Politika

Shqipëria mbështet rezolutën ndaj rrezikut të luftëtarëve të huaj terroristë

unnamed59-526x350Gjatë Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u zhvillua mbledhja e posaçme e Këshillit të Sigurimit, e cila kishte për qëllim miratimin e rezolutës mbi luftëtarët e huaj terroristë.

Shqipëria iu bashkua vendeve që mbështetën këtë rezolutë, e cila ka për objekt përgjigjen ndaj rrezikut në rritje që paraqesin luftëtarët e huaj terroristë. Rezoluta konfirmon vendosmërinë e shteteve anëtare për të bashkërenduar veprimet ndaj terrorizmit në të gjitha format e tij, të cilat përbëjnë rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, Ministri Bushati theksoi se, “Luftëtarët e huaj terroristë paraqesin një rrezik gjatë gjithë trajektores së lëvizjes së tyre, si në destinacionin përfundimtar ashtu edhe në shtetet ku ata tranzitojnë. Por ky rrezik është po ashtu i madh edhe për shtetet e origjinës, kur kthimi në këto vende paraqet rrezik potencial veçanërisht atëherë kur strukturat e sigurisë janë të pamjaftueshme, ku stabiliteti politik është i brishtë, ku kohezioni social është i pa konsoliduar ose kur ka rrethana komplekse të përbërjes etnike ose fetare, siç është rasti në Ballkan. Shqipëria është krenare që është ndër vendet e para të cilat i janë përgjigjur kësaj sfide”.

Ministri Bushati nënvizoi nevojën e adresimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë që favorizojnë përfshirjen e luftëtarëve të huaj në rrjetet dhe aktivitetet terroriste. Në mbyllje të fjalës së tij, Ministri shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e paqes dhe stabilitetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button