Home / Politika / Nishani mbledh trupën e Kolegjit Zgjedhor: Veproni sipas Kushtetutës

Nishani mbledh trupën e Kolegjit Zgjedhor: Veproni sipas Kushtetutës

Presidenti Bujar Nishani në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbështetur në nenin 147 të Kodit Zgjedhor thërriti sot në detyrë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor i cili do të ushtrojë funksionet gjatë procesit zgjedhor në vend.

Në këtë takim, Presidenti u ndal në rëndësinë që ka çdo proces zgjedhor. Ai vlerësoi, se sa e nevojshme dhe e domosdoshme, është ushtrimi i veprimtarisë së Kolegjit Zgjedhor për të trajtuar me korrektësi të gjitha konfliktet që do të paraqiten para tij nga subjektet e ndryshme, deri në përfundim të gjykimit të gjithë ankimeve lidhur me procesin zgjedhor.

“Trupa gjyqësore përbërëse e Kolegjit Zgjedhor me eksperiencën e saj të gjatë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, do të jetë në lartësinë e duhur për të garantuar përmbushjen me shumë sukses të detyrës dhe misionit për të cilin ky Kolegj do të funksionojë”, tha Nishani.

Presidenti njëherësh edhe kryetari i Këshillit te Lartë të Drejtësisë shprehu besimin dhe kërkoi nga Kolegji Zgjedhor, që të qëndrojë me bindje të plotë, vetëm Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës, në respekt të të drejtave dhe lirive të njeriut, çka do të sjellë drejtësi dhe paanësi në kryerjen e detyrës.

Deri më tani opozita ka deklaruar se do i bojkotojë zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa as dy takimet e zhvilluara në Presidencë mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, nuk e kanë zgjidhur ngërçin politik.

Leave a Reply

%d bloggers like this: