Politika

Rama në Parlament: Reforma në arsim dhe ndërtimi i teatrit nuk ndalen

“Reforma në Arsim dhe ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar nuk do të ndalen nga opozita”, deklaroi kryeministri Edi Rama sot në Kuvend.

Në fjalën e tij duke iu përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me debatin mbi reformën e Arsimit të Lartë dhe takimin që zhvilloi me senatin e Universitetit të Tiranës, kryeministri Rama tha se “ky teatri që bëni ju këtu, që e ka kthyer politikën në teatër mund të vazhdojë, mund t’i bini sa të doni daulleve të gjëmave, gjëma nuk ka, gjëma nuk do të ndodhin dhe qoftë ligji i ri i arsimit të lartë, reforma dhe universiteti apo teatri i ri dhe rruga e re për teatrin dhe kulturën nuk do ndalen prej jush”.

“Të gjithë ata që kanë mbaruar Universitetin e Tiranës duhet të ndihen të fyer që Agjencia britanike e Akreditimit e ka rankuar Universitetin e Tiranës të fundit në të gjithë listën e universiteteve që ka marrë në shqyrtim dhe në gjuhën popullore, kjo quhet bishti i fundit i kavallit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ku është këtu fyerja , është te fakti se universiteti është katandisur jo për shkak të potencialeve, të traditës, por për shkak të keqqeverisjes së brendshme në fundin e bishtit të kavallit.

“Në takimin e fundit me Këshillin e Senatit të Universitetit unë dëgjova Dhori Kulen, anëtar aktiv i PD-së që të thoshte shumë më tepër seç thashë unë për universitetin dhe gjendjen e tij. As më shumë e as më pak, por Dhori Kule, i cili ka patur detyra të larta në PD dhe e ka përfaqësuar PD-në në Këshillin Bashkiak të Tiranës tha se i vjen turp nga Universiteti i Tiranës sot, jo nga fakti që zonja e nderuar ka studiuar në atë universitet, as nga fakti se shumica dërrmuese ka kaluar në atë universitet, as nga çfarë ai ka dhënë në histori, por nga çka Universiteti është sot, një vend ku ka një ngërç të brendshëm, sepse rektori grindet me kryetarin e bordit të administrimit dhe përfundon çështje bravash”, nënvizoi Rama.

Duke iu drejtuar opozitës, Rama u shpreh se “ligji i ri për arsimin e lartë është i duhuri dhe stërvonuari dhe ju që jeni e djathta, për thjesht e vetëm një pozicionim në letër, por që prej kohësh jeni djathi kaçkavall plot vrima që nuk hahet, merrini pozicione që nuk kanë lidhje me të djathtën, me programin e të djathtës”.

Duke replikuar me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, Rama tha se “profesor the një të vëtetë që e ndajmë jo vetëm unë dhe ju, por edhe unë me Dhori Kulen sepse që ka një shqetësim sesi po administrohet Universiteti i Tiranës, ky është thelbi”.

“Në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë qeveria nuk ka asnjë të drejtë dhe asnjë detyrim të administrojë Universitetin e Tiranës. Administrimi i tij është kompetencë ligjore e Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës”, nënvizoi Rama.

Ai tha se në bazë të ligjit të ri Bordi i Administrimit është i ndarë nga drejtimi akademik që fillon me rektorin e zbret poshtë.

“Nuk është e vërtetë që ne shkuam në universitet, e vërteta është që ne morëm një shqetësim publik nga një grup pedagogësh dhe duke qenë se jemi gjithmonë të gatshëm të komunikojmë me këdo që ka shqetësim për të ndarë me ne, shprehëm menjëherë gatishmërinë që të takohemi me të gjithë senatin e Universitetit, pikërisht sepse nuk kemi të drejtën të bëhemi palë apo të zgjedhim një palë kundër një pale tjetër dhe të ndërhyjmë në një proces diskutimi të brendshëm që është legjitim”, tha Rama duke shtuar se nuk shkuam për bravën.

Kryeministri tha se “dekani i nderuar për ju dhe i respektuar për të gjithë ne Dhori Kule, kontribues aktiv i PD-së, përfaqësues i lartë i PD-së dhe dekanë të tjerë të cilët u shprehën literalisht, na vejn turp të dalim në rrugë në këtë gjendje që është katandisur sot Universiteti Tiranë për shkak, sipas tyre, të keqdrejtimit dhe abuzimit me ligjin të rektorit”.

Teatri Kombëtar do të shembet, do të ndërtojmë hapësirë europiane

“Sapo dëgjova këtu dhe është shumë e qartë ashtu si është shumë e qartë që ju merrni përsipër të thoni po fyhet elita e kombit po fyhen artistët, për çfarë dhe nga se, ku është fyerja këtu, apo sepse ju jeni të gatshëm të kapeni pas çdo fije bari si i mbyturi dhe të kujtoni se fija e barit është leva e Arkimedit, që do t’iu kthejë prapë ju aty ku me këto mend ju nuk ktheheni më”.

“Ne nuk jemi të përsosur, ne nuk jemi pagabueshëm, ne patjetër që bëjmë gabimet tona, por një gjë është e sigurtë, jemi jemi të pakonkurrueshëm nuk na konkurroni dot. Pse vuajnë aktorët, çfarë duan, mos duhet t’ua shpërndajë qeveria rolet, mos duhet të ringrejmë Kinostudion Shqipëria e Re dhe tu japim punë, mos duhet tu vëmë tapetin e kuq të japin shfaqje?”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “keni parë ndonjë vend normal që aktorët të ngrihen sa herë flitet për mure”.

Rama u shpreh se dy gjëra janë shumë të qarta ligji i ri për arsimin e lartë është i duhuri dhe stërvonuari dhe ju që jeni e djathta për thjesht e vetëm një pozicionim në letër, por që prej koshësh jeni djathi kaçkavall plot vrima që nuk hahet merrini pozicione që nuk kanë lidhje me të djathën, me programin e të djathtës.

Ne do ta ndërtojmë Teatrin e ri Kombëtar më në fund, nuk e ndërtuam dot në atë kohë kur filloi mbledhja se kjo që vazhdoi edhe këto ditë është një mbledhje që ka filluar para 20 vjetësh, kanë vdekur të gjithë ata që e nisën mbledhjen , përveç Robert Ndrenikës, mbledhja vazhdon dhe Teatri akoma nuk është ndërtuar, sepse askush nuk e kishte mendjen të ndërtonte teatro, muzeume dhe stadiume në këtë vend”.

Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha se “ju që na vini na qaheni për elitën për kulturën dhe artin, ju, që ndërkohe ne nuk kemi bërë aq sa ka nevojë ky vend, sepse nuk mund ti ndërtojmë të gjithë teatrot , muzetë, stadiumet që i duhen një vendi në një kohë kaq të shkurtër për këto investime kaq të mëdha”.

Por, vijoi ai, është pak por e sigurt që ne kemi ndërtuar për herë të parë që nga 1991 teatro, muzeume, stadiume dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë të tjera, doni apo s’doni ju.

“Teatrin e ri Kombëtar do ta bëjmë dhe atë godinën aty do ta shembim që ta keni shumë të qartë dhe aty do të krijojmë hapësirën europiane për të vënë shfaqje, për të bërë dhe parë teatër”, tha Rama.

Spaho:  Qeveria të zgjidhë ngërçin e universiteteve

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho i doli në mbrojtje Universitetit të Tiranës lidhur me klasifikimin e universitetit në fund të listës, pas akreditimit të universiteteve nga Agjencia Britanike për standardet e cilësisë.

Ai tha se ky përfundim ka ardhur si pasojë e mungesës së kujdesit nga ana e vetë universitetit ndaj dokumentacionit, për të cilat ai deklaroi se ka shumë pak njerëz që kujdesen. Për deputetin demokrat, dokumentacion ka qenë shkaku i kësaj renditje.

“Nuk është problem që u vonuan pagat e pedagogëve por problem është si funksionin ky universitet. Dhe mund të jetë vërtetë që UT të jetë e fundit në klasifikim nga ajo kompania angleze por nuk është fakt i paditur që për letrat në universitetin e Tiranës, ka shumë pak njerëz që kujdesen dhe kompania angleze kur vjen së pari shikon dokumentacionin. Por ju nuk mund ta mohoni që në Universitetin e Tiranës ka kapacitete sepse Shqipëria këtë universitet ka dhe nëse i konsiderojmë këta pedagogë elitë, nuk bëjmë gabim”.

Sakaq, ai i kërkoi qeverisë që të ulen për bisedime për të zgjidhur ngërçin e universiteteve.

“Kemi pasur problem me studentët  kur filluat aplikimin me Ligjin e Ri të Arsimit të Lartë, tani po kemi probleme me pedagogët. Shkolla ka studentët dhe pedagogët dhe problemet e infrastrukturës dhe autonomisë së universiteteve. Për këtë lloj problemesh po ju kërkojmë që të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë një zgjidhje. Ne jemi në krahun e pedagogëve”, deklaroi Spaho.

Duke prekur jo vetëm debatet e ditëve të fundit mbi çështjen e artistëve, Spaho tha qeveria duhet të marrë mendimet e artistëve sa herë përpilon një ligj, gjë për të cilën deputeti deklaroi se nuk është bërë deri tani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button