Home / Politika / Berisha kërkon rezolutë për mbrojtjen e gazetarëve nga Rama, “tronditen” ish- gazetarët Zamir Dule e Bardhok Lala që u masakruan nga ish-presidenti

Berisha kërkon rezolutë për mbrojtjen e gazetarëve nga Rama, “tronditen” ish- gazetarët Zamir Dule e Bardhok Lala që u masakruan nga ish-presidenti

Sali Berisha, dhunuesi i gazetarëve, i përfshirë nga organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe gazetarëve si një ndër 10 armiqtë më të mëdhenj të shtypit, ka bërë një kërkesë në mbledhjen e grupit të PD-së, që u mbajt sot me dyer të mbyllura.

Ai ka kërkuar një rezolutë në mbrojtje të gazetarëve.

Berisha theksoi se rezoluta duhet të bëhet për të mbrojtur gazetarët nga fyerjet e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, kryeministri i vendit Edi Rama, nuk kursen edhe ironitë në drejtim të mediave, duke i cilësuar shpesh si ‘media kazani’.

Berisha këmbëngul se pasardhësi i tij pak kohë më parë sulmoi mediat gjatë një bashkëbisedimi me ta para sallës së Kuvendit, ndërsa nuk ngurroi që t’i korrigjonte edhe për pyetjet e bëra ndaj tij.

Por sa të sinqerta janë deklaratat dhe propozimet e ish- presidentit, ish- kryeministrit dhe njeriut që ka qënë në “top listën” ndërkombëtare të armiqve të shtypit për shumë vite me radhë?!

Berisha nuk i fyente mediat, as gazetarët, ai i rrihte dhe i dërgonte për vdekur të Malin me Gropa dhe në Sauk.

Dy nga këta janë Zamir Dule i “Koha Jonë” dhe Bardhok Lala i “Dita Informacion”.

Pa llogaritur Edi Ramën si publicist që e lanë për të vdekur apo Frrok Çupin që iku në ekzil dhe gazetarë të tjerë që u masakruan gjatë asa periudhe.

Frrok Çupi është tashmë në krahun e Berishës, pasi me sa duket, sindromi i “Stokholmit”, ka përfshirë dhe gazetarinë.

Dhuna ndaj gazetarëve kapi dhe Alfred Pezën, që u rrah dhe u la për i vdekur duke shkuar për në Vlorë.

Në vitin 1997 Zamir Dule, punonte gazetar në gazetën “Koha Jonë”, ku mbulonte kronikën e zezë.

Më 3 mars 1997, natën kur gazeta “Koha Jonë” digjet, Zamiri ndodhej në gazetë.

Ai po flinte aty dhe ishte dëshmitari i asaj çfarë ndodhi.

Atë e rrahën barbarisht atë natë.

SHIK i Gazidedes me urdhër të Berishës e rrahu derisa e la pa ndjenja dhe e dërgoi në Malin me Gropa që të vdiste.

Mbijetoi fizikisht, për të mos qënë më mes kolegëve të tij mendërisht.

Askush, askurrë nuk mori përgjegjësi për ngjarjen.

Pas kësaj, nuk rikthehet në gazetë, por në vendlindje, në fshatin Miras të Korçës.

Qeveria “Nano” i akordoi një pension të veçantë.

Shumë gazetarë shkruan opinione për Zamir Dulen, por askush nuk realizoi intervistë me të, pasi ai kurrë nuk pranoi te flasë.

Ai qëndronte me sytë nga dera se mos e përgjonte SHIK, nuk dëgjonte më lajme, dhe sa herë ndodhej rastësisht në edicionin e lajmeve kur dilte Berisha kruspullohej dhe humbte vetëdijen, largohej dhe futej në skutën më të errët të shtëpisë së tij për të mos dalë më andej për disa ditë.

Nuk e ka kaluar pragun e shtëpisë që nga viti 1997.

Gazetari tjetër është Bardhok Lala, mbulonte kronikën e zezë te gazeta “Dita Informacion”.

Më 28 maj 1996, kur opozita protestonte për vjedhjen e votave më 26 maj 1996, ai u kap në afërsi të Bankës së Shqipërisë nga SHIK-u i Gazidedes dhe kamikazët e Berishës dhe u rrah barbarisht e u la për i vdekur në Sauk në Liqenin Artificial.

Shpëtoi falë mirësisë së një banori dibran që lajmëroi dhe e dorëzoi tek miqtë e tij gazetarë.

U kurua brenda dhe jashtë vendit, por pa sukses për të qënë më gazetar.

Ushtron profesionin e ndihmësmjekut, por gjithnjë është nën traumë.

Vjen rrallë në Tiranë, dhe qëndron me sytë nga dera gjithnjë, se mos hyjnë njerëzit e Berishës.

Nuk po permendim me detaje Erjon Braçen gazetarin e Zerit te Popullit qe garonte per deputet asokohe dhe qe u masakrua dhe gati u vra, deri te rrahja e gazetarit spanjoll te cilin vetem nderhyrja e shoqeruesit te Servet Pellumbit e shpetoi.

Tani Berisha flet për mbrojtjen e gazetarëve, një fyerje për këtë komunitet.

Gazetarët e rinj dhe nëse nuk e kanë jetuar atë kohë, duhet të paktën të shfrytëzojnë motorin e kërkimit “google” dhe të shohin çfarë ka bërë Berisha ndaj kolegëve të tyre që hapën rrugën e vështirë të gazetarisë në Shqipëri.

Berisha nuk ka asgjë për të thënë për mbrojtjen e gazetarëve, ka vetëm hipokrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.