Home / Opinion / A duhet BE-ja të ndryshojë politikën e zgjerimit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor?

A duhet BE-ja të ndryshojë politikën e zgjerimit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor?

 Nga Gentjan SKARA

 Ballkani Perëndimor po shndërrohet në “thembrën e Akilit” të politikës së jashtme të BE-së, në të cilën po testohet fuqia transformuese e zgjerimit. Në fillim të viteve 1990, BE ishte ambicioze për të luajtur një rol aktiv në arenën ndërkombëtare, por, shumë shpejt u zbeh si pasojë e hezitimit për të parandaluar luftërat apo ofrimin e perspektivës europiane si në rastin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. 18 vjet pas paraqitjes së procesit të stabilizim asocimit si një instrument integrues për Ballkanin Perëndimor, ka ardhur koha që strategjia të rishikohet pasi progresi është minimal më shumë si rezultat i BE-së se sa nga problemet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga dështimi në dështim pa humbur entuziazmin

Më 28 qershor 1991, ministri i Jashtëm i Luksemburgut Zhak Pos deklaronte se “Nëse ka një problem që duhet të zgjidhet nga evropianët, ai është problemi jugosllav. Ky është një shtet europian dhe nuk është në dorën e amerikanëve dhe as në dorën e shteteve te tjera” për të zgjidhur konfliktin. Nëpërmjet kësaj deklarate, ai parashikonte mundësinë e reagimit në bllok të BE-së, për të parandaluar ofensivën ushtarake të Beogradit kundër Sllovenisë dhe Kroacisë. Shumë shpejt, konflikti në ish-Jugosllavi eskaloi dhe tregoi dobësinë e parë të mosfunksionit të politikës së jashtme të përbashkët duke mos arritur njëdakordësi, së pari, në njohjen e Sllovenisë dhe Kroacisë si shtete të pavarura dhe së dyti, për t’i dhënë fund konfliktit në Bosnje. Falë ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës u arrit e marrëveshja e Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe hodhi bazat për ndërtimin e një shteti multietnik.

Dështimi në Bosnje dhe prania amerikane në Europë, shtyu BE-në drejt formulimit të një strategjie më gjithëpërfshirëse kundrejt Ballkanit Perëndimor. Strategjia e BE-së “Përqasje Rajonale” (EU Regional Approach) u fokusua: në vendosjen e paqes dhe stabilitetit; rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit si dhe rikthimin e refugjatëve të larguar gjatë konfliktit. Pavarësisht pritshmërive, shpërthimi i luftës në Kosovë dëshmoi edhe njëherë dobësinë europiane për të menaxhuar konfliktin në fqinjin e saj. Përsëri, falë ndërhyrjes amerikane, lufta e Kosovës përfundoi. Bazuar në parimin “mëso nga gabimet”, në 1999, BE riformuloi një strategji të re të quajtur “Procesi i Stabilizim Asociimit”, e cila do të shërbente si një instrument transformues për Ballkanin Perëndimor. Siç edhe emri i strategjisë e tregon, qëllimi ishte i dyfishtë, së pari, stabilizimin e rajonit nga luftërat e vazhdueshme dhe përçarja etnike.

Në emër të kritereve: po cilat kritere?

Në Samitin e Selanikut (2003), BE rikonfirmoi perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në politikën e kushtëzimit. Për shkak të problemeve të brendshme rajonale të trashëguara, kushtëzimi në Ballkanin Perëndimor ishte më i shumëfishtë, krahasuar me vendet e EQL që duhet të përmbushnin vetëm kriteret e Kopenhagënit. Për vendet e BP ishte parakusht stabilizimi dhe zgjidhja e problemeve që derivonin marrëveshjet ndryshme si e Dejtonit, Kumanovës apo Ohrit dhe më pas përmbushja e kritereve të Kopenhagënit. Pritshmëritë ishin që nëpërmjet procesit të stabilizim asociimit, i gjithë rajoni të anëtarësohej në BE brenda vitit 2013. Koha tregoi që vetëm Kroacia arriti me sukses që të anëtarësohet. Shtetet e tjera në rajon, disa patën progres, duke përparuar në marrjen e statusit kandidat, ndërsa disa shtete të tjera qëndruan në stanjacion si rezultat të problemeve të brendshme kushtetuese.

Një faktor tjetër i këtij stanjacioni lidhet edhe me “ndryshimin e rregullave të lojës nga ana e BE-së”. Pas dështimit të Kushtetutës Europiane (2005), politika e zgjerimit pësoi një ndryshim thelbësor. Në njërën anë, për herë të parë në Strategjinë e Zgjerimit (2006), Komisioni futi konceptin e kushtëzimit (benchmark) në hapjen dhe mbylljen e negociatave për kapitujt e EU acquis. Argumenti justifikohej në eksperiencën Rumanisë dhe Bullgarisë dhe nevojën për një proces më të kontrolluar nga ana e BE-së. Nga ana tjetër, shteteve anëtare iu lejua e drejta e “nacionalizimit” të procedurës së zgjerimit duke bërë ndryshime kushtetuese, siç është rasti i Francës që në nëpërmjet një ndryshim kushtetues në 2007, përcaktoi se çdo zgjerim i ardhëm do të jetë subjekt i referendumit [nenin 88(5)]. Ndërsa paragrafi vijues parashikon mundësinë e maspasjes së referendum në rast se të dy dhomat miratojnë një mocion me votim prej 3/5. Pra, nëse Shqipëria përmbyll me sukses negociatat, atëherë ratifikimi i traktatit të zgjerimit do të varet nga vullneti i popullit francez apo vendimi politik i parlamentit francez. Gjithashtu, eksperienca kroate dëshmoi përdorimin e përdorimin e së drejtës së vetos si instrument për zgjidhjen e problemeve bilaterale.

Ballkani Perëndimor si një fushë shahu për aktorët e tjerë

Pas kthimit të vizitës që zhvilloi përfaqësuesja për Politikën e Jashtme të BE-së Federika Mogherini në Ballkan më 6 mars 2017, deklaroi që “Ballkani mundet lehtësisht të kthehet në një fushë shahu ku aktorët e tjerë mund të luajnë”. 3 ditë më pas, Këshilli i Europës diskutoi çështjen e rajonit dhe pranoi “situatën e brishtë në Ballkan”. Gjithashtu, u theksuan “sfidat e brendshme dhe të jashtme më të cilat rajoni përballet”. Në përfundim, u rikonfirmua edhe njëherë mbështetja pa ekuivok e BE-së për të mbështetur vendet e rajonit për të avancuar në procesin integrues.

Pavarësisht deklaratave të herë pas hershme për zgjerim nga BE-ja apo dëshira e vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar, vihet re një mungesë vullneti nga të dyja palët. Sipas BE-së, zgjerimi duhet të bazohet në kritere strikte dhe rigoroze pasi anëtarësimi është një “trofe” që duhet ta meritosh. Ndërsa nga ana tjetër, vendet e Ballkanit Perëndimor po lëvizin ngadalë drejt plotësimit të kritereve. Aktualisht rajoni po përballet me disa probleme të shumëfishta si: shtetësia e kontestuar (mosnjohja e Kosovës nga ana e Serbisë apo mosnjohja e Maqedonisë nga ana Greqisë); problemet ekonomike dhe papunësia e lartë; nacionalizmi etnik si një faktor destabilizues (Bosnja Hercegovina dhe deri në një fare mase edhe Maqedonia) dhe së fundmi autoritarizmi i elitave politike në qeverisje. Përballja me këto probleme si dhe lodhja nga kërkesat e vazhdueshme nga BE-ja për reforma po ekspozojnë rajonin drejt aktorëve të tjerë si Turqia; Rusia apo Kina, duke ofruar ndihma ekonomike apo edhe investime politike.

Në vend të konkluzionit dhe e ardhmja e pasigurt

Po t’i referohemi historisë së zgjerimit të BE-së vërejmë që agjenda politike ka mbizotëruar mbi atë ekonomike apo kritereve juridike. Rasti më tipik është zgjerimi i ndodhur në vitet 1980 me Greqinë, Spanjën dhe Portugalinë. Pas rënies së regjimeve totalitare, të tre shtetet aplikuan për anëtarësim në BE (atëherë KEE). Në raportin e dërguar në Parlamentin Europian, aplikimi për anëtarësim i Greqisë, Spanjës apo Portugalisë ishte mirëpritur “më shumë për motive politike se sa ekonomike”. Dhe Këshilli vendimmarrjen për anëtarësim e bazoi më shumë në kriterin politik se sa në plotësimin e standardeve siç u evidentua ne raportin e përgatitur nga Komisioni.

Ka ardhur koha që strategjia e zgjerimit të rishikohet me qëllim që të reflektojë gjendjen në rajon si dhe të pasqyrojë ambicien e shprehur në Traktatit të Mastritit për të luajtur një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Mosadresimi i çështjes së Ballkanit Perëndimor vendos në pikëpyetje rolin transformues të BE dhe ekspozimin e rajonit drejtë aktorëve të tjerë që mund të sjellin efekte negative në vetë BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published.