Kosova

“Ministria e Jashtme Britanike më kërkoi të mos flas për korrupsionin në EULEX”

Ndërkombëtarët dëshironin të mbylleshin sytë për provat e korrupsionit të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, sipas dokumenteve të publikuara para një gjykate të hënën në Londër.

Ish- prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ka thënë se zyrtarët diplomatikë të Britanisë së Madhe kishin refuzuar të ndërmerrnin ndonjë hap lidhur me deklaratat e saj për lidhje mes zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të dyshuarve për krim në Kosovë.

Në vend të kësaj, ajo ka thënë për “The Guardian” se zyrtarët e Britanisë së Madhe i kishin thënë që të injoronte dëshmitë për pagesa të jashtëligjshme.

Dëshmitë ndaj EULEX-it kishin dalë në pah në vitin 2014. Bamieh thotë se ishte detyruar të largohej nga puna e saj si prokurore në EULEX pasi kishte gjetur prova se stafi ishte i përfshirë në disa raste ryshfeti dhe kishte bashkëpunim me vrasës.

Misioni i EULEX-it, siç shkruan prestigjiozja britanike, ka kushtuar më shumë se 1 miliard euro deri sa është ngritur me premtimin se do të “zë peshqit e mëdhenj”. Bamieh ka deklaruar se i kishte shprehur shqetësimet e veta zyrtarëve britanikë qysh në qershor të vitit 2012. Ajo ishte takuar me një diplomat britanik në Kosovë. Sipas Bamiehs, ajo i kishte shpalosur dokumentet e rëndësishme britanikut, por “ai nuk kishte shikuar fare në ato dëshmi dhe madje i kishte thënë të mbyllte sytë”.

Ekipi i Bamiehs është duke u bërë gati që të apelojë ndaj një vendimi të vitit të shkuar që nuk lejonte padi ndaj EULEX-it në Britani të Madhe.

Avokati i Bamiehs, Peter Dely, anëtar i ekipit të specialistëve për të drejtat e njeriut“Bindmans”, ka thënë se çështja e Maria Bamiehs ngre pikëpyetje serioze për institucionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Britanisë së Madhe. “Në pikëpamjen tonë është e papranueshme që të paditurit përfshirë Zyrën e Jashtme dhe EULEX-i me të provojnë të heshtin një gjykim të drejtë”.

Një zyrtar i Zyrës së Jashtme britanike ka mohuar deklaratat e Bamiehs. “Ne i refuzojmë fuqishëm këto deklarata. Ne i marrim këto çështje shumë seriozisht, por është e papërshtatshme të flasim më tej në këtë kohë të procesit gjyqësor”, ka thënë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button