Home / Arte / MK: Kisha e Shën Thanasit u shemb nga tërmeti në Janinë

MK: Kisha e Shën Thanasit u shemb nga tërmeti në Janinë

Ministria e Kulturës ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara mbi shëmbjen e Kishës së Shën Thanasit, duke thënë se ajo ishte futur në listën e objekteve në rrezik, dhe se shembja erdhi nga një tërmet I fuqishëm që ra në shkurt me epiqëndër Janinën.

”Instituti i Monumenteve të Kulturës në zhvillimin e aktiviteteve të tij funksionale, në vitin 2014 ka realizuar evidentimin e gjendjes në terren dhe inventarizimin e rreth 2134 objekteve monument kulture, përfshirë 235 objektet e kultit.

Në këtë vlerësim të situatës u përcaktua lista e objekteve me risk të lartë dëmtimi strukturor, ku bën pjesë kisha e Shën Thanasit në Leshnicë së bashku me Kishën e Mesopotamit në Delvinë, Kishën e Labovës së Kryqit, Kishën e Shën Thanasit në Karavasta, Kishën e Ristozit në Mborje, kishat e Voskopojës, etj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës. Sipas saj, “pozicionimi në këtë listë të objekteve në rrezik mundëson prioritarizimin e realizimit të ndërhyrjeve si dhe përcaktimin e nevojave për investime.

Gjatë këtyre viteve, krahas proceseve të mirëmbajtjes sistematike, konsolidimit të strukturave, Ministria e Kulturës dhe qeveria, sipas prioriteteve, siguroi fondet për investimet përkatëse dhe realizimin e punimeve në Kishën e Labovës së Kryqit, Kishën e Shën Thanasit në Karavasta, Kishën e Ristozit në Mborje, kishat e Voskopojës, etj”.

Në kishën e Shën Thanasit në Leshnicë janë kryer inspektime dhe ndërhyrje përforcuese nga DRKK Vlorë, ndërsa gjatë dekadave kjo kishë ka pësuar degradime të rënda në të gjithë elementët strukturorë përbërës të saj dhe nuk është kryer asnjë ndërhyrje deri në vitin 2014. Sipas Ministrisë së Kulturës, gjatë inspektimeve të kryera në 2014 -2016 u konstatua se pavarësisht ndërhyrjeve me qëllim stabilizimin e strukturës të kryera efektivisht nga DRKK Vlorë në këtë kishë, domosdoshmëria për investime të konsiderueshme mbeti prioritare.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka realizuar disa punime mirëmbajtjeje dhe konsoliduese në struktura dhe pikturë murale gjatë viteve 2014-2016. Konkretisht janë kryer ndërhyrje si: pajantimi i mureve më të rrezikuara, prerja e pemëve të rritura që kishin mbirë mbi kupolën e objektit dhe injektimi i rrënjëve në strukturën e objektit, sigurimi i objektit në vijim të heqjes së bimësisë dhe sigurimi i pikturave murale.

Në këto kushte IMK dhe DRKK Vlorë hartuan projektin e emergjencës në shkurt 2017 me vlerën 1 milion lekë të reja dhe janë në proces ngritje fondesh për financimin e tij. ”Projekti i restaurimit tërësor të objektit është në proces që prej 2016 dhe po realizohet me profesionalizëm të lartë në mënyrë që të rindërtohet pjesa e dëmtuar e kishës dhe të rekuperohen vlerat e rralla të saj.

Pavarësisht masave përforcuese të marra, fatkeqësisht, gjatë tërmetit të fuqishëm të shkurtit 2017 me epiqendër ne Janinë, ra një pjesë e çatisë dhe mureve të kishës. Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë së bashku me Sektorin e Sarandës kanë sistemuar të gjithë elementët e materialeve të objektit në mënyrë që të ripërdoren gjatë realizimit të projektit të restaurimit të objektit”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

%d bloggers like this: