Home / Politika / “Rruga e Kombit”, sistem pagese të lehtësuar për përdoruesit e shpeshtë

“Rruga e Kombit”, sistem pagese të lehtësuar për përdoruesit e shpeshtë

“Ne po bazohemi te të gjitha praktikat më të mira me qëllimin e vetëm që banorëve të Kukësit t’i japim një zgjidhje dhe zgjidhja është një sistem pagese të lehtësuar, ndryshe nga të tjerët”.

Kështu deklaroi të enjten në mbrëmje i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama, ku foli për debatin e krijuar së fundi për vendosjen e tarifës së qarkullimit në “Rrugën e Kombit”.

Për banorët e zonës, Kryeministri u shpreh se “do të paguajnë të gjithë ata që kanë autovetura. “Kush është i varfër dhe nuk ka mundësi të paguaj, të marri autobusin e fugonin dhe nuk do të paguaj asnjë gjë. Kush do të kaloj me veturë në ‘Rrugën e Kombit’ do të paguaj, por jo tarifën që paguajmë ne, apo ata që vijnë nga Kosova për pushime. Do të paguajë në një sistem të lehtësuar që do të marrë në konsideratë kushtet e tyre sociale”, tha Rama.

Sipas tij, “shumica dërrmuese e banorëve nuk thonë që nuk duam të paguajmë asnjë gjë, por thonë që është e paarsyeshme pagesa 5 euro për të hyrë dhe 5 euro për të dalë, dhe kjo është e vërtetë”.

“Kontrata është një produkt i besueshëm, sepse është hartuar me asistencën direkte të IFC-së, një organizëm ndërkombëtar me ekspertizën e plotë në këtë drejtim”, tha Rama ndërsa shtoi se “unë personalisht kam kërkuar ndjesë publike, për atë problematikë për të cilën ne mbajmë përgjegjësi morale përballë banorëve”.

Sipas Kryeministrit, “duhej të ishte ndërtuar një strategji komunikimi e ndershme, duke pasur parasysh edhe faktin se ka pasur jashtëzakonisht shumë përpjekje për të nxitur zjarrin në kuptimin simbolik, por jo vetëm”. “Kjo ka ndodhur edhe në një boshllëk të lënë prej nesh, që duhet të kishim bërë më shumë sa i takon sqarimit”, tha Rama.

“S’ka asnjë arsye pse të fshihemi dhe të mos përballemi me të vërtetën. E vërteta është se ne kemi pasur një mangësi për të cilën mbajmë përgjegjësi”, shtoi Kryeministri.

Kreu i Qeverisë theksoi se “që nga fundi i muajit shkurt, kemi ngritur një grup pune për të adresuar problematikën e banorëve, bazuar në atë pikë të kontratës që lidhet me ata që quhen përdoruesit e shpeshtë të rrugës, që janë banorët e zonës dhe sipërmarrësit që e përdorin rrugën shpesh”.

Zgjodhëm të shpëtojmë “Rrugën e Kombit”

“Ne zgjodhëm të shpëtojmë ‘Rrugën e Kombit’”, deklaroi Kryeministri Rama, duke u ndalur te investimet që kërkohen për mirëmbajtjen dhe përfundimin e kësaj rruge.

“Pyetja është e thjeshtë: Duam që ‘Rrugën e Kombit’ ta shpëtojmë, apo duam që t’ua lëmë faturën shqiptarëve, një faturë që do të bëhet shumë më e kripur kur ‘Rruga e Kombit’ të çahet dhe të mos bëhet më e kalueshme”, tha Rama.

Pyetjes se përse po vendoset kjo tarifë në “Rrugën e Kombit”, ndërkohë që banorëve nuk u sigurohet rrugë dytësore, Kryeministri iu përgjigj se “çdo rrugë dytësore e mundshme vetëm në karburant do të ishte shumë më e shtrenjtë se vetë tarifa e “Rrugës së Kombit”.

“Rruga e Kombit’ po bie, ‘Rruga e Kombit’ është e kërcënuar nga një rrënim i pakthyeshëm, ka rrëshqitje toke dhe u përpi një biznes i tërë, për fat të mirë nuk ka pasur viktima. Në ‘Rrugën e Kombit’ bien gurë nga lart. Ka 37 pika, vatra rreziku të çdo momenti, pa studim gjeologjik. Tuneli vetëm dëmin për hapjen e parakohshme e ka 50 milionë euro”, tha Kryeministri Rama.

Nuk do të fillojë operimi pa u përcaktuar tarifa për banorët e zonës

Kryeministri garantoi se “nuk do të fillojë operimi pa u përcaktuar çfarë do të paguajnë banorët e zonës”.

“Ai shkatërrim barbar që u bë në sportelet e vjeljes së tarifës nuk rindërtohet as për 10 ditë, as për dy javë. Por, ne nuk do të lejojmë fillimin e operimit të sistemit pa dhënë edhe zgjidhjen dhe pa përcaktuar si do të funksionojë sistemi i pagesës për banorët dhe përdoruesit e shpeshtë”, shtoi Rama.

Sipas tij, “mundësia që ata të mos paguajnë fare taksë nuk ekziston”. “Fjala fare nuk ekziston. Se sa do të paguajnë del nga llogaritë, jo nga dëshira. Dëshira ime është që të mos paguajnë as ata dhe askush tjetër, por kjo nuk mund të ndodh”, tha Rama.

“Ne në këtë rast kemi përgjegjësi e thashë këtë qartësisht, kam kërkuar ndjesë çdo herë me sinqeritet, por ama e di shumë mirë se për çfarë kemi përgjegjësi dhe për çfarë ne jemi në këtë përpjekje. Zgjedhja është kjo: do ta shpëtojmë, apo do ta lëmë të rrënohet? Kurrë nuk ka qenë, as plani dhe as qëllimi ynë që banorët e zonës të kenë përgjithmonë tarifën 5 euro për të hyrë dhe 5 euro për të dalë. Ka pasur një kohë 6- mujore për të bërë gjithë matjet e flukseve dhe për të parë kush janë përdoruesit e shpeshtë. Kjo nuk do të ndodhë”, tha Rama.

Taksa e qarkullimit mbulon vetëm borxhin e qeverisjes “Berisha” për rrugët

Kryeministri e konsideroi një tjetër gënjeshtër, pretendimin se, “kjo rrugë nuk duhet paguar sepse mjafton taksa e qarkullimit”.

“Taska e qarkullimit është 120 milionë dollarë në vit. Ndërsa qeveria shqiptare paguan vetëm për borxhet për rrugët 110 milionë dollarë në vit, nga të cilat 42 milionë vetëm për ‘Rrugën e Kombit’”, tha Rama.

Ai sqaroi se taksa e qarkullimit është një taksë kombëtare, jo e dedikuar për rrugët, por për buxhetin.

“Rruga e Kombit”, vijoi Rama, i ka kushtuar shqiptarëve 1.3 miliard, një investim kolosal që rrezikon të na tretet para syve.

Ndërkohë, sipas tij, “Rruga e Kombit” do edhe 200 milionë të tjera të mbarohet.

Sipas Ramës, qeveria e mëparshme kërkoi vendosjen e tarifës 8-9 euro, por IFC na ka thënë se ky variant ishte me rrezikshmëri të lartë nga pikëpamja financiare.

Kemi ulur taksat për 97% të shqiptarëve

Kemi ulur taksat për 97 për qind të shqiptarëve, deklaroi Kryeministri Rama, ndërsa sqaroi vendimin që është marrë në vitin 2013 për rritjen e taksës së karburantit.

“Kur ne vendosëm rritjen e taksës së karburantit, ishte në ato momente kur Berisha përsëriste se, ‘ju pret fati i Greqisë’, sepse ai e dinte mirë se çfarë grope kishte lënë”, tha Rama.

Shqipëria e 2013-s, sipas Ramës, rrezikonte që në nëntor 2013 mos të jepte dot rrogat e pensionet.

“Ne u ulëm me FMN-në për të rimarrë në dorë frenat e ekonomisë. FMN na tha se duhet të ulni rrogat e pensionet ose duhet të rrisni taksat. Atëherë, duke parë me kujdes të gjitha ato mundësi që kishim dhe duke përfituar nga shenjat e fillimit të rënies së çmimit të naftës, ne e pamë më të arsyeshme që të taksojmë përdoruesit e makinave”, shtoi Rama.

Po ashtu, sipas Ramës, këtu është futur edhe taksa e regjistrimit të makinave.

“Nuk ka taksim të dyfishtë. Taksën e qarkullimit e ka gjithë bota pse kanë edhe pagesa rrugësh”, shtoi ai.

E vetmja taksë që i është rritur shqiptarëve, vijoi Rama, është ajo për ata që kanë makina dhe që janë shtresë e mesme, ose më e ulët, për të mos ngarkuar me taksë gjithë të tjerët, duke pasur parasysh që janë edhe ndotësit më të mëdhenj të ambientit.

“Ne jemi në një situatë ku taksat janë ulur. Biznesi i vogël e ka taksën zero. Të gjithë ata që janë me rrogë 300 mijë lekë e kanë zero. Shtresa e mesme, mësuesit, infermierët, mjekët paguajnë më pak. Më shumë paguajnë rrogat më të larta”, tha Rama.

Aeroporti i Kukësit hapet brenda këtij viti

Kryeministri kërkoi po ashtu që të mos ngatërrohen pagesat e shërbimeve, mallrave dhe energjisë me taksat, pasi nuk janë taksa.

“Nuk janë taksa biletat e avionëve”, tha Rama.

Pyetjes se përse Shqipëria ka çmimet më të larta në rajon sa i takon biletave të avionëve, ai iu përgjigj se “në Shqipëri është dhënë një koncesion për Aeroportin e Rinasit, që është ndërtuar gabim”.

“Ka tarifat më të larta në rajon që ndikon në çmimet e biletave, por aeroporti i Vlorës dhe ai i Kukësit do të sjellin ndryshim radikal”, tha Rama.

Sipas tij, aeroporti i Kukësit do të hapet brenda këtij viti./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Leave a Reply

%d bloggers like this: