Home / Bota / Amerika / Hillary nuk gjen paqe: Humba për shkak të Comey dhe Rusisë

Hillary nuk gjen paqe: Humba për shkak të Comey dhe Rusisë

Zgjedhjet që nuk do të mbaronin, në fakt nuk kanë mbaruar. Amerika ka dy ish-kandidatë, fituesin Donald Trump dhe humbësen Hillary Clinton, që thjesht nuk mund të tërhiqet.

Në një intervistë të dhënë të martën, Clinton, ish-kandidatja demokrate, risolli emocionet dhe hidhërimin e saj pas mposhtjes nga Trump, duke veçuar Rusinë dhe shefin e FBI-së, James Comey, si shkaktarët kryesorë të humbjes së saj.

Trump, nga ana e tij, rrallë herë lë që të kalojnë më shumë se 3 ose 4 ditë pa u mburrur për fitoren e tij. Madje ai, siç nuk ndodh zakonisht me një fitues, vë në pikëpyetje rezultatin, duke pretenduar pa prova se miliona votues të paligjshëm i kishin dhënë Clintonit një triumf në votën popullore.

Perspektiva e rikthimit të diskutimeve për zgjedhjet më të hidhura në historinë e kohëve të fundit mund të tmerrojë shumë amerikanë, që u shtrënguan të jetonin mes tyre për rreth dy vite. Por, falë zemërimit publik të Clintonit për humbjen, si dhe mungesës së vullnetit të Donald Trump që të ndahet nga kjo temë, një shkëmbim i stërzgjatur retorikash është i pashmangshëm, veçanërisht tani që Clinton pritet të publikojë edhe një libër për humbjen.

Presidenti Trump është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj sugjerimeve se, fitorja e tij nuk ishte e vërtetë. Clinton, ndërkohë, u ka dhënë mbështetësve të saj, shumë prej të cilëve besojnë se ajo është mashtruar, më shumë arsye për ta parë Trumpin si president jolegjitim.

Trump nuk ka vonuar t’i përgjigjet pretendimeve të Clinton, nga “Twitter”.

“Drejtori i FBI-së, James Comey, ishte gjëja më e mirë që i ka ndodhur Hillary Clintonit, pasi i dha asaj rrugë të lirë për shumë gjëra. Ndërsa historia ruse ishte një justifikim i përdorur nga demokratët për humbjen në zgjedhje. Mbase çështja është më e thjeshtë. Ndoshta Trump bëri një fushatë madhështore…?”, shkruan ai.

Në intervistën e saj, Clinton tha se nëse zgjedhjet do të ishin mbajtur më 27 tetor, ajo do të ishte sot presidente. “Unë do të fitoja, nëse një kombinim i letrës së James Comey më 28 tetor dhe ‘Wikileaks’-it të Rusisë, nuk do të kishte trazuar mendjet e njerëzve, që ishin të prirur të votonin për mua, por që më pas u trembën”, tha ajo.

Leave a Reply

%d bloggers like this: