Home / Kosova / “Maqedonia dhe Kosova kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit”

“Maqedonia dhe Kosova kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit”

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani kanë pritur në takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Shkup.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se në takimin e zëvendëskryeministrit Hoxhaj dhe kryeministrit Zaev, është diskutuar për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si hapi i parë që do ta hapë rrugën e zhvillimit të bashkëpunimeve të reja në shumë fusha.

“Palët janë pajtuar që kjo mbledhje të mbahet në mars të këtij viti, ndërsa së shpejti do të bëhet e ditur edhe data e saktë”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, sipas njoftimit, thuhet se Hoxhaj në emër të Qeverisë së Kosovës, ka dërguar mbi 20 propozime për marrëveshje dhe tema të diskutimit për mbledhjen e përbashkët, “duke u nisur nga bashkëpunimi ekonomik e tregtar, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, bashkëpunimi ndërkufitar, arsimor, kulturor, si dhe në fushën e drejtësisë”.

Zv/kryeministri Hoxhaj dhe kryeministri Zaev, janë pajtuar se viti 2018 ka potencial të jetë viti i shteteve të rajonit dhe i shënimit të progresit në proceset e integrimit euro-atlantik.

Përveç takimit me kryeministrin Zaev, Hoxhaj ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Bujar Osmani dhe ministrin e Diasporës, Edmond Ademi, ku kanë biseduar për bashkëpunime të reja në fusha të interesit të përbashkët.

Shkupi dhe Prishtina, ka thënë Zv/kryeministri Osmani i cituar nga kabineti i tij, nuk kanë çështje të hapura politike, që paraqet potencial për thellimin e marrëdhënieve mes dy Qeverive.

“Udhëheqësit shtetërorë detyrimisht duhet japin kontribut më të madh, për të përmirësuar kushtet për shkëmbim dhe komunikim, me qëllim që të mbështesin potencialin gjithnjë e më të madh të biznesit, por edhe nevojën e qytetarëve të dy vendeve për komunikim më të lehtë të ndërsjellë”, tha Osmani.

Sipas tij, marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dyja vendeve së shpejti do të demonstrohen me mbajtjen e seancës së përbashkët Qeveritare mes dy vendeve, nga ku pret daljen e nismave të reja dhe aktiviteteve konkrete, në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Dy bashkëbiseduesit, thuhet më tej në njoftimin nga kabineti i Osmanit, dhe një herë potencuan angazhimin e dy vendeve për perspektivën evropiane të rajonit, e cila është në interes të të dy vendeve që në mënyrë të ndërsjellë të mbështesin njëri-tjetrin në procesin e integrimit të BE-së.

Maqedonia, ka fituar përvojë të jashtëzakonshme përmes aktiviteteve shumëvjeçare në kuadër të procesit për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian, dhe me kënaqësi, këto përvoja do t’i transmetojë kolegëve nga Kosova me qëllim të përshpejtimit dhe avancimit të perspektivave evropiane të gjithë rajonit.

Në këtë drejtim, dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi nga mbajtja e takimit të parë të Komitetit të Përbashkët për integrime Evropiane mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës javën e kaluar në Shkup dhe u zotuan që mbajtja e këtyre takimeve të bëhet praktikë e rregullt.

Leave a Reply

Your email address will not be published.