Home / Bota / Studimi: Trump ndryshoi perceptimin e SHBA në botë

Studimi: Trump ndryshoi perceptimin e SHBA në botë

Presidenca e miliarderit Donald Trump ka shkaktuar një impakt madhor tek mënyra se si bota i sheh Shtetet e Bashkuara.

Kështu sugjeron një studim i kryera nga Qendra Kërkimore Pew, që ka marrë në pyetje mbi 40 mijë persona në 37 vende të botës që nga fillimi i vitit.

Studimi ka arritur në përfundimin se presidenti amerikan dhe politikat e tij janë “në masë të gjerë jopopullore në mbarë globin”.

Studimi tregon gjithashtu se vetëm 2 nga 37 vende kanë një mendim më pozitiv për zotin Trump se sa për parardhësin e tij Barack Obama. Ato janë Izraeli dhe Rusia.

Por raporti tregon se shumë të intervistuar mendojnë se marrëdhëniet e vendit të tyre me Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë në vitet e ardhshme.

Konstatimet kryesore nga anketimi, i kryer në periudhën 16 shkurt-8 maj, përfshijnë faktin se njerëzit kanë më pak besim tek Trump krahasuar me Obamën.

Njerëzit, të intervistuar në fund të mandatit 8-vjeçar të Obamës dhe pas fillimit të mandatit të Trump, janë pyetur nëse kishin besim se presidenti do të bënte gjënë e duhur për problemet botërore.

Me marrjen e detyrës, Trump nuk humbi kohë t’u bënte të qartë vendeve aleate se priste që të rrisnin kontributet e tyre në NATO.

Presidenca e tij tronditi marrëdhëniet me aleatët e vjetër, mes të cilëve Gjermaninë e kancelares Angela Merkel, e cila pas takimit me Trump tha se, “Europa nuk mund të mbështetet më tek aleati i saj i vjetër”.

Në fakt është pikërisht mes vendeve aleate që besimi ka rënë ndjeshë. Ndërsa gjatë presidencës Obama gjermanët që kishin besim tek SHBA ishin 86 për qind, tani vetëm 11 për qind kanë besim tek presidenti Trump.

“Të pyetur në lidhje me të gjitha karakteristikat e tij, presidenti Trump shihet në masë të madhe si një njeri arrogant”, thotë raporti i Pew.

Në 26 nga 37 vendet e përfshira në anketë, më shumë se gjysma e të anketuarve e konsideron atë një njeri të rrezikshëm.

Trump shihet si një lider i fortë kryesisht në vendet e Amerikës Latine dhe ato afrikane, por janë të pakta ato vende që e konsiderojnë të kualifikuar për të qenë president.

Në vendet me shumicë myslimane, të cilëve Trump u ka ndaluar udhëtimin drejt SHBA, ai është shumë jopopullor. Në Jordani, banorët që nuk aprovojnë politikat e tij janë 96 për qind; në Liban 88 për qind; ndërsa në Senegal 82 për qind.

Studimi sugjeron më tej se edhe në “shtëpinë e tij” Trump nuk shihet me sy të mirë, pasi mbështetja ndaj figurës së tij ka mbetur në nivel të ulët që kur mori detyrën.

Vetëm 39 për qind e amerikanëve mendojnë se ai po bën një punë të mirë, me një rënie prej 7 për qind në radhët e votuesve me ngjyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.