Kosova

Lancaster: Çelësi për transformimin e FSK-së është partneriteti me NATO-n

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster.

Në një konferencë për medie me kryeministrin Haradinaj pas takimit, ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster tha se pasi që ka shërbyer si oficer gjatë viteve 1999-2000 në Kosovë është i lumtur që ka ardhur në vizitë pas 18 vitesh.

Ai shprehu shpresën që kjo lidhje në mes Kosovës dhe vendit të tij të vazhdojë me kontributin e Mbretërisë së Bashkuar posaqërisht për FSK-në po ashtu edhe për forcat e KFOR-it në Kosovë.

Sa i përket marrëdhënieve konkrete të Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me FSK-në ministri britanik tha se ka ardhur sot këtu për të parë zhvillimet në atë forcë duke nënvizuar se është një test për Kosovën dhe ndjehet i lumtur që Kosova dhe vendi i tij kanë punuar së bashku.

“Ky është një rrugëtim dhe çelësi i këtij rrugëtimi është partneriteti i vazhdueshëm me NATO-n dhe prezenca e NATO-s këtu. Jemi të vetëdijshëm që ka pengesa në këtë rrugë por duhet të punohet së bashku me NATO-n për stabilitetin rajonal i cili është jetësor”, tha Lancaster.

Kryeministri Haradinaj tha se vizita e ministrit ka qenë një moment shumë prekës pasi ai ka shërbyer si oficer i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1999-2000 në Kosovë duke theksuar se kjo dëshmon se Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të jenë vende mike.

Ai theksoi se ardhja e ministrave e nderon Kosovën dhe i jep vërtetë një mundësi që ky bashkëpunim të thellohet.

Ndërsa në pyetjen sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri me votat e përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë në parlament Haradinaj tha se kjo duhet të ndodhë në një kohë optimale.

“Për temën e mandatimit të FSK-së në ushtri të Kosovës ne e kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës por mandatimin si ushtri jemi të interesuar që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese edhe tani po i japim kujdes këtij aspekti. Vetëvetiu çdo temë e ka kohën e vet nëse me një kohë optimale kjo nuk ndodhë atëherë duhet të mendojmë si të veprojmë”, tha Haradinaj.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë ministri i Shtetit për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancster sot është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.  Ai sot gjatë ditës do të vizitojë edhe Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button