Politika

105 vjet Pavarësi

Përmbledhje e zgjeruar e aktiviteteve me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë

Shqipëria po feston sot 105-vjetorin e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Aktivitete dhe urime të shumta shoqëruan 28 Nëntorin, e cila njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Ngrihet në Vlorë flamuri kombëtar për 105-vjetorin e Pavarësisë

Qyteti i flamurit, Vlora, ishte sot epiqendra e festimeve. Në Vlorë u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar. Në ceremoni morën pjesë Presidenti i Republikë, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Drejtuesit më të lartë të dy shteteve zhvilluan edhe homazhe në monumentin funerar të Atit të Pavarësisë, Ismail Qemal bej Vlorës. Të pranishëm kanë qenë edhe qytetarë të shumtë, të cilët kanë marrë pjesë në ceremoninë në këtë ditë të rëndësishme për Shqipërinë.

Çelet në Vlorë viti mbarëkombëtar i Skëndërbeut

Në Vlorë u çel sot edhe viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Kryeministri Rama prezantoi projektet që përbëjnë kuadrin mbarëkombëtar të vitit të Skëndërbeut. ku përmendet krijimi i pakos së ushtarakut, si inisiativë për të mos harruar ushtarakët shqiptarë të angazhuar në misione paqeruajtës. Dixhitalizimi i fondeve të Bibliotekës Kombëtare duke vijuar me literaturën e Skëndërbeut. Si dhe organizimi i Samitit të dytë të Diasporës.

Tirana feston pavarësinë 

Ndërkohë ceremoni për 105-vjetorin e Pavarësisë janë zhvilluar edhe në kryeqytet. Kështu në Tiranë, u zhvillua ceremonia e vendosjes së kurorave pranë Monumentit të Pavarësisë. Si dhe u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit në Sheshin Skënderbej, ku mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj si dhe qytetarë të shumtë. Me rastin e Festave Kombëtare, kryeqyteti është stolisur me flamuj kuq e zi, ku rrugët dhe institucionet kryesore janë mbuluar nga simbolet kombëtare.

Festat e Nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë hap dyert për qytetarët

Me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë çel sot dhe nesër dyert e sallës së seancave plenare për qytetarët. Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të organizojë aktivitetin “Dyert e Hapura” pranë sallës së seancave plenare duke i dhënë mundësi kujtdo që ka dëshirë të shohë nga afër sallën ku merren vendimet e rëndësishme për jetën e qytetarëve. Interesimi i qytetarëve, veçanërisht i të rinjve, për të parë nga afër institucionin më të rëndësishëm legjislativ në vend, e ka kthyer në një praktikë organizimin e “ditëve të dyerve të hapura” të parlamentit, për vizitorë nga të gjitha skajet e vendit.

Presidenti Meta uron 105-vjetorin e Pavarësisë

Ndërkohë festën e Pavërëissë e kanë uruar edhe drejtuesit kryesorë të vendit. Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zgjedhur poezinë e një nxënëseje shqiptare në Tupallaj të Medvegjës për të uruar 105- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti Meta ka postuar një video të cilën e shoqëron me mesazhin “Gëzuar Ditën e Flamurit për të gjithë shqiptarët! Për të uruar Festën Kombëtare, zgjodha poezinë e recituar me shumë shpirt dhe emocion, të kësaj nxënëseje të mrekullueshme shqiptare në Tupallaj të Medvegjës”.

Rama urim të veçantë për 105-vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri Edi Rama ka gjetur një mënyrë të veçantë për të uruar 105-vjetorin e Pavarësisë. Kreu i qeverisë ka postuar në ”Facebook”, një foto ku tregohet një flamur, ku gjysma është Flamuri i Shqipërisë dhe gjysma ai i Kosovës. “Të gjithë shqiptarëve kudo janë, nga Vlora u uroj gëzuar 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë”, shkruan Kryeministri Rama.

Nderim heronjve të lirisë dhe pavarësisë

Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë zhvilluar sot homazhe te varrezat ”Dëshmorët e kombit” për 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryetari i PD, Lulzim Basha, deputetë të grupit parlamentar dhe përfaqësues të tjerë të selisë blu kanë vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka drejtuar një mesazh urimi shqiptarëve me rastin 105-vjetorit të Pavarësisë.

Kryemadhi uron nga Elbasani 105-vjetorin e Pavarësisë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zgjedhur Elbasanin për të uruar 105-vjetorin e Pavarësisë. Duke e cilësuar Elbasanin si një nga vatrat më patriotike dhe më mikëpritëse të Shqipërisë, Kryemadhi ka uruar 28 Nëntorin. Kryemadhi e ka cilësuar si një ditë shumë të rëndësishme, jo një ditë e thjeshtë kalendarike, por një ditë historike.

Thaçi: Nëntori, muaji i krenarisë sonë kombëtare

105-vjetorin e Pavarësisë e ka uruar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij shqiptar, Ilir Meta. “Nëntori ka qenë dhe mbetet përherë muaj i lavdisë për shqiptarët anekënd botës dhe është muaj i festave tona të përbashkëta në më shumë se një shekull, theksohet në mesazhin e urimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button