Home / Politika / Kodi, rastet kur ndëshkohen deputetët

Kodi, rastet kur ndëshkohen deputetët

Dokumenti i OSBE-së depozitohet në Kuvend. Të publikohen shpenzimet në institucion

Kufizimet – Deputetit nuk i lejohet: të jetë drejtues ose anëtar i organizatave fitimprurëse; të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare.

Sekreti – Deputeti ruan konfidencialitetin e informacionit, që ka në zotërim. Pas mbarimit të mandatit, deputeti nuk duhet ta përdorë për interes personal informacionin konfidencial, të marrë gjatë kryerjes së detyrës.

Konflikti – Gjatë ushtrimit të mandatit, deputeti duhet të mos lejojë që interesat e tij private të bien ndesh me pozitën e tij publike, të shmangë konfliktin e interesit dhe të mos shfrytëzojë pozitën për interesin e tij privat.

Dhuratat – Në nenin 7 të Kodit të ri të Sjelljes vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe çështjes së dhuratave dhe përfitimeve të tjera të ngjashme që mund të kenë deputetët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre

NGA HERION MESI

parlamenti finalNë bashkëpunim me ODIHR-in, Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka depozituar në Parlament Kodin e Sjelljes së deputetëve, i cili është hartuar mbi bazën e një vlerësimi të standardeve etike të Kuvendit të Shqipërisë. Kodi i Etikës, i cili pritet të miratohet në Parlament, i ndalon deputetët të përdorin fjalë të pahijshme dhe të ushtrojnë dhunë në Kuvend, veprime që të zgjedhurit e popullit i kanë praktikuar jo rrallë dhe që është shkaku që opozita vendosi tri ditë më parë të vijojë bojkotin e saj që prej dhunës fizike të ushtruar ndaj demokratit Gent Strazimiri dy muaj më parë. “Deputeti nuk duhet: të shprehet me fjalë të pahijshme dhe ofenduese në Kuvend; të pengojë ose të cenojë rregullin e zhvillimit të punimeve të Kuvendit; të kërcënojë apo fyejë deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe personalitetet e tjera të larta shtetërore; të ndërmarrë veprime  apo sulme personale ndaj ndonjë deputeti tjetër; të bëjë thirrje për përdorim dhune në Kuvend”, thuhet në pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi. Gjithashtu, Kodi i ri i Sjelljes së deputetëve, i cili përmban 15 nene, ndër të tjera parashikon edhe detyrimin e deputetëve për dorëzimin e deklaratës së pasurisë jo vetëm te  ILDKPKI-ja si institucioni përgjegjës për deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë, por deputeti pasurinë e tij duhet ta deklarojë edhe pranë Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve, që në vlerësimin e ekspertëve të OSBE-së është struktura përgjegjëse në shërbim të deputetëve. “Deputetët dorëzojnë deklaratën e plotësuar të pasurisë dhe detyrimeve financiare pranë Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve, që është struktura përgjegjëse në shërbim të deputetëve për deklarimin e pasurisë dhe detyrimeve financiare”, thuhet në pikën 2 të nenit 5 të Kodit. Ndërsa në pikën 3 të këtij neni, OSBE-ja thekson se deputeti kërkon këshillim për plotësimin e deklaratës nga Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve. Në nenin 7 të Kodit të ri të Sjelljes vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe çështjes së dhuratave dhe përfitimeve të tjera të ngjashme që mund të kenë deputetët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. “Deputeti nuk mund të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat”, thuhet në pikën 1 të këtij neni. Ndërsa në pikën 2, theksohet se deputeti, të cilit i janë ofruar dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet: t’i refuzojë ato dhe, në rast se ofrimi është kryer pa dijeninë e tij ose paraprakisht, t’ia kthejë mbrapsht ofruesit ose, në pamundësi, t’i dorëzojë zyrtarisht pranë Shërbimit të Financës dhe Buxhetit, të cilat më pas përdoren për qëllime të veprimtarisë së institucionit. Por në rast se ofrimi ose dhënia e të mirave të sipërpërmendura lidhen me kryerjen e një vepre penale, deputeti duhet ta kallëzojë atë tek organet kompetente për ndjekje penale. Ndërsa dhuratat, që kanë vlera artistike, muzeore apo historike, duhet t’u dorëzohen institucioneve të specializuara. Gjithashtu, Kodi trajton edhe çështjen e ruajtjes së informacionit të klasifikuar edhe pas përfundimit të mandatit të tij si deputet; trajton kufizimet e deputetëve për të ushtruar veprimtari private gjatë ushtrimit të detyrës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: