Home / roze / Ermal Meta në garë me më të mëdhenjtë e muzikës italiane

Ermal Meta në garë me më të mëdhenjtë e muzikës italiane

Këngëtari shqiptar Ermal Meta do të marrë pjesë në edicionin e 68-të të Festivalit të Sanremos  me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Meta do të garojë me këngëtarët më të mëdhenj të muzikës italiane, në kategorinë Big në skenën e Teatrit Ariston. Në një postim në rrjetin social Facebook, këngëtari shkruan “fillon një udhëtim i ri, do të jetë shumë i bukur”. Kënga që do të prezantojë në Sanremo “Non mi avete fatto niente”, do të jetë një duet me Fabricio Moro.

Ky lajm vjen në fund të 2017, pas një viti të suksesshëm të artistit me origjinë shqiptare pas çmimeve në Sanremo, ku doli me dy trofe, çmimin e Kritikës Mia Martina dhe vendin e tretë.  Pas Sanremos mbërriti edhe suksesi i albumit “Vietato Morire”, ( ku përfshihen edhe këngët “Paradiso Girl”, “Voodoo Love” dhe “Little Soul” kënduar me Elisa, si dhe turnetë, i pari ai italiani dhe pastaj ai ndërkombëtari, gjithmonë me Radio 105 në krah të tij, në çdo fazë si radio zyrtare.

Kënga “Vietato Morrire”, e kënduar prej tij në edicionin e kaluar të Sanremos, pati një sukses të madh. “Kënga tregon një histori, që do të më pëlqente të bëhej një manifestim i mosbindjes. Nuk flet për dhunën, por për mosbindjen tek dhuna vetë. është një mënyrë për të thënë që ndoshta është dera për të mbërritur tek lumturia dhe qetësia. Kjo këngë do të thotë duaje jetën tënde dhe të tjerët, bëj si të duash ti”, shprehej këngëtari.

Kjo është pjesëmarrja e tretë në Festival, përveç edicionit të 2017, ai ishte në garë edhe në Propozimet e reja në 2016. Ermal Meta 13 vite më parë u largua nga Shqipëria për në Itali. Ai ka qenë anëtar i grupit muzikor italian “Ameba4” dhe “La Fame di Camilla”. Pasi kompozoi këngë për disa artistë italianë, ai filloi karrierën e tij solo, duke nxjerrë edhe albumet Umano (2016) dhe Vietato morire (2017).Disa javë më parë këngëtari shqiptar rrëmbeu çmimin ‘MTV Europe Music Awards’.

Leave a Reply

Your email address will not be published.