Home / Opinion / Me cilët do e bëjë qeverinë Edi Rama

Me cilët do e bëjë qeverinë Edi Rama

Nga Bedri Islami

Shumë nga ata që më 25 qershor do të votojnë për PS dhe alternativën e saj politike si forcë qeverisëse, kanë edhe pyetjen: çfarë do të ndodhë nëse ajo dhe Rama, si njeriu kërkues i saj, nuk do të arrijnë të kenë numrin magjik të 71 deputetëve?

Është shumë e mundur që në marrëveshjen enigmë të natëditës 17 e 18 majit të ketë një vazhdim koalicioni qeverisës mes PS dhe PD, por, mes 25 qershorit dhe përcaktimit të qeverisjes së re është dita e 22 korrikut, në të cilën Basha, njeriu i bashkëmarrëveshjes, të mos jetë më shefi i PD-së dhe gjërat të rrjedhin krejt ndryshe.

Berisha, njeriu që vlon, sidomos kur ka para vetes fushata të tilla të mëdha populiste, ka heshtur që pas takimit, po ashtu enigmë të 18 janarit me Ilir Metën, por ky i fundit nuk ka heshtur. Ai, me zë dhe me figurë, ka thënë haptas se forca e tij politike, LSI nuk do të  bëjë koalicion me këta të republikës së re, pra me Bashën e njerëzit e tij, por me deputetët e PD-së, duke e përjashtuar shefin e tanishëm politik nga bashkëqeverisja.

Pra, çfarë do të ndodhë?

Elita politike e Rilindjes a ka menduar se edhe në këtë shteg të bllokuar, ata duhet të kenë një rrugëdalje, që të mund të qeverisin edhe më tej, pikërisht tepsinë pushtetore, por, kësaj here, gjithnjë sipas idesë qeverisëse, të mos ketë ndarje kafshatash, por ide e vizione të përbashkta, që do të sjellin edhe programe të përbashkta.

Nga ajo që po ndodh deri tani duket se gjërat janë mbështetur vetëm në një shtambë: në qeverisjen me një shumicë të saj parlamentare, pa patur nevojë për “bucelat” e askujt tjetër.

Nëse ndodh kështu, kjo do të ishte miopi politike. Rama e di fare mirë tani se, veç aleatit të tij të deridjeshëm, tashmë hasmë për njëri-tjetrin, kokën e tij politike e kërkojnë edhe shumë e shumë të tjerë, nga të cilët Berisha, megjithëse duket më i mllefosuri, nuk është më i rrezikshmi. Po ashtu, nëse ndodh që socialistët, thjeshtë nga një parashikim i gabuar politik dhe lojë me sy mbyllur politike kalojnë në opozitë, duke i kthyer ngjarjet edhe një herë në fillimet e vitit 2009, vetë ai, Rama, duhet të mendojë për zëvendësuesin e tij.

Por, të mos shkojmë deri këtu. Të ndalemi më afër:

Cilët mund të jenë aleatët më të natyrshëm për një qeverisje të nesërme socialiste?

Sondazhet e deritashme, por edhe vetë përvoja politike e gati tri dekadave, kanë përcaktuar një të dhënë të bindshme: socialistët, si forcë politike, mbeten gjithnjë në fushën e lojës, ama në vendin e parë. Mbetet forca më e madhe politike dhe me ndikim të ndjeshëm. Megjithë dëshirat e LSI-së dhe të PD-së, asnjëra prej tyre, në këtë hark kohor, nuk mund të marrë përmasat e një force politike që ka njohur zbehje vetëm në vitin 1992, kur vetë asaj i merreshin këmbët.

Në Shqipëri, prej disa kohësh, është zhdukur kufiri që ndan të majtën e të djathtën. Në fushatat elektorale dhe programet qeverisëse të gjitha janë të majta, populiste. Bindjet ideologjike tani nuk luajnë më rolin e tyre të zakonshëm, ngastrat politike shtrihen sa tek njëra, tek tjetra.

PS, në mesin e të majtëve, ka një aleat të qëndrueshëm, PSD e Gjinushit, që , deri më tani, megjithëse një forcë e rrudhur, është ende e aftë të gjenerojë ide dhe kjo është e rëndësishme. Nuk dihet vetëm nëse ëndrra e Gjinushit për tre deputetë do të jetë edhe realitet. E vështirë, sidomos tani kur secili është “ o Mete, për vete”, por rastësitë mund të ndodhin jo nga forca politike, por nga emri që i përfaqëson ato, Tom Doshi për shembull.

Në qendrën e të djathtës së politikës shqiptare janë vendosur prej kohe dy forca : FRD e drejtuar nga Bamir Topi dhe PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

FRD është forca e djathtë politike më e moderuar që kemi aktualisht, por pa fuqinë e ëndërruar. Ajo po mbetet ende “frymë” dhe nuk po kthehet në “lëvizje”.  Si duket , nuk qenka i mjaftueshme vetëm vizioni dhe emancipimi që mund të kesh. Gjërat dalin përtej tyre dhe ajo që mungon tek FRD mund të përkufizohet tek ajo që mund të quhet, “Të jesh i pranishëm”. FRD është fare pak e pranishme. Megjithë drejtuesit e saj karizmatikë dhe ndonëse dikur pushtetarë, kanë ruajtur emrin e njerëzve të denjë e të aftë për të qenë në qeverisje, kjo nuk është e mjaftueshme.

A do të jetë FRD në parlamentin e ri?

Në të vërtetë, me dy drejtuesit kryesorë të saj, Topi dhe Oketa, nuk kam folur asnjëherë, nuk kam patur asnjë lidhje, e megjithatë, futen tek njerëzit e politikës ku besoj.

Në Vlorë ata kanë vënë në krye të listës një emër të njohur, sidomos nga fisi i tij, Agim Gjylbegun. Pinjoll i njërit nga fiset më të njohura në vend. Nip i Ismail bej Gjylbegut, të ekzekutuar nga Zogu,megjithëse ishte komandanti i Ushtrisë në Gjirokastër, kjo pjesë e fisit Gjylbegaj, u vendos në Vlorë, ku ishin njerëzit e Nënëmadhes së tyre. Ismail Gjylbegut,menjëherë pas vendimit për ekzekutim, Zogu mendoi t’i falte jetën, me kushtin e vetëm që të dënonte shokët e tij të rebelimit, vllezërit Toto, dhe kur nuk pranoi, urdhëroi vdekjen e tij. Më shumë se me të, Zogu kërkoi të thyente vëllain e tij, ushtarakun e lartë, Hamid Gjylbegaj, me të cilin kishin qenë bashkëdrejtues të Luftës së Koplikut kundër serbëve dhe që ishte mik i Eqerem Vlorës. Hamid Gjylbegaj, veç të tjerave, mbetet njeriu i vetëm, i cili, në të gjithë vitet e regjimit komunist, nuk votoi asnjëherë, jetoi denjësisht në vetminë e tij dhe vdiq pa i shtrirë dorën pushtetit që i kishte vrarë të birin.

Vlora, përgjithsisht, ka një elektorat të djathtë të emancipuar, që asnjëherë nuk ka kaluar në marrëzira politike. I ekulibruar në përzgjedhjen e tij, tani ka rastin e veçantë që të delegojë një pjesë të votës së tij pikërisht mbi një forcë politike, e cila, më mirë se gjithë të tjerët, do i përfaqësonte denjësisht në parlamentin e zgjedhur, por edhe në qeverisje.

Ky ishte një shembull. Shembuj të tjerë do të mund të kishte në qarqe të tjera. Prania e FRD në parlament do të ishte risi e pranueshme denjësisht.

PDIU është po ashtu një forcë politike e qendrës, duke shkuar drejt nacionales. Kushdo që lufton për një çështje që lidhet me kombin, pavarësisht se si mund të paraqitet, ai shkon drejt nacionales.

Nuk e di se sa e vërtetë është kjo në rastin e PDIU, por një çështje e rëndësishme e mbyllur, si ajo çame, tashmë nuk është më tabu, jo vetëm për shtetarët tanë,por edhe jashtë tyre, në institucione të rëndësishme të politikës evropiane.

PDIU mund të jetë nesër një nga forcat e rëndësishme të parlamentit shqiptar, jo edhe aq nga numri, se sa nga rëndesa e krahut qeverisës. Në fakt, ata e kanë lënë një derë të hapur bashkëqeverisëse, por si ndodh gjithnjë me forcat e rëndesës, ata në çdo moment mund të shkojnë nga vlera është më e madhe.

Socialistët duhet ta mendojnë se jo gjithçka varet nga dëshira. Nganjëherë ajo këputet në mes atëherë kur e ke menduar se është një realitet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: