Home / Politika / Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt integrimit

Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt integrimit

Në Tiranë zhvilloi punimet dje sesioni i parë i takimit të 12-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë, nën drejtimin e Monica Macovei, kryetare e delegacionit të Parlamentit Europian (PE) dhe Taulant Ballës, kryetari i delegacionit shqiptar, dhe me pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës dhe të mazhorancës.

Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt integrimit

Kryetarja e Delegacionit të PE-së Monika Macovei, tha se rruga drejt BE-së kalon nga reforma në Drejtësi.

Sipas saj, Shqipëria është në rrugë të mbarë për integrimin dhe partitë politike duhet të ndjekin interesin e popullit shqiptar.

“Shqipëria është në rrugë të mbarë për integrimin. Njerëzit nuk duan që partitë të luftojnë gjatë gjithë kohës. Shpresoj të jemi në gjendje të luftojmë për integrimin. Të mos kalojmë nga një ekstrem në tjetrin. Për ne është e qartë se rruga për BE-në kalon nga reforma në Drejtësi. Të shohim interesin e shqiptarëve, ata duan BE-në. Nuk është mirë kur partitë politike luftojnë me njëra-tjetrën”, theksoi Macovei.

“Është koha që ju të bashkoheni për të mirën e vendit. Njerëzit e dinë që pozitë-opozitë luftojnë me njëra-tjetrën. Shpresojmë që takimi i sotëm të jetë konstruktiv.” tha Macovei.

“Kemi dëgjuar nga Komisionin Europian për ecurinë e Shqipërisë me reformat. Duam pozitivitet. Partitë politike duhet të jenë bashkë në këto përpjekje. Të kemi një dialog konstruktiv me rekomandimet”, u shpreh ndër të tjera Macovei.

Balla: Pakt kombëtar për integrimin

Kryetari i delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Taulant Balla në fjalën e tij theksoi se “për ne është shumë e qartë se rruga për hapjen e negociatave kaloi nëpërmjet Reformës në Drejtësi dhe Vettingut, e cila është sot arritja më e madhe e Shqipërisë, e shoqërisë shqiptare, e shtetit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Balla tha se “ndoshta sot është momenti që edhe njëherë tjetër, në emër të mazhorancës, t’ju rishpreh përfaqësuesve të opozitës dorën tonë të shtrirë për një pakt kombëtar për Europën, në funksion të çeljes së negociatave si një stacion i Shqipërisë dhe jo vetëm i qeverisë apo mazhorancës sonë; e për ta shfrytëzuar hapjen e negociatave si një pikënisje për të krijuar kushtet që të kemi një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe dialog konstruktiv me opozitën këtu në Shqipëri; nga ana tjetër po ashtu, që opozita të përfshihet plotësisht në procesin e mbështetjes së Shqipërisë për të çelur negociatat”.

“Është mëse e qartë se tashmë në Bruksel janë gati t’i hapin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, ndërkohë që të gjithë e dimë shumë mirë se në qoftë se na ikën ky stacion, nuk është për fajin e Brukselit, por është për fajin tonë”, shtoi ai.

Balla u shpreh se “çdo politikan shqiptar duhet të vendosë mbi interesin politik të momentit, interesin e Shqipërisë, të paktën një herë të vetme në jetën e tij politike”.

Bushati: Mirëpresim vlerësimin dhe gatishmërinë e Komisionit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati vlerësoi momentin kyç të mbajtjes së punimeve të këtij Komiteti, në vitin vendimtar për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“Ne mirëpresim vlerësimin dhe gatishmërinë e Komisionit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe e konsiderojmë atë si shprehje të njohjes së progresit në vend, dhe si konfirmim të nevojës për të ecur përpara në këtë drejtim. Besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga Vendet Anëtare të Bashkimit Europian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit”, theksoi Bushati.

Ndërsa vuri në dukje se, rikthimi i vëmendjes së Bashkimit Europian në procesin e zgjerimit duke theksuar rëndësinë e perspektivës së besueshme të anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor është mesazhi i duhur në këtë moment.

Ministri Bushati theksoi se, angazhimi më madhor është reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë, si dhe lufta kundër lëndëve narkotike, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Parlamenti, megjithë debatet e zjarrta dhe rezistencën e shfaqur nga segmente të caktuara të politikës, ka pasur një rol jo të vogël në përmbushjen e reformave kyçe. Në muajt e parë të legjislativit të ri, arritëm të miratonim me konsensus një numër aktesh që lidhen me konstituimin, financimin dhe funksionimin e institucioneve të vetting-ut, sikundër ligjin shumë të rëndësishëm për pakicat kombëtare.” tha ai.

Bushati theksoi se, periudha në vijim do të jetë vendimtare për Shqipërinë. “Në frymën dhe angazhimin e Stategjisë së Zgjerimit, ne presim që raporti i Komisionit Europian, krahas evidentimit të progresit dhe reformave që duhen ndërmarrë të projektojë qartësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Një vlerësim i tillë do të krijonte atmosferën e nevojshme dhe besimin mes Vendeve Anëtare për vendimmarrjen dhe afatizimin e këtij procesi.” deklaroi ministri.

“Ka filluar zbatimi i elementit kyç të reformës në drejtësi, që është rivlerësimi i rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve duke nisur me gjykatat më të larta. Proces që bazohet në tre kritere thelbësore, që përfshijnë vlerësimin e figurës, aftësive dhe aseteve. Ndërkohë që është për t’u shënuar fakti që një pjesë e gjyqtarëve të instancave më të larta kanë dhënë dorëheqjen, duke mos pranuar që t’u nënshtrohen procesit të vettingut, çka do të thotë që reforma ka filluar të japë frytet e saj.” theksoi Bushati.

Ai vuri në dukje se në marrëdhënie me vendet e rajonit, Shqipëria ka fuqizuar angazhimin dhe kontributin e saj. “Me Greqinë jemi përfshirë në një proces intensiv dialogu që synon të adresojë çështje me një peshë të caktuar historike, por edhe tema të mprehta të aktualitetit. Kemi pasuruar traditën e takimeve ndërqeveritare me Maqedoninë, krahas Kosovës. E të njejtën gjë do të bëjmë në pranverë edhe me Malin e Zi. Po forcojmë bashkëpunimin rajonal përmes vënies në jetë të Planit të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe RYCO, dy organizatat më të reja, janë tërësisht funksionale dhe kanë filluar projektet konkrete.

Në këtë kontekst, vlerësojmë vendin që Strategjia e Zgjerimit i dedikon linjëzimit të politikës së jashtme të vendeve kandidate me atë të Bashkimit Europian, një fushë ku njihet qartësisht serioziteti dhe vijimësia e politikës së jashtme të Shqipërisë.” tha Bushati.

Vlahutin: Shqipëria mundësi reale dhe imediate për hapjen e negociatave 

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, deklaroi të hënën se “Shqipëria ka një mundësi reale dhe imediate për të ecur përpara, sa i përket hapjes së negociatave”.

Në fjalën e saj në takimin e 12-të të Takimit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-Be, Vlahutin theksoi se “muajt që kemi përpara do të jenë intensive dhe do të jemi ambiciozë, do të vijë raporti i progresit në maj, do të mbahet samiti i përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje në maj dhe në fund edhe takimi i Këshillit Europian në qershor”.

“Progresi i Shqipërisë drejt rrugëtimit europian është suksesi i shumë qeverive dhe i shumë partive politike, por mbi të gjitha ai është suksesi i grave dhe i burrave shqiptarë, të cilët nuk kanë kursyer asnjë energji, asnjë sakrificë për të ndryshuar realitetin e vendit dhe e kanë mbajtur fort në dorë sloganin “E duam Shqipërinë si pjesën tjetër të Europës”, tha Vlahutin.

“Është e domosdoshme, – vijoi ajo, – që Shqipëria të punojë madje edhe më tepër përsa i përket sigurimit të standardeve europiane dhe veçanërisht përsa i përket shtetit të së drejtës, përfshirë këtu luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave themelore, qeverisjen e mirë dhe forcimin e institucioneve demokratike.”

Ambasadorja e BE-së, u shpreh se kjo reformë është e domosdoshme, sepse do të sjellë më tepër investime dhe një ekonomi më cilësore, shërbime më të mira, edukim më të zgjuar dhe një mjedis më të pastër.

“Përsa i përket rezultateve precize të progresit në periudhën e fundit, unë them të presim deri në fund të prillit në raportin vjetor, megjithatë është e qartë përtej çdo dyshimi që Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme me miratimin e reformës në drejtësi, ne kemi filluar të shikojmë rezultatet e prekshme, produktet e para të një ndryshimi të tërësishëm të sistemit”, theksoi Vlahutin.

“Ne, – vijoi ajo, – po i shohim rezultatet e para të procesit të Vetingut edhe përpara fillimit të seancave dëgjimore publike, ne do të vazhdojmë të kërkojmë rezultate për të gjitha përparësitë kyçe.”

Vlahutin theksoi se “Shqipëria ka fituar kohë dhe i ka paraprirë reformave në fushën e së drejtës, kështu që, në momentin kur do të çelen negociatat do të ketë mundësi reale për të qenë pararojë e këtij procesi”.

“Hapja e diskutimeve për pranim nuk është dhuratë, por është një përshpejtim përpjekjesh. Roli i parlamentit do të bëhet edhe më shumë i rëndësishëm pas çeljes së negociatave”, tha ajo.

Duke falenderuar kolegët europianë që ndodheshin në takim, Vlahutin theksoi se “puna e Parlamentit Europian me kolegët shqiptarë është dëshmia më e qartë dhe më e mirë e mënyrës se si vende të ndryshme mund të gjejnë zërin e përbashkët përsa i përket një plani për Europën dhe që bën të mundur gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin”.

Ambasadorja e BE-së, u shpreh se “i takon gjeneratës sonë ta bëjë Shqipërinë dhe rajonin pjesë të BE-së dhe së pari ju takon juve, miqve tanë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, ta bëni këtë gjë. BE është e gatshme për t’ju shoqëruar në këtë rrugëtim me Parlamentin Europian, me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së”.

Macovei:  Sistemi i drejtësisë të jetë gjithëpërfshirës

Kryetarja e delegacionit të Parlementit Europian, Monica Macovei theksoi se “sistemi i drejtësisë është shumë i rëndësishëm. Ai duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, shpresoj që procesi i Vettingut të përmbushë gjysmën e gjithë objektivave”.

Duke folur gjatë takimit të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Tiranë, Macovei tha se shpresonte që reforma të ishte mundësisht sa më e shpejtë dhe funksionimi i sistemit të varej gjithmonë te njerëzit.

“Kemi gjyqtarë e prokurorë që janë profesionistë, sepse vetëm një profesionist mund të jetë kurajoz, vetëm një profesionist mund të jetë i guximshëm dhe nuk i dëgjon politikanët. Është e rëndësishme të kemi profesionistë kurajozë, që mund t’i dalin përballë rrezikut, që janë të ndershëm, që kanë integritet, që janë sypatrembur, të fuqishëm, dhe vetëm atëherë mund të vendoset drejtësia në vend”, nënvizoi Macovei.

Sipas saj, populli shqiptar kërkon të shohë këtë rezultat: drejtësi për të gjithë, për të varfërit, opozitarët, për të gjithë.

“Në rastet kur politikanët ushtrojnë presion ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve e gjithë ideja është të kemi persona të fortë, që të përballen me sukses me presione të tilla dhe të mos ndikohen”, tha Macovei.

Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian, Monica Macovei, tha se “nëse drejtësia do të bëhet, atëherë sistemi i drejtësisë do të vërë në vend të gjithë pjesët e tjera të sistemit, përfshirë këtu edhe klasën politike në vend dhe për këtë arsye sistemi i drejtësisë është shumë i rëndësishëm. Duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës shpresoj që procesi i Vettingut të përmbushë gjysmën e tërë objektivave”.

Hysi: Kuvendi ka ushtruar detyrën brenda afateve ligjore

Deputetja e maxhorancës Vasilika Hysi, gjatë fjalës së saj, u ndal në ecurinë e proceseve të reformës në drejtësi.“Jemi në pritje të rezultateve të Vetting-ut pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është organ shumë i rëndësishëm, i cili do të bëjë rekrutimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe sikurse jeni në dijeni, Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, ka hapur thirrjen për vendin vakant”, tha Hysi.

Sipas saj edhe Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të reformës në drejtësi, ka ushtruar detyrën e vet brenda afateve ligjore, duke mbledhur 56 kandidatura për anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjykatës (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), të cilat kanë kaluar në proces vettingu për vlerësim. Sapo të përfundojë ky proces, Asambleja e gjyqtarëve dhe e prokurorëve do të bëjë përzgjedhjen duke i hapur rrugë funksionimit të KLP dhe KLGJ-së”, tha Hysi.

Pollo: Rëndësi, dialogu politik

Ndërsa deputeti demokrat Genc Pollo vuri theksin në rëndësinë që ka dialogu politik. “Në këtë këndvështrim tha ai, çështja është se si të materializohet ky dialog politik, që është i lidhur me çështjet e shtetit ligjor, të cilat zgjidhen së bashku dhe jo në mënyrë të njëanëshme, pasi kjo nuk e ndihmon negocimin”, theksoi Pollo.

Sipas tij, “cili do të jetë vendimi në qershor për hapjen e negociatave, ne nuk e dimë dhe shpresojmë të jetë pozitiv”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: