Home / Ekonomia / Projektet e mëdha, TAP e Devolli rrisin disbursimet e TVSH me 48% këtë vit

Projektet e mëdha, TAP e Devolli rrisin disbursimet e TVSH me 48% këtë vit

Dy investimet e mëdha ato në gazsjellësin TAP dhe HEC Moglica në lumin Devoll kanë rritur në mënyrë jo të zakonte kërkesën për rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Ministria e Financave në fund të 8 mujorit raportoi se kishte çuar shifrën e disbursimeve të TVSH-se në 8.1 miliardë lekë me një rritje 48 për qind në krahasim me një vit me parë. Shuma është disbursuar totalisht nga tatimet, teksa deri në fund të vitit pritet ti kalojë të 100 milionë eurot.

Burimet nga tatimet pohojnë se rritja e shumës së TVSH-së së rimbursuar i dedikohet investimeve të mëdha, të cilat duket se kanë azhornuar rreth 40 për qind të totalit të disbursimeve.

Investimet në projektin TAP dhe në kaskadën e Devollit janë në kulmin e tyre, ndaj dhe angazhimi i qeverisë për këto dy investime shihet të jetë më i lartë këtë vit në raport me vitin e kaluar dhe vitin ardhshëm.

E gjendur ne këtë situatë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po akumulon detyrime ndaj bizneseve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për vitin 2016 janë paraqitur 769 kërkesa për rimbursim të TVSH-së që i korrespondojnë një shume prej 19 miliardë lekësh. Nga kjo vlerë, janë miratuar për rimbursim 13.7 miliardë lekë. Janë rimbursuar deri në fund të dhjetorit 2016 mbi 10.4 miliardë dhe janë mbartur si detyrime për këtë vit 3.3 miliardë lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se nga kërkesat e vitit 2016 rreth 133 prej tyre nuk ishin verifikuar dhe këtyre u korrespondonte një shumë prej 5 miliardë lekësh.

Aktualisht rimbursimi i TVSH-së po bëhet nëpërmjet një procedure të mirëpërcaktuar, të fokusuar në analizën e riskut, sipas së cilës jo çdo kërkesë për rimbursim i nënshtrohet procedurave të kontrollit tatimor në vend.

Në përputhje me Ligjin 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, kërkesat për rimbursim të TVSH-së tashmë trajtohen dhe miratohen nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT (DRTVSH), në bashkëpunim me DRT-të. Në varësi të rezultatit të analizës paraprake nga Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, bëhet refuzimi ose pranimi i kërkesës për rimbursim.

Rimburësimi i TVSH-së ka qenë një pikë e nxehtë në marrëdhëniet e bizneseve me administratën tatimore. Bizneset pretendojnë në vijimësi se ka vonesa në përfitimin e shumave, ndërsa tatimet në shumë raste kanë gjetur skema abuzimi me miliona euro gjatë procesit te rimbursimit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: