Bota

Fake News/ Mike Flynn, gati të dëshmojë në këmbim të imunitetit

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Flynn, është shprehur i gatshëm të dëshmojë në seancat dëgjimore mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, por kërkon në këmbim imunitet nga ndjekja penale.

Klienti im i ka ca gjëra për të thënë, ishte deklarata e avokatit të ish-zyrtarit të lartë të administratës Trump, i shkarkuar në muajin shkurt.

Avokati Robert Kelner tha: “Gjenerali Flynn ka një histori për të treguar dhe dëshiron shumë ta tregojë, nëse rrethanat do t’ia lejojnë. Ai është një veteran i shumëdekoruar i ushtrisë amerikane. Por, pavarësisht një jetë të tërë të kaluar në shërbim të sigurisë kombëtare, mediat janë të mbushura me akuza të pabazuara, pretendime fyese për tradhti dhe aludime të mbrapshta kundër tij. Tani është shënjestra e kërkesës së anëtarëve të Kongresit dhe kritikëve politikë që kërkojnë të hetohet penalisht. Asnjë person i arsyeshëm, i cili ka përfitimin e këshillave të specializuara, nuk do t’i nënshtrohej marrjes në pyetje në një mjedis kaq të politilizuar e të prirur për gjueti shtrigash, pa marrë më parë garanci kundër përndjekjes së padrejtë”.

Seancën e parë dëgjimore mbi këtë çështje, Senati e çeli më herët me paralajmërimin e një pjesëtari të tij mbi “qerthullin e rrezikshëm propagandistik” të Kremlinit dhe pretendimet se Moska ka kërkuar “t’i vidhte zgjedhjet” në Amerikë.

Si komisionet e inteligjencës në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe FBI-ja janë duke hetuar lidhjet e Flynn-it me Rusinë.

Takimet e tij me një të dërguar rus në kohën e fushatës i kushtuan ish-gjeneralit edhe vendin e punës. Sipas anëtarit demokrat të Komisionit të Senatit, Mark Warner, Rusia mund të ketë përdorur teknologjinë për të përhapur sa më shumë dizinformim, përfshirë këtu lajmet e rreme me të cilat ka bombarduar votuesit në shtetet kyçe si Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button