Home / Politika / Bushati për “The Parliament Magazine”: Rruga Europiane, përparime të rëndësishme dhe ambicioze

Bushati për “The Parliament Magazine”: Rruga Europiane, përparime të rëndësishme dhe ambicioze

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në një opinion për “The Parliament Magazine”, shkruan se “politikëbërësit e Bashkimit Europian nuk duhet të kenë asnjë dyshim në lidhje me angazhimin e Shqipërisë për të hapur bisedimet e pranimit”.

“Shqipëria mund të konsiderohet si një udhëheqëse rajonale dhe ne besojmë se meritojmë njohje për meritat tona të progresit”, deklaron kryediplomati shqiptar.

Më poshtë, opinioni i plotë i ministrit Bushati publikuar në “The Parliament Magazine”:

Të martën, më 6 shkurt, Komisioni Evropian publikoi dokumentin e shumëpritur të strategjisë me titull: “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të zgjeruar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”.

Dokumenti pohon se anëtarësimi në BE i Ballkanit Perëndimor është në interesat politike, të sigurisë dhe ekonomisë së Bashkimit Evropian dhe se perspektiva e besueshme e pranimit mund të jetë një forcë shtytëse për transformimin e rajonit, duke ndihmuar për të kontribuar në stabilitet, për një Evropë të bashkuar, bazuar në vlera të përbashkëta.

Dokumenti strategjik flet për “Shqipërinë që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën evropiane” dhe se “Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për të hapur negociatat e anëtarësimit, në bazë të kushteve të përmbushura”.

Kjo është një mundësi historike. Për më shumë se 20 vjet, liderët evropianë kanë folur për mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të inkurajuar që koha për t’i vënë këto fjalë në veprim tani ka ardhur.

Të gjithë kemi përgjegjësinë tona për t’a bërë këtë pjesë të një agjende më të gjerë pro-evropiane për të ndërtuar një Bashkim Evropian më të fortë, më të bashkuar dhe më demokratik, siç përcaktohet nga Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në fjalimin e tij të “State of the Union “në shtatorin e kaluar.

Le të mos ketë dyshim për angazhimin e Shqipërisë mbi këtë çështje. Ne jemi të vendosur t’a kthejmë këtë mundësi në realitet. Ne e kuptojmë se BE pret rezultate konkrete prej nesh dhe se procesi i vlerësimit të këtyre rezultateve do të jetë i vështirë, por i drejtë dhe i bazuar në meritë.

Ekziston një konsensus i fortë midis shtetasve shqiptarë për t’u bashkuar me BE dhe ne kemi ndërmarrë vazhdimisht hapa pozitivë drejt harmonizimit me standardet e BE. Sondazhet tregojnë se 80 përqind e shqiptarëve e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të Evropës, me vlera të përbashkëta dhe një respekt të përbashkët për rëndësinë e sundimit të ligjit, të drejtave të qytetarëve dhe qeverisjes së mirë.

Bashkëpunimi ekonomik i fuqishëm është gjithashtu jetik për strategjitë tona të punësimit; BE është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë që zë 2,82 miliardë euro të eksporteve tona. Ne gjithashtu kemi një kontribut pozitiv neto për të bërë drejt sigurisë së Evropës, zbatimit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar dhe menaxhimit të flukseve të migracionit. Politika jonë e Jashtme është në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Qeveria jonë po bën përparim të qëndrueshëm në të gjitha pesë fushat që Brukseli ka përcaktuar si parakushte përpara se të hapen bisedimet e pranimit, reforma administrative, mbrojtja e të drejtave të njeriut, beteja kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Ne e dimë nga përvoja praktike se zbatimi i reformës nuk është i drejtpërdrejtë, pasi ne përballemi me kundërshtimin politik nga elementet recidiviste në shoqërinë tonë të cilët janë rezistentë ndaj ndryshimeve dhe që kanë interes në mbajtjen e “rrugëve të këqija”. Por ne jemi të vendosur të arrijmë dhe t’i bëjmë reformat tona të pakthyeshme. Ne marrim kurajë nga dija se reforma mund të përfshijë dhimbje në disa fusha dhe kur kjo gjë ndodh, do të thotë se kjo metodë po funksionon dhe ka një ndikim të vërtetë.

Vitin e kaluar, parlamenti shqiptar miratoi ligje për reformimin e sistemit gjyqësor, i cili ndryshoi rrënjësisht Kushtetutën dhe krijoi një procedurë të re verifikimi për sistemin gjyqësor. Kjo reformë ka ndikuar gjithashtu në luftën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vërejtëm me pak krenari se modeli për të cilin ne, me këshillën dhe ndihmën e BE-së, zhvilluam dy vjet më parë, tani po propozohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, megjithëse në një formë më pak gjithëpërfshirëse.

Puna që kemi arritur deri më tani na jep një platformë të fortë për punën e mëtejme që do të kryhet në kuadër të negociatave të pranimit. Në këtë drejtim, Shqipëria mund të konsiderohet si një udhëheqëse rajonale dhe ne besojmë se meritojmë njohje për meritat tona të progresit.

Është e rëndësishme të mbahet mend se negociatat e pranimit mund të veprojnë si një katalizator i rëndësishëm për të përshpejtuar reformën dhe për t’a futur atë në shoqëri kur perspektiva e anëtarësimit shihet qartë nga qytetarët si diçka që është më shumë se një ëndërr. Ajo bëhet e vërtetë kur është e dukshme në horizont dhe po afrohet. Procesi negociues do të na japë këtë inkurajim për të vazhduar rrugën drejt integrimit dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më afër Evropës.

Ne e dimë se ka ende pikëpamje skeptike rreth zgjerimit të BE-së në disa vende. Por, ne gjithashtu e dimë se nuk ka alternativë. Ka shumë për të bërë gjatë muajve të ardhshëm.

Ne mirëpresim faktin se Bullgaria e ka bërë zgjerimin një prioritet kyç për Presidencën e Këshillit të BE. Ne do të kemi mundësinë të eksplorojmë këtë në një takim të Ballkanit Perëndimor që Sofja do të presë në maj. Nga takimi i Këshillit Evropian në qershor, ne jemi të sigurt se do të jemi në gjendje të arrijmë qëllimin tonë, dhe të konvertojmë skeptikët në negociata zyrtare.

Leave a Reply

%d bloggers like this: