Bota

Përvjetori i parë i tentativës për grusht shteti, çfarë ndodhi natën e 15 korrikut në Turqi

Sabri Unal është një prej atyre që mban në trup shenjat e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi.

Mbrëmjen e 15 korrikut të vitit të kaluar, ai iu bashkua atyre mijëra njerëzve që dolën nëpër rrugë për t’iu rezistuar ushtarëve që tentonin të merrnin kontrollin.

“Pashë tanket të afroheshin, – rrëfeu ai për BBC-në, – e u hodha në tokë për t’i detyruar të ndalonin”. I pari kaloi mbi të, i dyti i shkeli krahun. Pas 3 muajsh në spital dhe një zëvendësimi të lëkurës, gjymtyrën ia mbulojnë shenja të tmerrshme.

Por ai nuk e konsideron veten hero. “Mund të kisha bërë më shumë”, thotë Sabri.

Korrikun e vitit 2016, trupat rebele bombarduan ndërtesa qeveritare, përfshirë Parlamentin, dhe hapën zjarr mbi civilët.

Plot 260 vetë u vranë, por me të gdhirë dita, puçi ushtarak kishte dështuar.

Një vit më vonë, ajo ngjarje ende e bën vendin të dridhet.

Mbi 50 mijë vetë u arrestuan, e rreth 150 mijë të tjerë u pezulluan nga puna, nën akuzën e lidhjeve me atë që Erdogan etiketon si organizatorin e grushtit të shtetit: klerikun në mërgim, Fethullah Gulen, i cili mohon çdo përfshirje.

Është e vërtetë se ndjekësit e tij mbushin çdo cep të shoqërisë turke: biznesin, akademinë, shërbimin civil dhe median; por Ankaraja zyrtare është kritikuar ashpër nga ndërkombëtarët, që thonë se ajo përfitoi nga rasti për të shtypur çdo kundërshtar, jo vetëm komplotistët.

Vet presidenti Erdogan e pati cilësuar asokohe puçin si një “dhuratë nga Zoti”. Zëvendëskryeministri turk, Mehmet Simsek pretendon se është ngritur një komision, i cili do të verifikojë të gjithë rastet për të parë nëse janë bërë gabime.

Çështja është se, mes atyre që janë ndaluar në valën e parë pas grushtit të dështuar të shtetit ka edhe të zhdukur, si Mustafa Ozben, që jepte mësim në një universitet të lidhur me Gulenin.

Në Ankara, ndërkohë, mbahen rregullisht protesta në mbështetje të dy akademikëve, Nuriye Gulmen dhe Semih Ozakca, prej 4 muajsh në grevë urie, me kërkesën t’u rikthehet vendi i punës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button