Home / Bota / Amerika / Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, reagojnë senatorët

Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm, reagojnë senatorët

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions duket se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, megjithë zhgënjimin që ka shprehur këto ditë shefi i tij, Presidenti Donald Trump. Senatorë të të dyja partive kanë shprehur shqetësim lidhur me një largim të detyruar të zoti Sessions:

Presidenti po e vazhdon presionin ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, së fundi duke shtruar pyetjen në Twitter përse Prokurori i Përgjithshëm nuk e ka zëvendësuar ende nëndrejtorin në detyrë të CIA-s, bashkëshortja e të cilit pati marrë donacione fushate nga demokratët.

Presidenti fillimisht e sulmoi Prokurorin të Përgjithshëm, pasi Sessions u tërhoq nga mbikqyrja e hetimit ndaj Rusisë nga Departamenti i Drejtësisë. Në konferencën e shtypit dje në Shtëpinë e Bardhë, gazetarët vazhdimisht ngritën pyetjen përse Presidenti nuk kërkon dorëheqjen e zotit Sessions, ose thjesht ta shkarkojë atë?

“Mund të jesh i zhgënjyer me dikë, por përsëri do që ai ta vazhdojë punën.”– tha zëdhënësja.

Mënyra se si zoti Trump po e trajton Prokurorin e Përgjithshëm, i cili është zyrtari më i lartë i vendit për zbatimin e ligjit, është e vrazhdë dhe e panevojshme dhe “nuk jep një imazh të mirë për Presidentin”, tha Senatori demokrat Dick Durbin:

“Jeff Sessions rrezikoi për Presidentin, tani ky kërkon “t’i presë kokën”. Si mund të frymëzojë besnikëri për t’i shërbyer Presidentit një sjellje e tillë, për cilindo qoftë?”

Për këtë çështje po shprehin shqetësim edhe senatorë të tjerë republikanë.

“Shpresoj që Presidenti ka për ta rivlerësuar qëndrimin e tij dhe do ta kuptojë se zoti Sessions është njeri i mirë, që e bën mirë punën e tij dhe presidenti duhet ta mbajë atë në post,” tha senatori Orrin Hatch.

Një tjetër senator republikan paralajmëron për pasoja, nëse Sessions, i cili vetë ka qenë senator, do të detyrohet të largohet.

“Nëse, për cilëndo arsye, Sessions vendos të mos qëndrojë më në detyrë, nuk e di nëse Senati do të mund të konfirmojë në këto kushte një kandidat të ri për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky do të ishte një moment shumë përçarës,”– tha senatori i Luizianës John Kennedy.

Shtëpia e Bardhë po le të kuptohet se zoti Sessions mund të fitojë përsëri simpatinë e Presidentit, duke urdhëruar që Departamenti i Drejtësisë të zhvillojë hetime lidhur me rrjedhjen e informacionit, një çështje që e ka ngacmuar vazhdimisht zotin Trump.

Leave a Reply

%d bloggers like this: