Politika

Basha: PD, aktivitet intensiv parlamentar kundër qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, se opozita nuk do ta lejojë kryeministrin Rama që përmes kryetarit të Kuvendit t’i mbyllë gojën opozitës. 
“Kjo nuk ka për t’u pranuar kurrë dhe nuk do të ndodhë. E kundërta do të ndodhë; ne do të intensifikojmë aktivitetin tonë parlamentar duke rikthyer një praktikë konform rregullores që është praktika e pyetjeve, seancës së pyetjeve për të vendosur Edi Ramën dhe ministrat e tij para përgjegjësisë, diçka prej të cilës ai po mundohet të largohet çdo ditë, duke dalë një ditë si bahçevan, një ditë si kopshtar”, ka thënë Basha.
Për Bashën, ajo çka Rama po u ofron qytetarëve është vetëm rritje taksash dhe “më shumë bar”. “Këtej rrit taksat, këtej më shumë bar për qytetarët. Sigurisht që ai nuk është as bahçevan, as kopshtar, por është përgjegjësi për një Shqipëri të fundosur nga krimi. Të vetmit vend që nuk i hapen negociatat, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi ecin përpara”, ka thënë Basha.
Në këto kushte, ka theksuar kreu i PD, kryeministri duhet ta harrojë se me opozitën mund të ketë diçka tjetër veç përballjes frontale.
“Ai e ka zgjedhur kompromisin, kompromisin e ka me krimin e organizuar, e ka me sejdinët, jo vetëm në Elbasan, por anembanë Shqipërisë. Me sejdinët e krimit. Dhe në këtë rreshtim është e qartë Edi Rama ka vënë Partinë Socialiste dhe qeverinë në funksion të aleancës me krimin”, ka vijuar Basha.
Theksi këtë javë, për Bashën, mbetet tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Duket si një përsëritje, por në fakt pa rivendosur institucionin e zgjedhjeve, shqiptarët kurrë nuk do të kenë një qeveri që të mendojë për ta, por do mendojnë për ata që i sollën në pushtet. Edi Ramën e sollën në pushtet bandat, e solli në pushtet krimi, e sollën në pushtet droga dhe paratë e drogës”, ka shtuar Basha. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button