Home / Politika / Bushati: Fazë e re zhvillimi në marrëdhëniet shqiptaro-grek

Bushati: Fazë e re zhvillimi në marrëdhëniet shqiptaro-grek

“2018-ta do të jetë një vit ku marrëdhëniet shqiptaro-greke, do të njohin një fazë të re të zhvillimit të tyre”.

Kështu deklaroi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një intervistë mbrëmjen e djeshme për Ora News, ku komentoi vizitën e homologut grek, Nikos Kotzias, ditën e sotme në Shqipëri, dhe ecurinë e negociatave me Greqinë.

“Jam optimist që 2018-ta do të mund të shënohet edhe si një vit i adresimit të çështjeve të mbartura me Greqinë, sepse është bërë një punë voluminoze në këtë drejtim. Mendoj se janë pjekur kushtet në të dyja vendet për të ecur me vendosmëri përpara. Natyrisht do të na duhet punë për të eleminuar apo për të evituar të gjithë atë retorikë apo lajme të pavërteta, që nuk ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve”, tha Bushati.

Qëllimi i takimit, sipas Bushatit ishte shqyrtimi i progresit të arritur në kuadër të mekanizmit të dialogut dypalësh, që ka dy vite që funksionon.

“Siç dihet, janë bërë hapa para në fushën e teksteve shkollore, heqjen e Vulës Apostile, që  ka një impakt të prekshëm për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, dhe në fushën e gërmimeve që po bëhen për të rënët grekë gjatë Luftës Italo-Greke. Diskutuam edhe për hapat që do të ndërmerren në vijim për përfundimin e marrëveshjes për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve, që do të çlirojë energji pozitive dhe efekte praktike për shtetasit shqiptarë dhe grekë”, tha Bushati.

Po ashtu sipas Bushatit, në takim u fol edhe mbi diskutimet që do të bëhen në nivelin teknik për çështjen e kufizimit të zonave detare.

“Diskutuam gjithashtu për të gjitha çështjet që përmban paketa, që do të duhet të konkludohen me një dokument të karakterit strategjik, një deklaratë e Partneritetit Strategjik apo të Miqësisë dhe Mirëkuptimit që merr në konsideratë të gjitha zhvillimet në këtë fushë, arritjet dhe krijon mundësitë për të na ofruar një perspektivë më strategjike të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë”, tha Bushati.

Bushati hodhi poshtë si të pavërtetë lajmin që qarkulloi në media sipas të cilit, Kotzias kërcënoi se do të largohej nga takimi nëse përmendej çështja çame.

“Nuk ka asnjë të vërtetë, është një nga lajmet e shumta që sajohen apo trillohen. Për këtë çështje është diskutuar disa herë dhe dihet qëndrimi i palës shqiptare. Takimi zgjati rreth 3 orë e pak, çka e vërteton se ajo që ka dalë është tërësisht e pavërtetë”, tha Bushati.

Sipas tij, “qëllimi ynë dhe objektivi ynë nuk është për të rishkruar historinë, sepse palët kanë qëndrime të ndryshme”.

Misioni ynë, vijoi Bushati, “është për të gjetur zgjidhje që ofrojnë pikëpamjet e palëve dhe të adresojnë plagët e së kaluarës në një kontekst të ri”.

“Në një pjesë të mirë të çështjeve që kanë kohë që diskutohen në këtë paketë, synojmë që si palë t’i zgjidhim në përputhje me instrumentat që na ofron e drejta ndërkombëtare”, vijoi ai.

Vizita e Tsipras në Tiranë, brenda verës 

Lidhur me vizitën e pritshme të kryeministrit grek Tsipras në Tiranë, Bushati tha se “për shkak të një lloj vonese nga pikëpamja e bisedimeve me Greqinë, kjo vizitë do të riplanifikohet për një periudhë të mëvonshme”. “Ishte planifikuar të ndodhte në pranverë, por besoj se do të kryhet brenda këtij viti. Janë të gjitha mundësitë që kjo vizitë të kryhet brenda verës”, tha Bushati.

Bushati informoi se në takimin me homologun grek, Kotzias është rënë dakord për kalendarin e takimeve që do të zhvillojnë ekspertët, sa i takon ambicies së të dyja palëve për të arritur një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare.

“Po ashtu është rënë dakord për të vijuar me mbylljen e dy marrëveshjeve të tjera të regjimit kufitar tokësor. Për të konkluduar për çështje javësh, marrëveshjen për patentat më pas për shfuqizimin e ligjit të luftës dhe të gjitha pasojave ligjore që burojnë nga ky regjim, si dhe për të punuar drejt partneritetit të ri mes dy vendeve tona”, theksoi Bushati.

Sipas Bushatit, negociatat në nivel teknik për kufirin detar do të fillojnë për çështje ditësh. “Duke qenë se po i afrohemi Pashkëve kemi punuar për një kalendar se kur dhe ku, do të mblidhet apo zhvillohen takimi, natyrisht në Shqipëri dhe në Greqi, mbi bazën e një praktike reciprociteti siç ndodh në raste të tilla”, theksoi ai.

Bushati nënvizoi se takimet do të jenë vetëm të nivelit teknik, pasi puna politike dhe takimet eksplorative janë zhvilluar sidomos me intesitet mjaft të madh 2 vitet e fundit.

“Parimet me të cilat grupi i ekspertëve teknikë ulet në tryezën e bisedimeve dihen. Shpresoj të gjendet gjuha e përbashkët që të kemi një marrëveshje të re dhe më të ndershme se e 2009”, theksoi Bushati.

Me Presidentin, bashkëpunim institucional si pjesë të një skuadre

Duke komentuar marrëdhënien me Presidentin e Republikës në këtë proces, Bushati tha se “jemi përpjekur për t’a konceptuar bashkëpunimin institucional si pjesë të një skuadre”.

“Kemi një marrëdhënie korrekte. Fillimi i letërkëmbimeve u duk sikur po ndodhte në një  atmosferë të tendosur, por i jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve të Presidentit. Pala shqiptare ka një avantazh, ka bërë disa gabime në të shkuarën, por ka një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, që nuk ofron zgjdhje, por përcakton një libër të qartë rregullash, që duhet të kihen parasysh nga ekipi teknik. Ky libër është pasuruar edhe falë ndërveprimit ndërinstitucional qeveri-president”, tha Bushati.

Ai theksoi se me Presidentin e Republikës do të vazhdojë konsultimi dhe komunikimi për këtë çështje. “Dihet që Presidenti autorizon edhe firmosjen e kësaj marrëveshje, sikundër në çdo moment ka të drejtën të kërkojë informacion mbi ecurinë e procesit në kuptimin teknik”, tha Bushati.

Aplikimi vetëm i parimit të baraslargësisë, jo domosdoshmërisht ndihmues 

Në rastin e një marrëveshjeje të mundshme të re me Greqinë, aplikimi vetëm i parimit të baraslargësisë, sipas Bushatit, nuk është domosdoshmërisht ndihmues për relievin gjeografik që ka Shqipëria dhe Greqia.

“Aplikimi i parimeve të tjera, bëhet sidmos në ato zona me reliev gjeografik të diskutueshëm për palët. Kjo është një nga arsyet që na shtyn të besojmë se marrëveshja e re duhet të jetë më e drejtë dhe e ndershme për të dyja palët dhe në fund të këtij procesi të dyja shtetet të jenë të kënaqura nga procesi i negociatave”, tha Bushati.

Nuk ka kushtëzime të bisedimeve me Greqinë me çeljen e negociatave 

I pyetur nëse Greqia e kushtëzon hapjen e negociatave me BE-në me ecurinë e bisedimeve dypalëshe, Bushati tha se, “nuk ka kushtëzime dhe lidhje ndërmjet një elementi që sot për sot jemi duke diskutuar me Greqinë dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim”.

“Por, e thotë shumë qartë strategjia e zgjerimit që çështjet dypalëshe, apo çështjet e hapura mes dy vendeve duhen zgjidhur në një fazë shumë të hershme, që vetë BE të mos ketë brenda gjirit të vet çështje të pazgjidhura. Duke qenë se vetë BE ka nxjerrë mësime në procesin e zgjerimit me rastin e Qipros, apo çështjen e hapur në Gjirin mes Sllovenisë dhe Kroacisë në Adriatik, BE nxit kapërcimin e të dyja ngërçeve në fazë të hershme”, tha Bushati.

Dëbimi i diplomatëve rusë, vendim i koordinuar me NATO dhe BE

I pyetur mbi dëbimin e dy diplomatëve rusë, Bushati theksoi se “ishte një vendim apo veprim i koordinuar me një mazhorancë të vendeve anëtare në NATO dhe BE”.

“Shqipëria është e njohur për qartësinë e saj në orientimin e politikës së jashtme në përputhje me vlerat që mishërojnë NATO dhe BE. Nuk ka qenë një qëndrim thjeshtë dhe vetëm i Shqipërisë, kombinohen të dy elementët. Sinkronizimi me aleatët e Aleancës së Veriut dhe me partnerët tanë në BE dhe fakti që edhe në përputhje me veprimtarinë dhe ndërveprimin me anëtarë të ndryshëm të Aleancës, rezulton që për dy diplomatët në fjalë, aktiviteti i tyre shkon përtej cakut të diplomatit”, tha Bushati.

Duke u ndalur te marrëdhëniet me Moskën zyrtare, Bushati tha se “marrëdhëniet tona kanë vite të cilat nuk po ngrihen dot mbi një lloj pike shumë të ulët, qoftë për sa i përket këndshikimeve diametralisht të ndryshme për zhvillimet në Ballkan dhe sidomos qëndrimit refraktar të Moskës dhe në disa raste paragjykues ndaj rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan”.

“E kam thënë edhe në takime zyrtare, pavarësisht këndshikimeve të ndryshme për shumë prej zhvillimeve ndërkombëtare, e kam konsideruar anomali faktin që marrëdhëniet tona janë në këtë pikë dhe faktin që Moska zyrtare nuk lë rast pa shigjetuar Shqipërinë dhe shqiptarët për zhvillimet në Ballkan. Nuk mendoj se është në interesin e Rusisë sado që është një prej aktorëve kryesor në skatierën ndërkombëtare dhe nuk është në interesin e Shqipërisë për të patur një marrëdhënie anormale me asnjë vend dhe aq më tepër me Rusinë, kur dihet pesha e saj në raportet ndërkombëtare”, shtoi Bushati.

Takimi Rama-Merkel brenda pranverës

Bushati konfirmoi se takimi i kryeministrit Rama me kancelaren gjermane Angela Merkel do të ndodhë brenda pranverës.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha nivelet e qeverisjes në Gjermani. Gjermania është një vend me peshë shumë të madhe në BE, një vend që ka investuar për stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe Ballkanit. Do të ketë takime me të gjitha nivelet e autoriteteve gjermane”, tha Bushati.

Nga takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës së fundit në Gjermani, Bushati shprehet se “ka një mbështetje të madhe sa i përket gjithë procesit të reformave që ka ndërmarrë Shqipëria”.

“Gjermania është një partnere e ndershme dhe kritike e rreptë jo vetëm sa i përket reformave në Shqipëri, por edhe për vende që sot për sot janë anëtarë në BE. Natyrisht që ka një vëmendje të shtuar për qëndrueshmërinë e procesit të reformave dhe zbatimin e ligjit të Vetting-ut, që do të arrinte në pikën e moskthimit pas”, tha ai.

Po ashtu, sipas Bushatit, “ka një mbështetje të madhe për veprimet që kanë bërë agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri si për sa i përket luftës kundër kanabisit, trafikimit të lëndëve narkotike, betejës kundër krimit të organizuar dhe Vetting-ut në polici”.

“Mendoj se është një qëndrim i ndershëm, i cili ndihmon vendin, në rastin në fjalë Shqipërinë, për të vijuar me procesin e reformave”, tha ai.

Çelja e negociatave – Stacioni i parë, 17 prilli

Lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim, Bushati tha se “stacioni i parë për ne është 17 prilli, dita kur Komisioni Europian do të publikojë paketën e zgjerimit”.

“Ne besojmë që Komisioni Europian do të propozojë nisjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Ky besim bazohet në radhë të parë tek kursi i reformave të ndërmarra dy vitet e fundit, tek logjika e rekomandimit kushtëzues, që pasoi në mbështetjen që dhanë vendet anëtare të BE, si dhe tek lidhja që ju bë hapjes së negociatave me zbatimin e reformës në drejtësi, posaçërisht ligjit të Vetting-ut”, tha Bushati.

Po ashtu Bushati tha se Shqipëria pret që Komisioni Europian të përshkruajë në mënyrë sa më të besueshme të mundshme të gjithë procesin e reformave dhe të transformimit që ka ndodhur edhe gjatë këtyre dy viteve, 2016-2018.

“Gjithashtu është normale që të presim dhe kritikat nga ana e raportit të Komisionit Europian, kritika të cilat do duhet që të adresohen në masa konkrete nga ana e institucioneve shqiptare”, tha ai.

Gjithashtu, Bushati shprehu besimin se 2018-ta, do të shoqërohet me një vendimmarrje nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”.

Ky proces, sipas tij, është i vështirë, kompleks, sfidues, sepse kërkon reforma të thella, të cilat hasin në rezistencën nga segmente të shoqërisë, politikës, grupe të ndryshme të interesit.

“Është bërë një punë kolosale për sa i përket procesit të reformës në drejtësi. Natyrisht, ky proces përballet me rezistencë, por edhe me të panjohura”, tha Bushati.

Leave a Reply

%d bloggers like this: