Politika

Bojkoti i opozitës, ndikim te procesi i integrimit evropian

ministriaMë 29 shtator pritet të zhvillohet Tryeza e katërt e Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri – BE, qe do të jetë e para pas marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria në muajin qershor, kur u mbajt edhe tyreza e tretë.

Por, bojkoti i opozitës në Kuvend rrezikon që Shqipëria të shkojë në këtë tyrezë pa një Këshill kombëtar të Integrimit.

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ka sqaruar në një prononcim për mediat se, “Komisioni i Integrimit është mbledhur për të diskutuar çështjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe ka vendosur që do të pritet opozita për t’ju rikthyer Komisionit në mënyrë që të merret një vendim për Këshillin Kombëtar të Integrimit”.

“Është shumë e rëndësishme gjithpërfshirja. Unë e vlerësoj këtë vendim që Komisioni ka marrë dhe shpresoj që opozita të reflektojë dhe të paktën t’i rikthehet Komisionit Parlamentar të Integrimit, pasi ka bërë një premtim që do të jetë aty për të gjitha çështjet që lidhen me procesin e integrimit evropian”, ka thënë Gjosha.
Ndërkohë, ajo që opozita kundërshton nuk është projekti i Këshillit Kombëtar të Integrimit, por bashkëkryesimi, pasi sipas opozitës, është një hapësirë që i duhet lënë e gjitha asaj. “Unë e kam thënë vazhdimisht dhe këtu nuk bëhet fjalë për faktin se kush e kryeson Këshillin. Të gjithë ne jemi të interesuar për mënyrën si funksionon ky Këshill dhe që ai të monitorojë dhe të këshillojë në lidhje me reformat për procesin e integrimit”, është shprehur Gjosha.

Ministrja Gjosha gjithashtu ka theksuar se bojkoti i opozitës ndikon mjaft te procesi i integrimit evropian. “Bojkoti i opozitës ndikon te të gjitha proceset, por ndikon akoma dhe më tepër te procesi i integrimit, pasi është i vetmi proces që kërkon gjithpërfshirje. Nuk kërkon vetëm maxhorancën të jetë e gatshme për të vazhduar reformat, por edhe opozitën që ka një detyrim madhor ndaj vendit gjithashtu në këtë proces”, është shprehur Gjosha.

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha

Lidhur me modelin që është ndjekur për Këshillin Kombëtar të Integrimit, duke qenë se opozita pretendon se nuk është ndjekur modeli kroat, Ministrja Gjosha ka thënë se, “modeli kroat nuk është i vetmi që ekziston. Kemi modelin e Kosovë, Malit të Zi, Serbisë, pasi secili nga vendet e ngre Këshillin Kombëtar në momentin në të cilin ndodhet vendi në lidhje me procesin e integrimit dhe atë politik. Në momentin kur ne ndodhemi, ku ne kemi një bojkot të opozitës, është shumë e nevojshme që Këshilli të promovojë dialogun politik. Dialogu politik më i mirë i mundshëm është me një bashkëkryesim të maxhorancës dhe opozitës të cilin ne mendojmë që do ti japë shtysë jo vetëm mirëkuptimit dhe kompromisit por do t’i japë shtysë të gjitha reformave që i duhen vendit”.

Ndërsa lidhur me bilancin që shkon Shqipëria në takimin Dialogut të e Nivelit të lartë kësaj here, Ministrja Gjosha ka theksuar se, “ Takimi do të jetë sërish me pjesëmarrjen e Komisionerit Fyle, i cili për fat të keq vjen në Shqipëri për herë të fundit si Komisioner për Zgjerimin. Do të diskutohen të gjitha arritjet, që ka pasur vendi. Do të diskutohet vazhdimësia e reformës në drejtësi që është një nga pikat kryesore, por gjithashtu edhe vendimmarrja deri në hapjen e negociatave”.

Sa i përket reformës në drejtësi, ministrja Gjosha është shprehur se, “projektet janë, diskutimet vazhdojnë, grupet e interesit takohen vazhdimisht, Komisioni i Venecias është pjesë e kësaj reforme, por që këto zhvillime i takojnë ditëve në vijim dhe do të jetë Ministria përkatëse që do të lançojë dhe vazhdimësinë e reformën në drejtësi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button