Home / Politika / Basha: Rama refuzon debatin, LSI ju mban peng për një vend pune

Basha: Rama refuzon debatin, LSI ju mban peng për një vend pune

Në një takim me simpatizantë në Pogradec, kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se kryeministri Rama ka frikë të dalë në një debat të hapur televiziv për shkak se nuk ka asgjë për të thënë.

Basha ka thënë se kreu i qeverisë nuk ka asnjë projekt për të ardhmen e shqiptarëve, prandaj dhe nuk ballafaqohet publikisht për të dhënë llogari për ato që ka bërë dhe duhet të bëjë.

“Ka frikë të dalë në debat? Nuk do ta sulmoj fizikisht. A duhet të bëjë Rama bilancin në debat apo jo, por bilanc nuk ka, projekt nuk ka, kjo është frika e Ramës, – u shpeh Basha. – Shëndetësi falas nuk ka. Rroga nuk ka. Kjo është arsyeja pse nuk do debat me mua dhe kërkon ta kthejë fushatën në një shfaqje për t’u marrë me gjithçka: me veshjet, tutat, opozitën, dhe asnjë fjalë për ekonominë, shëndetësinë, punësimin. Ky është vazhdim i republikës së vjetër”.

Basha sulmoi po ashtu edhe LSI-në, duke thënë se i ka gënjyer qytetarët, duke u premtuar një vend punë, por sipas tij, koha e klientelizimit politik ka marrë fund.

“Tani edhe një fjalë të fundit, se kemi dhe ca aktorë të tjerë në fushë. Kemi një parti tjetër politike që ka dy javë që thotë “timoni, timoni, kush do ta marrë pushtetin”: e kam fjalën për politikën e tortës së pushtetit, e kam fjalën për LSI.

Këtu në Pogradec ka dhjetra e qindra qytetarë që LSI i përdori si klientë duke i marrë peng, duke i detyruar të marrin karta anëtarësimi për një vend pune. Vëllezër e motra! Koha e klientelizmit politik ka marrë fund! Asnjë votë për ata që ju kanë marrë peng. Kthehuni në shtëpinë tuaj! Votat për LSI janë vota në gjol! Kthehuni në shtëpinë tuaj. Nuk do të ketë më pazar, nuk do të ketë më allishverishe! Ndëshkoheni Ramën me votë”, – deklaroi kryetari i opozitës në Pogradec.

Leave a Reply

Your email address will not be published.