Home / Presidenciale / Nishani dhe Jahjaga, në forumin europian të Austrisë

Nishani dhe Jahjaga, në forumin europian të Austrisë

Takimi

Presidentja e Kosovës takon Ashton: Dialgou me Serbinë të vazhdojë

NGA ARTEMISA HOXHA

nishani-jahjagaPresidenti i vendit, Bujar Nishani, dhe ajo e Kosovës, Atifete Jahjaga, morën pjesë dje në seancën e hapjes së bisedimeve politike të Forumit Europian “Alpbach 2014”, në Austri. Presidentët dhe të ftuarit i përshëndeti Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Baronesha Catherine Ashton, Presidenti Federal i Austrisë, Heinz Fischer dhe Presidenti i Forumit “Alpbach”, dr. Franz Fischler. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme kreu i shtetit, do të marrë pjesë edhe në panelin e Forumit me temë “Nga pajtimi në integrim: Kontributi i rinisë për një të ardhme të përbashkët” ku do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalim. Gjatë qëndrimit në “Alpbach”, kryetari i shtetit shqiptar pritet të zhvillojë takime dhe bisedime dypalëshe me një sërë personalitetesh të larta politike dhe ekonomike.

Takimi me Ashton

Nga ana e saj, Presidentja e Republikës së Kosovës, u takua me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, me të cilën bisedoi për perspektivën europiane të Kosovës dhe rajonit, si dhe procesin e dialogut dhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidentja Jahjaga dhe Baronesha Ashton vlerësuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e BE-së, që do të ndihmojë të dyja vendet në procesin e përafrimit me BE-në dhe do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun, sepse e sheh si të vetmen mënyrë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut në Bruksel duhet të zbatohen në plotësi. Ajo tha se zbatimi i marrëveshjeve duhet të ndihmojë edhe në qarkullimin e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo tha se me krijimin e institucioneve të reja të vendit do të krijohen të gjitha kushtet për vazhdimin e dialogut. Presidentja Jahjaga tha se perspektiva europiane për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit duhet të jetë e hapur, sepse kjo do të ndihmojë edhe në përmbushjen e reformave të brendshme. Ajo tha se Kosova ka shënuar një hap përpara në rrugën europiane përmes inicializimit të MSA-së, por theksoi nevojën e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, që do t’u ndihmojë qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e BE-së sikur të gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit. Kryetarja e shtetit në Kosovë pritet të marrë pjesë sot në të njëjtin panel me homologun shqiptar, “Nga pajtimi drejt integrimit”. Fjalimi i saj dhe i homologëve të tjerë në Europë, do të përqendrohen në bashkëpunimin ndërmjet vendeve të këtij rajoni, si dhe paraqitjen e përbashkët të projekteve të infrastrukturës rajonale që pritet të mbështetet edhe nga BE-ja. Forumi Alpbach synon që të ndërtojë ura bashkëpunimi në Europë dhe të promovojë paqen.

Leave a Reply

%d bloggers like this: