Home / Arte / Libri / Arshin Xhezo dhe fati i brezit ‘70

Arshin Xhezo dhe fati i brezit ‘70

Bashkia e Beratit nderon gazetarin e njohur Arshin Xhezo në 70-vjetorin e lindjes. Botohet libri i lënë në dorëshkrim

Fan Noli dheraportet e tij me Shqipërinë komuniste dhe Enver Hoxhën
Gazetari i njohur i viteve ’80, Arshin Xhezo, nderohet në vendlindjen e tij. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij, Bashkia  dhe Këshilli Bashkiak mirëpritën dhe miratuan propozimin ardhur nga disa personalitete të gazetarisë, midis tyre Xhevahir Spahiu, Spiro Dede, Shaban Murati, Shaban Sinani etj, por edhe nga qytetarë beratas, duke i dhënë titullin “Nderi i Qytetit”. Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, dhe dhe Nikoleta Manka, kryetare e Këshillit Bashkiak, i dorëzuan titullin bashkëshortes së Arshin Xhezos, znj.

Lumturi Xhezo. Motivacioni për titullin është ky: Gazetarit dhe publicistit të talentuar që spikati në tri dekada, duke shkruar pa u lodhur dhe pa lustër për pasqyrimin e të vërtetave jetësore, redaktorit elitar që iu besuan vepra dhe krijime të autorëve më në zë shqiptarë, mësuesit pasionant që zgjoi dhe frymëzoi tek shumë nxënës magjinë e të shkruarit dhe krijimtarisë artistike”.

Gjithashtu, në këtë kuadër, ceremonia vijoi me promovimin e librit të Arshin Xhezos me titull “Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh”, lënë në dorëshkrim dhe botuar këto ditë nga shtëpia botuese “Naimi”. Arshin Xhezo ishte një autoritet në publicistikën shqiptare të viteve 1970-1980. Libri “Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh” mund të vlerësohet si një pikë referimi për të kuptuar rolin e medias, kulturës dhe shkrimtarëve në raport me diktaturën.

Në një farë mënyre, libri mund të konsiderohet si një histori prej së brendshmi e publicistikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në pasqyrë të saj edhe jeta profesionale e autorit. Për jetën dhe kontributin e Arshin Xhezos në publicistikën dhe kulturën shqiptare flasin Spiro Dede, Simon Vrusho, prof. dr. Shaban Sinani. Libri i Arshin Xhezos është i pangjashëm me shumë libra që kanë në qëllim ndriçimin e së shkuarës: i pagjashëm jo vetëm nga ai që priste lexuesi i zakonshëm si fabul, por edhe për shkak të thellësisë, larmisë dhe kompozimit të librit.

Në këtë libër nuk gjen pothuaj asgjë personale të autorit, por, megjithatë, në këtë libër autori identifikohet dhe dëshmohet më mirë dhe më saktë se sa në shumë libra autobiografikë, një pjesë e madhe e të cilëve shkruhen apo publikohen për të manipuluar e retushuar pikërisht të shkuarën.

Ky është libri më i rrallë i shkruar, ndoshta, nga një gazetar: ai nuk flet dhe nuk tregon për veten, megjithëse çdo fjali dhe paragraf i librit duket edhe si biografi e tij.

Libri nis me historinë e Fan Nolit, raportet e tij me Shqipërinë komuniste dhe E. Hoxhën, dhe përfundon me Xhevahir Spahiun. Pyetja se kush kanë qenë heronjtë dhe kush kanë qenë armiqtë është pyetja më e vështirë në Shqipërinë e sotme, shkruan Arshin Xhezo në libër.

Nëse respektojmë fillimisht bindjen e autorit, se heronj as ka pasur, as ka, mund të guxojmë të pohojmë se karaktere, njerëz të gjallë, disa “miq”, disa “armiq”, të tjerë edhe “miq” edhe “armiq” njëkohësisht, të gjithë personazhe të këtij libri, të paktë dhe kryesisht në të shkuarën, mund të gjejmë përmes fakteve, ngjarjeve e përjetimeve që lidhen me emra të tillë të njohur, si Fan Noli, Petro Marko, Justina Shkupi, Vexhi Buhara, Xhevahir Spahiu, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Todi Lubonja, Trifon Xhagjika, Kin Dushi, Edison Gjergo, Halil Qendro, Dhimitër Xhuvani e të tjerë.

Shumica e tyre ishin miq të ngushtë të kryeredaktorit të Zërit të popullit dhe, në të njëjtën kohë, edhe njerëz nën vëzhgim si kundërshtarë të mënyrës së sundimit.

Libri ka fate dhe histori të rënda të shtypit, letërsisë dhe kulturës shqiptare në totalitarizëm, histori të analizuara me mençuri, bukuri, dinamikë dhe mprehtësi, me fakte, dëshmi dhe dokumente autentike. Këtu gazetari ndihmon studiuesin dhe anasjelltas, duke bërë refleksione dhe analiza befasuese.

“Ky libër, -thotë botuesi Naim Zoto, -më shumë se sa për censurën nga lart -këndvështrim i kudotrajtuar, flet për disiplinën ideologjike vullnetare, për totalitarizmin nga poshtë, për autocensurën – për të cilën pakkush rrëfehet apo flet publikisht. Ai flet me fakte e dëshmi për manipulimin e medias dje, në shoqërinë e kontrolluar apo të vetëkontrolluar, por edhe sot në-n demokraci, pra, në kushtet e lirisë.

Dhe këtë e thotë jo si një denoncim prej disidenti të një kohe tjetër, por me shumë dhimbje, përmes dramës së njerëzve të shtypit, ku autori e identifikon edhe veten deri në fund”.

Skeda e librit:

Titulli: Fate shkrimtarësh dhe gazetarësh

Autori: Arshin Xhezo

Përgatiti për botim: Naim Zoto

Redaktor: Shaban Sinani

Botues: Naimi -Shtëpi botuese dhe studio letrare

www.botimenaimi.com

ISBN: 978-9928-234-03-2

Copyright: Autori

Numri i faqeve: 330

Çmimi: 1000 lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.