Home / Politika / Rama: Fazë e re historike përgjegjësish të mëdha është hapur para nesh

Rama: Fazë e re historike përgjegjësish të mëdha është hapur para nesh

“Është e papranueshme dhe e pafalshme në raport me historinë dhe popullin shqiptar, që qoftë edhe një shqiptar i vetëm t’i bashkohet atyre individëve dhe forcave në Europë që nuk mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama i cili i bëri thirrje opozitës që të mos ushqejë me propagandën e baltës së prodhuar për politikë të brendshme në Shqipëri, këta individë dhe forca që janë kundër zgjerimit të BE-së.

Sipas tij, “kjo është ajo që ka ndodhur në Berlin edhe 48 orë më parë”.

“Kjo e bën realisht të sekëlldisshme marrëdhënien me opozitën e cila është larg së qeni aq e pjekur për të qenë në lartësinë e këtij momenti, ku çdo shqiptar që ka mundësitë të thotë një fjalë për vendin e tij, ta thotë fjalën e duhur në shërbim të vendit të vetë”, tha Rama.

Vendimi i vendeve anëtare, sipas tij, është momenti kur edhe politikisht Shqipëria duhet të mbështetet, e natyrisht që drejt atij momenti jo të gjithë janë dakord. “Jo sepse domosdoshmërisht kanë një problem me Shqipërinë, por sot në çdo vend anëtar të BE-së ka një dinamikë e cila flet qartë për rritje dhe kërvcënim të projektit të Europës së Bashkuar nga individë dhe forca që duan mbylljen dhe jo zgjerimin”, tha Rama.

Rama theksoi se “pa Partinë Socialiste dhe qeverinë e saj Shqipëria nuk bëhej dot vend kandidat; nuk e merrte dot rekomandimin e kushtëzuar të 2016 dhe rekomandimin e pakushtëzuar tani për të çelur negociatat”.

“Por kjo nuk do të thotë se kjo është një fitore e qeverisë, PS-së apo e imja si kryeministër, sepse ky është një rezultat për të cilin është punuar për shumë vite pavarësisht se dikush ka bëër më shumë dhe dikush më pak”, tha Rama.

Sipas tij, “është shumë e madhe për ardhmërinë e vendit kjo përgjegjësi dhe është shumë i madh interesi i vendit në këtë moment”.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që na takon, por opozita nuk duhet të flasë kundër Shqipërisë, duke eksportuar në kryeqytetet e vendeve anëtare baltën e prodhimit të përditshëm vendas”, tha Rama, duke shtuar se “në rastin ideal opozita duhet të bashkohet me ne në këtë përpjekje”.

Betejat e brendshme politike janë të ndezura edhe në vendet e tjera që sot janë anëtare në BE, tha Rama, por asnjë vend nuk e ka eksportuar baltën e brendshme në zyrat ku gjykohet vendi si i tërë. “Ndaj kanë dalë vendet e tjera më mirë se sa ne në këtë proces”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull rastin e Bullgarisë, që sot ka presidencën e radhës të BE-së, ku konflikti politik është i ndezur, por në programin e presidencës bullgre kanë kontribuar njësoj si qeveria edhe opozita.

“Nuk ekziston një komision i përbashkët parlamentar që shkon në Bruskel dhe e kthen në një seancë teatri lokal, ku pala tjetër rri përball dhe shikon si zihen shqiptarët me njëri-tjetrin. Nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës zyrtarë të opozitës që të vijnë vërdallë korridoreve të Brukselit apo Europës me çanta në dorë mbushur me dokumenta propagande kundër vendit të tyre”, tha Rama.

Rekomandimi për hapjen e negociatave i bazuar në meritë

Kryeministri theksoi se “sot Shqipëria ka fituar një staturë të re në shoqërinë e vendeve europiane dhe rekomandimi pa ekuivok i KE-së është një dëftesë kuptimplotë që mishëron kryerjen një për një të ‘detyrave të shtëpisë’ nga vendi ynë në funksion të çeljes së negociatave”.

Një fazë historike e rëndësishme është mbyllur, tha Kryeministri, duke shtuar se tashmë  një tjetër fazë historike ka nisur, sepse procesi që kemi para nesh është një proces përgjejgjësish të mëdha dhe sfidash të rënda.

KE, vijoi Rama, është një mekanizëm i pamëshirshëm në leximin e çdo aspekti që lidhet me detyrat e dhëna me shkrim dhe rekomandimi për hapjen e negociatave është i bazuar vetëm në një element, në meritë.

“KE nuk bën dhurata dhe as nuk ka bërë ndonjëherë gjeste bujarie për askënd dhe në këtë aspekt ka një vlerë të jashtëzakonshme fakti se ka njohur progresin e bërë”, tha Rama.

Kryeministri falënderoi të gjithë deputetët e PS-së për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë gjatë mandatit pararadhës dhe në vijim, për të garantuar se reforma në drejtësi dhe më pas ligji i Vetting-ut të mos mbeteshin një dëshirë popullore dhe një ambicie kombëtare e parealizueshme, por të ktheheshin në norma kushtetuese dhe ligjore për zbatim.

“Jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë deputetëve që u përfshin në procesin e hartimit të reformës në drejtësi si dhe çdokujt nga anëtarët e grupit tonë parlamentar që garantoi këtë reformë me vendosmërinë e duhur, edhe pse e kujtojmë të gjithë shumë mirë që në momentin kyç mes kalimit të reformës dhe dështimit të saj, vetë qeveria dhe shumica jonë qeverisëse ishte e kërcënuar. Një falënderim të veçantë për anëtarët e komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, për komisionin e ligjeve dhe patjetër edhe për të gjithë ata që e mbështetën punën e udhëhequr prej nesh në rolin e ekspertëve të jashtëm nga bota akademike dhe nga vetë brenda sistemit të drejtësisë”, tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: