Home / Kosova / Prishtinë, Gjykata dënon 4 deputetët e Vetëvendosjes

Prishtinë, Gjykata dënon 4 deputetët e Vetëvendosjes

Më shumë se dy vjet nga ngritja e akuzës për gazin e hedhur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, 4 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë mësuar sot vendimin e Gjykatës për ta.

Saga dy vjeçare e katër deputetëve të Vetevendosjes të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës u mbyll me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, që i shpalli fajtore e i dha 1 vit e gjashtë muaj dënim me kusht Albin Kurtit, të njëjtën mase ligjvënëses Donika Kadaj, dhe nga një vit e 3 muaj dënim me kusht, plus shpenzimet e Gjykatës, Faton Topallit dhe Albulena Haxhiut.

Kjo masë do të thotë se për dy vjet, deputetët do të jenë në periudhë prove e nëse kryejnë shkelje të tjera, do të vuajnë të dy ndëshkimet. Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët Haxhiu përmes një statusi ne rrjetin social Facebook, asnjeri prej katër ligjvënësve nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së vendimit nën arsyetimin se gjykimi i tyre ka qenë krejtësisht politik.

Sipas Haxhiut, asnjë prej pretendimeve të ngritura nga Prokuroria nuk mbështetej në prova e fakte, e gazi lotsjellës nuk duhet konsideruar armë. Në këndvështrimin e saj, ai ishte mjeti i vetëm e i domosdoshëm për ta shpëtuar Kosovën, nga ai që e quan “copëtim” dhe “bosnjëzim”.

Përdorimi i gazit në sallën e Parlamentit ishte pjesë e kundërshtimit të opozitës ndaj marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe me Malin e Zi, por ne aktpadi artikulohet qartë se një gjest i tillë është konsideruar nga departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, si përpjekje për të penguar punën e legjislativit.

Vendimi vjen një ditë pasi kryetari i Lëvizjes Vetevendosje Visar Ymeri dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij partiake duke përmendur pikërisht përçarjet e vitit të fundit. Muajin e kaluar, vetëvendosja shpalli mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri të saj pikërisht në vazhdën e përplasjeve të brendshme që e kanë vënë këtë lëvizje përballë krizës më të rëndë që prej formimit të vet.

Figura pro dhe kundër Kurtit brenda partisë janë bashkuar në ngritjen e zërit kundër vendimit të Gjykatës. Ymeri i komentoi përmes Facebook-ut dënimet e katër deputeteve, duke i cilësuar si treguesin më të mirë të sfondit politik të këtij rasti. Ndërsa Dardan Molliqaj deklaroi se ky ishte një vendim sa i padrejtë, aq edhe absurd.

Leave a Reply

%d bloggers like this: