Politika

Rama: Investime në portet e peshkimit për dyfishim të eksporteve në rajon

Porti i peshkimit të Durrësit i cili ishte kthyer si vend stacionimi për varka dhe jahte të ndryshëm, tashmë do të jete 100% në përdorim të peshkatarëve nga i gjithë vendi.

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit që zhvilloi dje me peshkatarët e Durrësit, Vlorës, Lezhës, Sarandës dhe Shkodrës, u premtoi atyre se së shpejti në dispozicion të peshkatarëve do të vendoset edhe porti peshkimit në qytetin e Shëngjinit, i cili sipas tij, prej vitesh qëndronte i mbyllur.

“Te bëjmë gjithçka të mundemi për të zgjidhur problemin me portet. Se pari me portin e Shëngjinit i cili mbyllet me dryn sot e kësaj dite, duhet ti japim autonomin  zonës së peshkimit në mënyrë që të mos merremi se kush vjen drejtor dhe çfarë flamuri ka drejtoria. Ne i dimë problematikat e portit e dimë qe nuk është ideali por do ta përmirësojmë”, u shpreh Rama.

Një tjetër çështje për të cilët kreu i ekzekutivit shprehu mbështetje për peshkatarët, ishin subvencionet për makineritë e anijeve dhe peshkimin e dy llojeve të peshkut, sardeles dhe açugës, si dhe krijimin e bursës së peshkimit.

“Subvencionimi i açugës dhe sardeles është hapi i parë që ka të bëj drejtë për drejtë me prodhimin, jo ti marrim peshkatarit prodhimin por ti japim atij. Nga ana tjetër duhet të bëjmë bursën e peshkut dhe të bëjmë gjithçka të mundemi për të zgjidhur problemin me portet”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama deklaroi se së shpejti, me financimin e qeverisë do të nisë investimi për rindërtimin e markatove moderne të peshkut në porte, e cila u projektua dhe ndërtua se prapthi në të shkuarën dhe që  është jashtë funksionit.

Ai premtoi se qeveria nuk do të mjaftohet me kaq, por shumë më tepër do të bëhet për sektorin, në aspektin e konkurrueshmërisë së produkteve, në tregun rajonal. “Pavarësisht se ju jeni të kënaqur me këto që janë bërë, unë i konsideroj këto që janë bërë  zgjidhje të mbijetesës. Pra, pa këto ju ishit në një luftë, jam sot, s’jam nesër, dal sot, ngec në rërë nesër. Sigurisht janë të rëndësishme, sepse është vënë një bazë, por ne do të shohim në këtë 4 vjeçar për shumë më tepër  për zhvillimin e sektorit, për konkurrueshmërinë e sektorit në rajon”, tha Rama.

Heqja e akcizës së naftës dhe TVSH-së, rritje të eksportit të peshkut 

Ashtu siç dëshmojnë edhe vetë peshkatarët, sektori i peshkimit në tre vitet e fundit, falë heqjes së akcizës së naftës për anijet e peshkimit, heqjes së TVSH për materialet e bordit, luftës kundër informalitetit në sektor, peshkimi ka njohur një bum të paparë zhvillimi, me rritje eksportesh nga 15 milionë euro në vit në 82 milionë euro vitin e fundit.

Por, sipas Zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, ky është fillimi i një procesi zhvillimi të mëtejshëm, pasi nisma të reja do të vihen në zbatim së shpejti që mbështesin rritjen e prodhimin dhe hapjen e vendeve  të reja të punës.

“Një prej nismave që bëhet për herë të parë në Shqipëri, nëpërmjet AZHBR do të jepen 20 lekë/kg. për peshkimin e sardeles dhe açuges, e cila shkon për prodhimet e shitura tek stabilimentet e peshkimit. Vetëm nga kjo nisëm fitohen minimalisht 250 vende pune të reja, sepse është prodhim i destinuar për eksport. Sivjet fillon programi IPA, i cili do të japë 50 % mbështetje për ndërrimin e motorëve të anijeve të peshkimit, për gjithë frigoriferët në anijet e peshkimit dhe për të gjithë pjesën elektronike në të gjithë flotën tonë të peshkimit.”

Në perspektivën e zhvillimit të sektorit është edhe modernizimi i kushteve të tregtimit të peshkut, i konceptuar në ndërtimin e një rrjeti markatosh të standardeve bashkëkohore. “Në Portin e Durrësit do të nisim sivjet investimin për të përmirësuar markaton e peshkut. Këtyre investimeve do t’i shtohet markatoja e parë që po ndërtohet në Shëngjin. Gjithashtu për vitin e ardhshëm mbeten markatoja e Vlorës dhe e Sarandës, të cilat do t’i fillojmë. Në këtë mënyrë problemet madhore të peshkimit zgjidhen,” – u shpreh zëvendësministri Kristo.

Ndërsa Drejtorja e AZHBR,  Frida Krifca bëri të ditur se një mbështetje e rëndësishme do të jepet për ndërtimin e vend ankorimit të anijeve të vogla, si dhe ndërtimin e pikave të grumbullimit dhe atyre frigoriferike. “Ne do të mbështesim me 70 % të vlerës për ndërtimin e bankinave, në të cilat mund të ankorojnë anijet e vogla. Gjithashtu do të ketë investime në pika grumbullimi dhe në pika frigoriferike për gati 20 milionë lekë të reja.”

AZHBR do të akordojë 20 lekë për kg për sardelen dhe açugën dhe vetëm nga kjo nisme do të hapen 250 vende te lira pune dhe se dyti programi IPA i cili do të vihet në funksion së shpejti, do të jap 50% të shumës së shpenzimeve për pjesët elektronike të anijeve të peshkimit, duke zgjidhur disa nga çështjet kryesore të peshkimit

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button