Politika

Leje e ndërtimit, PD ankimim në Kushtetuese, Bylykbashi: Vendimi rrafshon autonominë vendore

OPOZITA

NGA BLEDAR HOTI

BylykbashiShtatori pritet të jetë një stinë e nxehtë për politikën. Opozita do të zhvendosë betejat e saj nga Parlamenti drejt Gjykatës Kushtetuese. Partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike pritet t’i drejtohet Kushtetueses për një sërë nismash, ku më e fundit është kontestimi i vendimit të qeverisë, nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Territorit, për bllokimin e lejeve të ndërtimit nga bashkitë dhe komunat deri në vitin 2015. Sipas burimeve, mësohet se vendimi i qeverisë, i cili u argumentua nga Kryeministri Edi Rama si një sanksion i domosdoshëm për të ndaluar rrënimin e mëtejshëm të territorit, do të jetë konflikti i ri politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ekspertët ligjorë të PD-së, po përgatisin argumentet e tyre ligjore për t’ia paraqitur në ankimimin që do të depozitohet menjëherë sapo Gjykata Kushtetuese të nisë punë në shtator. Një gjë të tillë la të nënkuptojë dje deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi. Në një prononcim për mediat, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, demokrati Bylykbashi u shpreh se “Vendimin mund ta cilësoj me një fjalë: Është antikushtetues! Tashmë duket si një refren shumë i dëgjuar që aktet e Kryeministrit Rama janë antikushtetuese, por fatkeqësisht, ky është. Ky dhe shumë të tjerë. Është haptazi një akt i një organi administrativ, që nuk është epror mbi bashkitë dhe komunat”. Demokrati shton se vendimi i marrë nga qeveria nëpërmjet KKT-së është tërësisht politik dhe që ka si objekt bllokimin e bashkive të djathta, duke nënkuptuar atë që drejtohet nga kryedemokrati Lulzim Basha. “Sigurisht që ka një objektiv politik shumë të qartë. Kryeministri, i cili bërtiste me zë të lartë për cenim të autonomisë vendore më parë, sot është ai që po ia rrafshon, autonominë vendore, në këtë rast dhe shumë të tjera”. Ndërsa sa i përket konfliktit institucional mes qeverisë, mazhorancës qeverisëse nga njëra anë dhe Presidentit në anën tjetër për çështjen e kthimit të dekreteve, Bylykbashi shprehet se shprehja në një mënyrë të tillë është një veto e kreut të shtetit. “Vetoja e Presidentit është një kompetencë shumë e pastër kushtetuese, nënvizoi Bylykbashi, dhe nuk ka asnjë Kryeministër që t’ia vërë në diskutim, veton. Aq më tepër, kur një pjesë e madhe e ndryshimeve prekin sistemin e drejtësisë. Ai është kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e nuk mund të rrinte i heshtur”. Më tej thekson se PD-ja do të organizohet për të marrë masa ligjore e kushtetuese për të frenuar veprimet antikushtetuese të shumicës që kalon ligje të pakonsultuara dhe pa mendimin e pakicës dhe më pas, hidhet edhe në luftë ndaj kreut të shtetit.

Argumenti

Demokratët pritet ta bazojnë kërkesën e tyre në nenin 113 të Kushtetutës shqiptare. “Këshillat komunalë, bashkiakë të qarkut rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre. Ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike. Kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre. Kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin taksa vendore, si dhe nivelin e tyre, caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin. Të drejtat për vetëqeverisje të njësive të qeverisjes vendore mbrohen në Gjykatë”, sanksionohet në nenin 113 të ligjit themeltar të shtetit shqiptar. Pikërisht bazuar në këtë dispozitë kushtetuese, por edhe në vendimet e dhëna ndër vite nga Gjykata Kushtetuese mbi kompetencat e pushtetit lokal, si dhe te Karta Europiane e Autonomisë Vendore, PD-ja pritet ta ankimojë vendimin e fundit të KKT-së për bllokimin e lejeve të ndërtimit nga bashkitë dhe komunat në shkallë vendi. Vendimi i KKT-së u kontestua menjëherë nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi atë si antikushtetues dhe që bie ndesh me Kartën e Autonomisë Vendore. “Mbi këtë koncept idiotesk, Rama vendosi me Lamët dhe Shkrelët t’i japë goditjen e mëshirës sektorit më kryesor të ekonomisë së vendit. Ai, në shkelje flagrante të Kartës Europiane të Autonomise Lokale, Kushtetutës së vendit, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ligjit për Urbanistikën vendosi që, në një akt dënimi kolektiv, të bllokojë planet dhe lejet e ndërtimit, pra ndërtimin në mbarë vendin për së paku 15 muaj dhe të lejojë atë vetëm me autorizimin direkt, objekt për objekt, nga zyra e tij, pra të lejojë vetëm, duke prerë gjobën 20%. Ky vendim skizoid dëshmon dhe një herë se për Edvin Kristaq Ramën në këtë vend nuk ekziston Karta Europiane e Autonomisë Lokale, të cilën e ka firmosur Shqipëria, nuk ekziston Kushtetuta e vendit, që në nenin 108 dhe 113 të saj, në përputhje me Kartën Europiane të Autonomisë Lokale njeh dhe përcakton autoritetet vendore si përgjegjëse për administrimin dhe vetëqeverisjen e territorit të tyre”, shkruan Berisha nëFacebook.

Çështjet e tjera

Partia Demokratike mund të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese edhe hartën e re elektorale, apo dhe ligjet e tjera të kthyera për rishqyrtim në Kuvend nga ana e Presidentit Nishani. Ky hap mund të përcaktohet nga qëndrimi që mazhoranca do të mbajë në lidhje me dekretin e kreut të shtetit për rishikimin e ndarjes së re territoriale administrative, që përcakton 61 bashki në shkallë republike. Ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe ai i Policisë, i kthyer me dekret për rishqyrtim mund të jenë pjesë e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.

Bylykbashi

Sigurisht që ka një objektiv politik shumë të qartë. Kryeministri, i cili bërtiste me zë të lartë për cenim të autonomisë vendore më parë, sot është ai që po ia rrafshon atë

Neni 113 

1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut:

a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre;

b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike;

c) kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre;

ç) kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre;

d) caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin;

dh) krijojnë simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendorë të nderit;

e) ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj.

2. Organet e njësive të qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra.

3. Të drejtat për vetëqeverisje të njësive të qeverisjes vendore mbrohen në gjykatë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button