Politika

Bushati në Sofje: Strategjia e KE, një hap i mirë dhe në drejtimin e duhur

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së (Gymnich), që u zhvillua në Sofje.

Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta të sigurisë në Evropë, dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Ministri vuri në dukje masat dhe arritjet e Shqipërisë në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, si dhe nënvizoi mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së, për adresimin e sfidave të sigurisë.

Kryediplomati shqiptar ritheksoi nevojën për një prani të shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, në kuadrin e një partneriteti të përforcuar në përballjen me sfidat e përbashkëta.

Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe të ofrimit të mundësive të punësimit për të rinjtë, si instrumentat më efikase për parandalimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste.

Në këtë kuadër, Ministri theksoi nevojën për të ngushtuar hendekun në zhvillimin ekonomik midis vendeve të BE-së dhe rajonit tonë edhe përmes instrumenteve financiarë të procesit të zgjerimit të BE-së, në zbatim të Komunikatës së Komisionit Europian mbi perspektivën e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë një interviste të shkurtër, menjëherë pas mbërritjes së tij në Sofje, ministri Bushati ka deklaruar se, edhe pse do të dëshironte që Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Europian të ishte më e detajuar mbi hapat që duhet të ndërmerren nga vendet kandidate, ajo është një hap i mirë dhe në drejtimin e duhur, sidomos pas vitesh të vështira që ky proces ka kaluar. Ministri përsëriti dëshirën për të punuar me Komisionin dhe vendet anëtare për materializimin e 6 nismave madhore që do ta afronin më shumë vendin tonë me BE-në.

“Dëshiroj të rikonfirmoj që ky është një hap i mirë, në drejtimin e duhur, sidomos pas viteve të vështira që procesi i zgjerimit ka kaluar. Ne dëshirojmë të punojmë me Komisionin dhe vendet anëtare në materializimin e 6 nismave madhore që potencialisht do na afronin më shumë pranë BE-së”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button