Home / Opinion / Mbathja, Eduard!

Mbathja, Eduard!

Nga Xhevdet Shehu

Komedia mbaroi. Në partinë më të madhe të opozitës farsa mori formën e saj më të plotë pardje dhe dje dhe ti, Eduard (që e ndihmove ndoshta padashje) duke e kompletuar farsën, nuk të mbetet gjë tjetër veçse të ikësh. Ku? E di ti. Ose në Amerikën nga ku erdhe pas afro 20 vjetësh me shpresën se do ngjallje një parti të vdekur, ose të tërhiqesh në jetën tënde private dhe në profesionin tënd të hershëm. E them me dhimbje këtë “Ik!” në vend të mirëseardhjes që ngjall shpresë. Por shpresa ka vdekur në familjen tënde politike. Mos prit për prova të tjera.

Me keqardhje e them këtë për Eduard Selamin, kandidatin për kryetar të PD-së pas humbjes katastrofike që ajo pësoi më 25 qershor. Sapo Basha “ngriu” vetveten si kryetar dhe Eduardi shpalli kandidaturën, nuk ishin të paktë ata që e morën vesh menjëherë përfundimin. Basha do të fitonte medoemos. Sepse në PD nuk ka shumë enigma. Atje dihet se kush e bën ligjin, kush i bën listat e atyre që ngjiten dhe bien nga fiku dhe kush e ka degraduar këtë forcë politike në këtë farë feje.

Ti Eduard, ose ishe naiv, ose ishe një shpresëmadh dhe nuk të dolën parashikimet. Unë tani jam bindur se i kishe edhe të dyja: edhe naivitetin dhe një shpresë që nuk u ngjall dot. Më vjen keq që të përdorën si lolo të Bashës. Nëse e ke pranuar vetë këtë rol, aq më keq. Se nuk të dëgjova asnjëherë të flisje hapur për të keqen e madhe që e mundon atë parti që nga themelimi i saj. Ti fole me një gjuhë eufemike, as mish e as peshk. Demokratët që mblidhje nëpër salla nuk të kuptonin, ose bënin sikur nuk të kuptonin. Sepse ti atyre duhej t’u thoshje: mos paguani taksat, hiqini zvarrë kundërshtarët në pushtet, shpojuni gomat e makinave, goditini me grushta e ç’të mundni, madje hidhni edhe shtylla e elektrikut në erë! Sepse i tillë është krijuar ndër ta përfytyrimi për demokratët, si njerëz të dhunshëm, që sulmojnë shtetin dhe bëjnë hatanë nëpër sheshe kur bëhen bashkë. Ja përse nuk të kuptuan ose nuk deshën të kuptonin.

Po si, more Eduard, nuk e kthyet njëherë kokën pas e të bënit seriozisht qoftë dhe njëherë të vetme bilancin e partisë humbëse dhe që i ka sjellë aq shumë fatkeqësira këtij vendi e këtij populli?

E kisha këtë bindje që do të humbisje Eduard, që në momentin që hyre në garë, duke e konsideruar një mision të pamundur tëndin. Sepse unë, si shumica e shqiptarëve dhe demokratëve në partinë tënde e dimë se kush është e keqja e grupit tuaj. Ai e ka emrin Sali Berisha dhe jo Lulzim Basha siç ke thënë ti. Po shkakun e vërtetë të humbjes më 25 qershor si dhe të degjenerimit të asaj partie, nuk e tha kurrë as Basha i ngrirë, as ti që u shfaqe si gjoja kundërshtar i tij, por as dhe të ashtuquajturit e grupimit anti-Bashë, që flisnin kundër Bashës, por nuk të donin as ty. Ata anti-Bashët donin vetveten dhe kishin mllefin e fshirjes nga lista e kandidatëve për deputetë. Madje njëri nga këta anti-Bashët, Besnik Mustafaj, bënte thirrje nga mbledhja në mbledhje që të kthehej Berisha e të vinte rregull në partinë që e kishte marrë lumi. Mustafai dukej sikur lutej: “Eja, o Babush, se pa ty nuk bëjmë dot! Ti edhe na ‘vret’, edhe na rreh e nuk na lë të qajmë! Eja, o Shpëtimtari ynë!”

Por, Babushi bëri sehir deri ditën e fundit, pra më 22 korrik kur, më në fund, pasi hodhi votën për çetën e tij, e pranoi me gojën e tij se humbja e fundit ishte më e rënda dhe më e thella në historinë e PD-së. A nuk e kini kuptuar ende se atij nuk i intereson fare ringritja e PD-së, as ardhja në pushtet, atij i intereson vetëm mbijetesa e asaj çete fanatike që përbën bërthamën e partisë tuaj dhe që në emër të Tij është gati ta bëjë sërish tym e flakë Shqipërinë? Ju të gjithë jini gogla dhe hiçër para tij. Ai është tallur e vazhdon të tallet me ju që ju përzë e ju fut në vathën e PD-së sipas qejfit të tij. Nëse nuk e kini kuptuar, fatkeqësia është e juaja. Por kjo është e vërteta…

Prandaj, sado harbute të të duket kjo shprehje, unë po ta them: Mbathja, Eduard! Ta them këtë si mik të vjetër, si përfaqësues i të painkriminuarve apo më pak të inkriminuarve në PD. Mos ki më iluzione! Shpëto ç’mund të shpëtosh! Dhe mbaj sehir se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve vendore në 2019-n, zgjedhjeve të përgjithshme në 2021-shin, në 2025-n…

Leave a Reply

%d bloggers like this: