Politika

Fushata për bashkinë Kolonje, kandidati i PS, Ilia Stefo takim me të rinjtë

Në fokus të fushatës elektorale të kirurgut Ilia Stefo, i cili kandidon për kryetar të Bashkisë Kolonjë, kanë qenë përsëri të rinjtë. Stefo, së bashku me Ministrin e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe Sekretaren për Rinisë në PS, Elisa Spiropali, ka takuar të rinj të Kolonjës, duke vënë theksin te fuqia që ata kanë për të ndryshuar vendin dhe zonën e tyre.

Sipas Stefos, të rinjtë janë ata që mund të japin një frymë tjetër për Kolonjën dhe gjithë Shqipërinë, pasi forca e tyre mund të prodhojë ndryshim. Me përkushtimin e tyre, të rinjtë do ta kthejnë Kolonjën në një vend më të mirë për të jetuar.

Ministri Klosi shprehu kënaqësinë e tij për vullnetin dhe dëshirën e të rinjve për të ndryshuar vendin e tyre. “Të gjithë ju dhe prezenca juaj këtu, na bën të ndihemi më përgjegjës për punën që ne bëjmë”, tha Klosi. Sipas tij, rilindja urbane ka prekur tashmë edhe Ersekën dhe ky projekt po e kthen Shqipërinë në një vend europian. “Bashkia e Ilia Stefos do të jetë një bashki sociale, që i shërben njerëzve në nevojë; e cila organizon më shumë jetën e rinisë dhe të moshës së tretë”, tha Klosi.

“Ju jeni një potencial i pamatshëm për Kolonjën, ndërsa Ilia Stefo është një njeri në shërbim të komunitetit, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. Sa e doni ju, askush nuk e do Kolonjën, sepse ju doni të ardhmen tuaj”, tha Spiropali. Sipas saj, ky potencial do të përdoret nga kryetari i ardhshëm i Kolonjës Ilia Stefo, i cili, sipas Spiropalit, është një nga kandidaturat më të gjetura të PS.

Me besim tek forca e rinisë dhe entuziazmi i tyre, Ilia Stefo tha se këto zgjedhje janë një mundësi për ta shndërruar Kolonjën në një qytet europian. “Ju duhet të votoni, që punët e nisura të përfundojnë dhe Erseka të bëhet më e bukur. Jeni ju, ata që do ta shndërroni Ersekën”, tha Stefo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button