Home / Politika / Diaspora shqiptare, prezantohet nisma e OKB-së për Shqipërinë

Diaspora shqiptare, prezantohet nisma e OKB-së për Shqipërinë

Me mbi 1.4 milion shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Itali e Greqi dhe me prani në te gjithë botën, diaspora shqiptare përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme por gjerësisht të pashfrytëzuar për Shqipërinë.

Sfida e së tashmes është që të krijohet një mjedis që nxit angazhimin e diasporës për të ofruar talentin, praktikat dhe përvojat më të mira për të zhvilluar Shqipërinë.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM) – agjencia e OKB për migracionin – lajmëroi sot nisjen e një programi që synon të trajtojë pikërisht këtë sfidë: të rrisë angazhimin e diasporës shqiptare për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë.

Ky program financohet nga Kooperacioni Italian dhe zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin në bashkëpunim me ministrin e Shtetit për Diasporën, atë për Europën dhe Punët e Jashtme si dhe ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Ky program tre vjeçar do të mbështesë Qeverinë e Shqipërisë për të zbatuar një qasje gjithëpërfshirëse për angazhimin e diasporës. Programi do të fokusohet në diasporën shqiptare në Itali me një prani prej rreth 500 mijë personash.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cilësoi bashkë atdhetarët që jetojnë jashtë vendit si një pasuri për Shqipërinë.

“Shqiptarët jashtë vendit janë një pasuri thuajse e pashfrytëzuar e kombit shqiptar. Prandaj ky projekt është i rëndësishëm, pasi do të na mundësojë një qasje më të efektshme ndaj potencialit të pakufishëm të diasporës sonë”, tha ai.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, vendosi theksin në rolin e rëndësishëm që diaspora mund të luajë. “Migrantët zotërojnë dije dhe talente. Këto janë vlera themelore për bashkëpunim. Të dy vendet tona mund të përfitojnë nga angazhimi i diasporës” tha ai.

Kreu i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë, Nino Merola, vuri theksin në cilësitë e veçanta të programit.

“Ky është një program inovativ që do të shndërrohet në një model për zhvillimin social dhe ekonomik në të gjitha nivelet. Ai mund të sjellë një ndikim të ndjeshëm në komunitete, si në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, ashtu edhe në sektorin agro-ushqimor, për të përmendur vetëm dy shembuj të mundësive që projekti sjell”, u shpreh Merola.

Drejtuesja e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në Tiranë, Alma Jani, tha se programi do të nxisë diasporën për të transferuar dijet e tyre në funksion të zhvillimit të vendit.

“Aftësitë dhe dijet e diasporës do të hartëzohen dhe profilizohen dhe më tej do të harmonizohen me nevojat përkatëse vendore si dhe me strategjitë dhe planet kombëtare të veprimit”, tha ajo, duke shtuar se pjesë e programit do të jetë dhe hartimi dhe zbatimi i një skeme projektesh afatshkurtra (fellowships) të shënjestruar tek diaspora.

Programi është ndërtuar për të pasur në fokus mbështetjen e investimeve si dhe ngritjen e bizneseve të reja nga pjesëtarë të diasporës.

Gjatë programit është menduar krijimi i një platforme për nxitjen e investimeve e quajtur “Connect Albania”, si dhe ngritja e një fondi specifik për bizneset e reja për migrantët e brezit të dytë që dëshirojnë të ngrenë bizneset e tyre në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.