Kosova

Gjykata Speciale gati të nisë punën brenda 7 ditësh

Gjykata Speciale për krime lufte (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special) do të jetë e gatshme për punë brenda shtatë ditësh, përfshirë edhe trajtimin e rasteve gjyqësore.

Fillimi i punës është mundësuar pas harmonizimit të Rregullores së Procedurës dhe Provave të kësaj gjykate me Kushtetutën e Kosovës. Tani, thuhet se varet nga Gjykata Speciale se kur do të iniciojë aktakuzat e para.

Kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, gjykatësja An Poëer-Forde, shqiptoi Aktvendimin e Gjykatës mbi Referimin e Rregullave të Rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave (‘Rregullat e Rishikuara’).

Gjykata vlerësoi njëzëri se Rregullat e Rishikuara janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në Aktvendimin e 28 qershorit, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese deklaroi se Referimi ishte i pranueshëm. Ajo kujtoi se sipas Ligjit, Dhomat e Specializuara duhet të gjykojnë dhe funksionojnë në përputhje me Kushtetutën dhe me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Pas shqyrtimit të Rregullave të Rishikuara të miratuara nga Plenarja, Gjykata konstatoi se ato ishin në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës.

Rregullat të cilat nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, pamundësuan deri më tani procedurat e posaçme hetimore ndaj personave, përfshirë edhe masat tjera, deri te paraburgimi.

Në prill të vitit 2017 ishte vlerësuar se nëntë nga 208 rregullat e dokumentit mbi të cilin funksionon kjo gjykatë nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, kështu që ndërkohë erdhi deri te plotësimi dhe harmonizimi i tyre.

Rregullorja e Procedurës dhe Provave u miratua në mars të vitit 2017 në seancën plenare të gjyqtarëve ndërkombëtarë të kësaj gjykate.

Sipas deklaratave të mëhershme të kryetares së Dhomave të Specializuara, gjykatëses, Ekaterina Trendafilova, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave do të hyjë në fuqi shtatë ditë pasi të jetë vendosur se është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Ky dokument parasheh mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe personave të tjerë në rrezik për shkak të dëshmisë apo bashkëpunim me Dhomat e Specializuara.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë do të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-UÇK-së që, siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button