Politika

Ëndrra evropiane që çoi Ramën kundër Trump në OKB – Politikanët shqiptarë nuk e falin!

Rreshtimi i Shqipërisë përkrah vendeve të Bashkimit Evropian me votën kundër që dha dje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në lidhje me rezolutën e dorëzuar nga SHBA, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, ka hapur një tjetër portë debati në politikën shqiptare.

Që prej ditës së djeshme, zëra të shumtë të politikës shqiptare kanë kundërshtuar me forcë këtë qëndrim, duke e konsideruar atë si të gabuar e të panevojshëm, por dhe ‘tradhti’ ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj të cilit votuan kundër edhe 127 shtete të tjera.

Teksa zyrtarisht i vetmi reagim nga ana e qeverisë shqiptare ka qenë ai i Ministrisë së Jashtme, e cila votën kundër SHBA e justifikoi se ‘Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër te konsiderueshëm dokumentesh të OKB­së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-­së’, sot doli që ky qëndrim nuk ishte konsultuar as me kreun e shëtit shqiptar, Ilir Metën.

Vetë Presidenca reagoi mëngjesin e sotëm zyrtarisht duke theksuar se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.

Zërave të shumtë që kritikojnë ashpër këtë votë, ku Shqipëria mund edhe të kishte abstenuar, iu janë shtuar edhe ai i ish presidentit Bujar Nishani e ish ministrave e deputetëve e analistëve në vend.

Ky nuk është thjesht një qëndrim i gabuar por një dëmtim shumë i rëndë me vetëdashje të interesave tona strategjike. Nga ana tjetër Rezoluta e OKB nuk e ndryshon dot vendimin sovran të SHBA”, thotë ish kreu i shtetit Bujar Nishani.

Kujt i shërben më shumë ky votim?

Kjo është pyetja e ngritur nga analistë dhe politikanë shqiptarë. Politikani i njohur Ben Blushi duke e konsideron të pajustifikueshme votën e Shqipërisë në OKB kundër SHBA thotë se kjo ka interesa të tjera.

Vota kundër SHBA i vlen më shumë Turqisë se Shqipërisë dhe kjo është edhe më e rëndë më e shëmtuar dhe shumë më e padrejtë. Në fund të fundit për cfarë kemi votuar? Që një vend sovran, në këtë rast SHBA nuk duhet të ketë të drejtë ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem. Kush jemi ne që detyrojmë një shtet tjetër, se në cilin vend të një shteti tjetër duhet ta mbajë ambasadën e vet? Kjo që kemi bërë është njëlloj sikur të votonim një rezolutë sipas të cilës SHBA duhet ta mbajnë ambasadën e Kosovës në Beograd. Një shtet levantin, do thoshte Faik Konica”, thotë Blushi.

Baba” Erdogani do ishte tërbuar sikur ne të votonim kundër rezolutës. Në fund, vota jonë nuk është se do t’u shërbente shumë SHBA-ve. Nuk është se ishte një votë që do ndante shapin nga sheqeri”, e komenton analisti Mustafa Nano këtë votë, duke kutuar se vendi ynë është edhe anëtar i Konferencës Islamike.

Rama votoi ne OKB, ne traditen aterore, kunder SHBA, vendit i cili nga vitet 20 te shekullit te kaluar deri sot ka luajtur rol percaktues ne lirine e kombit shqiptar. Duke denuar me ashpërsi kete qëndrim shtoje se me këtë akt politika e jashtme e Shqiperise shnderrohet ne nje politike te mirëfilltë antikombetare. Ajo përfaqëson interesat e baronëve te drogës dhe balozeve neo-bllokmene te krimit dhe jo te shqiptareve”, do ta komentonte dje ish kreu i qeverisë, Sali Berisha votën në OKB.

Por a do të ketë ky qëndrim pasoja për shqiptarët?

Një pjesë e politikanëve e shikojnë këtë me dyshim nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vendimi për Amerikën s’ka për të qenë kurrë vendimi i një qeverie, por përgjegjësi e mbarë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, pasi kjo marrëdhënie është një realitet dhe një trashëgimi e paçmueshme. Trajtimi i votimit në OKB për Jerusalemin duhet të ishte pa as më të voglin diskutim një vendim i të gjithë shqiptarëve dhe ashtu sikurse kemi ndarë shqetësimet tona më madhore, duhet ta ndanim edhe këtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të kishim patjetër edhe mendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e  cila ndër të tjera ka renditur edhe rastet që vendet e Amerikës i kanë ardhur në ndihmë shqiptarëve.

“E tillë ka qenë Amerika që në kohën kur mbrojti integritetin e kufijve të Shqipërisë, kur mbështeti shembjen e komunizmit, kur nxori Shqipërinë nga kriza e tmerrshme e vitit ‘97, kur ishte SHBA që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, kur ishte SHBA pasaporta e Shqipërisë edhe për Integrimin Europian dhe kur SHBA udhëhoqi një nga arritjet më madhore në historinë e të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen, duke i dhënë pavarësinë Kosovës e duke e shpëtuar nga kthetrat e gjenocidit Serb”, tha ajo.

Në këtë linjë ka reaguar edhe lideri i opozitës Lulzim Basha kur thotë se “duke votuar kundër SHBA, qeveria ka vepruar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve.  Interesi i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar, deri më sot, janë shërbyer në avancimin e tyre nga një aleat strategjik dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa SHBA-të Kosova sot nuk do të ishte as e lirë, as e pavarur. Pa SHBA-të, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s”.

Kërcënimi i SHBA

Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së erdhi pas kërkesës mbi rezolutën e përgatitur nga Egjipti, në të cilën u kërkohej SHBA-ve të tërhiqeshin nga ky vendim dhe u bëhej thirrje vendeve të tjera të botës që t’i dilnin kundër këtij akti unilateral të diplomacisë amerikane.

“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, iu drejtua dje ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, atyre vendeve që ishin kundër njohjes Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-ja.

Në mbyllje të votimit në OKB, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro saj. Mes votave në favor të rezolutës dhe kundër SHBA u rreshtua elita europiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.  Për herë të parë, Shqipëria iu kundërvu kështu publikisht administratës ‘Trump’.

/Gazeta Express/

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button