Home / Politika / Droga dhe emigracioni, Shqipëria marrëveshje me BE

Droga dhe emigracioni, Shqipëria marrëveshje me BE

Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Europian për forcimin dhe menaxhimin më të mirë të kufirit nga agjencia europiane FRONTEX.

Marrëveshja paraprake është nënshkruar nga Komisioneri i BE për Emigracionin, Dimitris Avramopoulos, dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Ministria e Brendshme, Komisioneri Avramopoulos theksoi se kjo marrëveshje do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të kufirit për të kontrolluar emigracionin e parregullt.

Në vendin tonë pritet të mbërrijë së shpejti një ekip i FRONTEX, që do të diskutojë me palën shqiptare për aspektet e tjera ligjore dhe më pas do të nënshkruhet marrëveshja e plotë.

“Kjo marrëveshje do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të emigracionit të parregullt në interes të përbashkët, si të Shqipërisë ashtu edhe të BE-së. Kjo është marrëveshja e parë që është sigluar dhe përfunduar, dhe do na shërbejë si model për të ardhmen për marrëveshje të tjera me vende si Serbia apo Mali i Zi”, Avramopulos gjatë konferencës për median me Xhafajn.

Duke u ndalur në luftën kundër krimit, komisioneri i BE tha se beteja kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojë dhe se në këtë kuadër mirëpret procesin e vetingut në polici.

Avramopulos theksoi se BE është  gati të japë fonde për luftën kundër drogës në Shqipëri.

“Më duhet të theksoj faktin që ne sot kemi nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi që ka të bëjë me luftën kundër drogës. Shqipëria në të ardhmen do të ketë mundësi të ketë akses në fondet që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës. Kam kënaqësinë të them që ne tashmë do të kemi mundësinë që do të mbështesim ato iniciativa në luftën tonë të përbashkët kundër drogës. Ashtu si edhe me çështjen e terrorizmit, rrjetet e drogës nuk i njohin kufijtë. Këto përpjekje mund të bëhen efikase vetëm nëse ne bashkëpunojmë”, tha ndër të tjera komisioneri Avramopulous.

Leave a Reply

Your email address will not be published.