Home / Politika / Vidio konferencë me naftëtarët, Rana: Privatizimi i ARMO-s, akt kriminal

Vidio konferencë me naftëtarët, Rana: Privatizimi i ARMO-s, akt kriminal

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se privatizimi i kompanisë ARMO ishte kriminal, ndërsa siguroi naftëtarët e kësaj uzine se qeveria po punon për gjetjen e investitorëve seriozë për rikthimin e saj në punë. Rama i shoqëruar nga ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri zhvilloi një interpelance me naftëtarët e ARMO-s, përmes platformës shqipëriaqëduam.al. Naftëtarët nga Fieri përmes video konferencës i kërkuan kryeministrit Rama ndërhyrjen për të bërë të mundur pikë së pari rivënien në punë të uzinës, pagesën e pagave të prapambetura, implementimin e statusit të naftëtarit, vënien në funksion të qendrës shëndetësore në zonë, si dhe repartit të sëmundjeve profesionale në Tiranë. Por ata kërkuan edhe hetimin e procesit të privatizimit të kompanisë, proces i cili ka dështuar dhe të gjitha asetet e ARMO-s janë sekuestruar nga bankat dhe tatimet.

Duke folur për hetimin e privatizimit, i cili i përket periudhë para 2013-s, Kryeministri Rama risolli në vëmendje se ky proces është kundërshtuar nga PS atëherë në opozitë. Por siguroi kryeministri Rama, reforma në drejtësi do t’i shërbejë  hetimit të privatizimit të kompanisë, ndërsa akuzoi opozitën se për të mbyllur çështje të tilla që kanë sjellë një dëm të madh për shtetin dhe qytetarët si ai i CEZ-it, po pengon reformën në drejtësi.

“Hetimet nuk i bën qeveria, i bën një institucion tjetër. Para disa javësh, këtu në Shqipëri u tentua të mbyllej hetimi për një tjetër krim si ky, privatizimi i CEZ-it. Ishte vet prokurorja që shkoi në gjykatë dhe kërkoi mbylljen e hetimeve për këtë kompani që është një nga faktet më tronditëse të historisë së marrëdhënies së qeverisë me pronën e shtetit. Ashtu si CEZ edhe ARMO është një privatizim kriminal për të cilin nuk ka pasur asnjë ndëshkim deri sot. Ndëshkueshmëria ka funksionuar vetëm për ata që nuk kanë pasur pushtet. Ndaj dhe kërcasin ‘çizmet e shishet’ kur emërohet një prokuror që nuk do të jetë më nën kontrollin e atyre që kanë mbajtur nën kontroll historikisht drejtësinë dhe kanë mbajtur mbyllur kapakun e zullumeve që kanë bërë”, deklaroi kryeministri.

Kreu i qeverisë po ashtu i informoi ata se çështja e statusit të naftëtarit është e zgjidhur. Për këtë, Rama tha se është e nevojshme vetëm plotësimi i dokumentacionit nga ana e naftëtarëve duke u bërë të ditur atyre se do të kenë në dispozicion një grup pune me ekspertë të Zyrave të Punës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të ndihmuar në përgatitjen e dosjeve.

Më tej, Kryeministri theksoi se qeveria po përpiqet të nxisë investitorë seriozë për rivënien në punë të kësaj rafinerie. “Nuk jemi dorëzuar. Ne kemi vazhduar të bëjmë të gjitha komunikimet e mundshme me kontakte të ndryshme serioze për rivënien në punë të rafinerisë, por këtë radhë me garanci të plota financiare në raport me bankën shtetin edhe naftëtarët. Ne do të luftojmë t’i japim zgjidhje përfundimtare cilado qoftë ajo”, deklaroi Kryeministri. Sa i takon funksionimit të qendrës shëndetësore dhe repartit të sëmundjeve profesionale, Rama premtoi se shumë shpejt do të rivihen në punë.

Gjiknuri: Qeveria ka nisur procedurat ligjore për të rikuperuar asetet e mundshme të kompanisë ARMO

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi se qeveria ka nisur procedurat ligjore për të rikuperuar asetet e mundshme të kompanisë ARMO. “Problemet kanë fillesën tek privatizimi i nisur keq dhe që kur morëm qeverinë në 2013 kompania kishte dështuar. Uzina nuk është menaxhuar siç duhet, por menaxhimi është privat”, tha ministri.

“Përpjekjet tona kanë qenë që kushdo të merrte përsipër të investonte në këtë rafineri të kishte mundësinë të furnizohej me naftë. Qëllimi ka qenë që nafta të përpunohej në vend. Në 2017-n, 450 mijë ton, ose rreth 50% e naftës që prodhohet në Shqipëri është përpunuar në vend. Edhe nafta që ka pasur në dispozicion Albpetrol është destinuar për tregun vendas për t’u përpunuar në vend. Kjo për të ndihmuar uzinën”, u shpreh kreu i MIE-së.

Në paketën e privatizimit të rafinerisë janë të përfshira edhe nënstacioni i energjisë elektrike si dhe pompa e ujit. Por, ministri Gjiknuri tha se po ka autorizuar Operatorin e Energjisë Elektrike të shqyrtojë mundësinë që këto nënstacione t’i rikthehen shtetit në pronësi. “Po shikojmë mundësinë që nënstacioni dhe pompa e ujit ti rikthehen shtetit, sepse janë asete që i shërbejnë banorëve”, tha Gjiknuri.

Ndërsa OST do të ndërtojë një nënstacion të ri përforcues duke qenë se nënstacioni ekzistues përbën rrezik për banorët pasi është lënë pa investime. Në fjalën e tij edhe ministri Gjiknuri siguroi naftëtarët për marrjen e statusit. “Çështja e statusit merr zgjidhje. Vetëm plotësoni dokumentacionin. Do të ngremë një grup pune për të asistuar në përgatitjen e dokumentacionit”, deklaroi ministri.

Ahmetaj: Bankat kanë sekuestruar asetet e kompanisë ARMO 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj vuri në dukje gjatë video konferencës me naftëtarët se bankat kanë sekuestruar asetet e kompanisë ARMO për shkak të kredisë me vlerë 100 milionë euro të marrë nga kreu i kompanisë Rezart Taçi. “Në 2013-n vetëm në dy banka, Raiffeisen dhe Credins kompania rezultonte me borxh 100 milionë euro”, tha Ahmetaj. Ahmetaj shpjegoi edhe rolin e shtetit në këtë proces për të cilin tha se është një marrëdhënie mes bankave dhe kompanive dhe se nuk mund të ndërhynte. Ministri bëri të ditur po ashtu se shumë shpejt qeveria do të kalojë edhe aktet nënligjore për statusin e naftëtarëve. Për rikthimin në punë të rafinerisë, Ahmetaj tha se mungojnë kushtet e sigurisë, pavarësisht se naftëtarët deklarojnë se është në gjendje pune. Kjo, sipas tij, pasi nuk është investuar.

Zhvillohet interpelanca e parë me qeverinë në Platformën e Bashkëqeverisjes me Njerëzit

Përmes shqiperiaqeduam.al një grup naftëtarësh të Ballshit kanë thirrur në interpelancë Kryeministrin dhe dy ministra. Interpelanca zhvillohet sipas modelit të interpelancës parlamentare. Çdo grup interesi e komunitet, që ka një çështje konkrete me interes publik, për të ngritur në qeveri, mund të regjistrojë kërkesën interpelancë me ministrin përkatës apo kryeministrin, platformën shqiperiaqeduam.al Kryeministri Rama ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes duke u regjistruar në www.shqiperiaqeduam.al 

Leave a Reply

Your email address will not be published.