e jona nuk e ka këtë kredibilitet. Në këto kushte vlerësimi i situatës reale në luftën ndaj drogës mbetet ta bëjmë mbi bazën e raporteve zyrtare të partnerëve kryesorë.

Zoti Gjinushi, maxhoranca është angazhuar për realizimin e reformës në drejtësi. A mundet të arrihet kjo?

Padyshim është reforma më e rëndësishme e më e vështirë. Ashtu siç pritej, politika është ndarë në ata që e duan realisht dhe ata që ndihen të kërcënuar dhe e mbështesin me fjalë nga halli. Kjo u duk gjatë gjithë rrugës së hartimit. Kuadri ligjor i një reforme në drejtësi është barrë për ekspertët e specialistët e më pak për politikën që ka vetëm dhënien e pëlqimit politik. Ekspertët në kohë të arsyeshme hartuan mbi 6 variante, sipas vërejtjeve të politikës, ndërsa politika, një pjesë e saj, harxhonte muaj të tërë për të thënë: “Jo”. Nxjerrja e disa alibive në momentet e fundit si moszbatimi i “Rekomandimit 88” a shkelja e sovranitetit “të të korruptuarve” tregoi qartë dëshirën për bllokim a zhvlerësim të reformës. Edhe pas votimit me konsensus të ndryshimeve kushtetuese mosvotimi i ligjit të vetingut në zbatim të tyre e zhvlerëson totalisht konsensusin e dhënë. Kësaj i thonë të jap armën, por s’të jap fishekët. Por, gjithë kjo tregon se reforma premton të japë efekte pozitive në konsolidimin e drejtësisë dhe pastrimin e politikës. Fakti që shumëkush ndihet i kërcënuar, që shumëkush i trembet zbatimit të saj, do të thotë se ka vend për shpresë.

A mendoni se do të veprojë vetingu?

Patjetër që po. Kundërshtimi i tij prej PD-së nuk e pengon dot zbatimin e tij. Kjo vetëm evidenton ata që duhet të pastrojë vetingu. Implikimi i Gjykatës Kushtetuese është një përpjekje dëshpëruese e PD. Dihet që vetingu është një masë emergjence që merret në kushtet kur pranohet e vlerësohet se sistemi ka nevojë për reforma radikale. Si i tillë, vetingu cenon Kushtetutën po të mos justifikohet se rrethanat në të cilat ndërmerret e imponojnë atë. Prandaj politikës iu kërkua konsensusi për të, prandaj ky operacion u përfshi në Kushtetutë, prandaj Komisioni i Venecias pyetjes kryesore që i dha përgjigje ishte nëse legjitimohej futja e vetingut si pjesë e reformës. Pas kësaj kushtetutshmëria e vetingut s’vihet më në diskutim. Vetë ky proces i përfshirë tashmë në Kushtetutë, si një KLD e përkohshme vepron në bazë të ligjit specifik e jo sipas rregullave të parashikuara nga institucionet e përhershme. Kujtojmë se po ky Kuvend legjitimoi futjen e ligjit të dekriminalizimit që bie ndesh me parimet thelbësore të shtetit të së drejtës, sepse u vlerësua se vetëm kështu do të dekriminalizohej politika. Për sa kohë ai ligj është kushtetues ligji i vetingut është absolutisht i tillë.

A ka vend për skepticizëm në këtë pikë?

Një herë do të ketë një vetëpastrim. Ka një nen, një pikë që thotë se po ike vetë, nuk të ngacmon njeri. Kjo është shumë e drejtë, sepse vetingu ka deri rolin të kontrollojë për besueshmërinë. Nuk është hetim prokurorie. Pra, kontrollon pasurinë, dhe ky kontroll është për të thënë që ti e meriton apo jo këtë pozicion. Siç bënë gjoja ligjin e dekriminalizimin për të kontrolluar a meritojnë të jenë në politikë apo të futen në politikë apo në administratë, kontrollohen gjyqtarët apo prokurorët, nëse e meritojnë të vazhdojnë të konsumojnë mandatin që kanë. Dhe kur tjetri vetvlerëson se nuk i plotëson të gjitha këto, tërhiqet. Dalim te thembra e Akilit që është një e vërtetë tjetër që nuk kam dashur ta them. Është rënë dakord që të ketë veting, sepse në një shtet normal vetingu nuk futet, ose kur drejtësia është në kushte normale. Atëherë është thënë që do ketë veting, një dhe do e bëjnë ndërkombëtarët, dy. Ishin përralla ato që thonë konsensus në fund. Në fund janë pazare. Pasi në çdo projekt të madh, kushdo grup mendon që në fillim ku do i hedhin paratë dhe jo në fund. Dhe këtu për vetingun është marrë fjala që në fillim. Dhe e dyta, është krejt normale që, duke ditur se sistemi për shkak të presionit politik, social, ekonomik, e me radhë është në faliment, se s’ka besueshmëri, s’mund t’i thuash vetpastrohu. Madje reforma në drejtësi që në fillim ka pasur një konflikt shumë të madh interesi, se protagonist kryesorë të reformës janë ata që janë të dyshuarit kryesorë, për përgjegjësi politike, për morale dhe për implikim politik.

Ajo çfarë presim më shumë të ndryshojë janë dy gjëra:

1. Që edhe të mëdhenjtë të jenë të barabartë para ligjit, pra, këta që bëjnë reformën.

2. Çdo qytetar të jetë i barabartë para kundërshtarit dhe fiton ai që ka të drejtë.

Pra, këtu ka një konflikt. Dhe për këtë arsye këtyre u është kërkuar fjala dhe këta nuk mund të bëjnë pastrimin. Këta mund të bëjnë ligjin, por jo pastrimin. Hapja e temës në fund, a duhet të kenë rol aktiv ndërkombëtarët kjo ishte qartazi politikën në ata që e ndjenin veten të rrezikuar, dhe që nuk e duan realisht këtë pastrim dhe tek ata që thonë se Shqipërisë i duhet patjetër, pavarësisht se mund të na bjerë edhe në kokë. Ky ka qenë debati real, roli i ndërkombëtarëve. Ambasadori Lu i ka thënë së fundmi PD-së që ju na keni thënë në fillim që jeni dakord me vetingun dhe keni thënë që këtë mund ta bëni vetëm ju. Atëherë, çfarë ndodhi në fund? Sepse të gjithë thanë fituam. Edhe PD tha që dëboi ndërkombëtarët, edhe PS tha që ruajtëm thelbin e reformës dhe ndërkombëtarët u dukën se reforma mund të ketë efekt. Ndodhi ajo që roli i ndërkombëtarëve është lënë në dorën e një komisioni me 5 anëtarë. Që të rrëzosh rekomandimin e ndërkombëtarëve duhen 4 vota, që do të thotë duhen patjetër 2 votat e PS-së. Dhe është pikërisht kjo që Luli nuk ia dha sovranitetin të korruptuarve që ndërkombëtarët të bëjnë pastrimin. PS-ja u ka dhënë garanci ndërkombëtarëve që pastrimi do bëhet sipas vullnetit tuaj. Kështu që në këtë situatë ne mbetemi ende optimist meqë ndërkombëtarët kanë rol aktiv, por që roli i tyre është i dyfishtë nëpërmjet hetimit. Pra, jemi optimist që të paktën peshqit e mëdhenj të të quajnë shpëtim largimin.

A ju duket normale që në një vend normal siç e cilësojmë të kërcënohet Kryeprokurori?

Këtë pyetje unë e kam bërë shpesh edhe me të huajt. Në çdo vend, struktura kriminale kudo, kërcënon këdo. Të tërë prokurorët në Itali jo vetëm janë kërcënuar, … në Amerikë e kudo. E keqja është që këtu janë kërcënuar nga politikanë politikisht. Në 21 janar i vrau dhe kërcënonte Kryeprokuroren dhe pastaj thuhej të bëhet hetim i paanshëm. Si hetim i paanshëm me prokurorë të kërcënuar nga Kryeministri?! Me President të kërcënuar dhe të denigruar nga Kryeministri? Këto nuk duheshin lejuar. Kur ka ardhur prokurori kroat në Shqipëri, që e quajnë nga më të suksesshmit, tha kur në vendin tonë ka një akuzë publike nga një politikan, unë e thërras dhe ai ose i qëndron akuzës, denoncimit, ose e marr për shpifje. Kjo funksionon. Kështu që Prokurori i Përgjithshëm, dhe jo vetëm ky, ka heshtur, nuk ka vepruar kur është kërcënuar kryetari i opozitës në mes të Parlamentit, nuk veproi kur Sali tha merrni armët kundër qeverisë. E pastaj filluan të talleshin, jo me ligj, jo pa ligj. Nuk bëhet thirrje me ligj, nuk ka nevojë të bësh thirrje, bën propozime. Pra të tëra këto janë lejuar në Shqipëri. Këtu ke denoncime, pendesa, akuza për vrasje politike dhe ndaj jemi këtu ku jemi.

Si ju duk miratimi i ligjit të fundit për mbetjet, i cili shkaktoi mjaft debate?

Tani ka dallim mes plehrave dhe mbeturinave teknologjike. Diskutimi në Shqipëri ka qenë, a kemi ne kontroll, sepse një nga bizneset më të rrezikshme që bëhet, qoftë për mbetje me ngarkesa radioaktive, qoftë për mbetje me ngarkesa të tjera, por këto janë që t’i japin për asgjësim, t’i bësh rifuxho. Kjo absolutisht nuk duhet bërë. Dhe ky ka qenë debati kryesor. Pa hyrë pastaj që këto janë ndonjëherë edhe për përpunim plehrash, por u shërbejnë shumë për pastrim parash. Në Itali ka pasur shumë histori të tilla, kjo ishte frika ose reagimi që Shqipëria a duhet ta pranonte këtë dhe, a është në gjendje ta bëjë këtë dallim midis mbetjeve teknologjike dhe plehrave. Rama jep garanci që nuk lejojmë të këtij lloji. Mirëpo do thuash se prap do ketë kontrabandë dhe nuk e dimë çfarë do futen. Po nëse ekziston kontrabanda, fut edhe me ligj, edhe pa ligj. Kështu që kjo është e debatueshme. Në periudhën e qeverisë Berisha neishim të bindur, se ai nuk bënte gjë pa hile dhe kur u bë ligji për çmontimin e armëve që u dërgua me urgjencë në Kuvend. Pra, shpesh pas këtyre fshihen interesa. Nëse këto janë të kontrollueshme e bëjnë vetëm firma të caktuara për nevojat e veta. Nuk ka apriori. Është normale. Por, a ka rrezik, këtu varet sa ke bërë shtet dhe sa zbatohen ligjet. Kjo funksionon, përndryshe….

Leave a Reply

%d bloggers like this: