Home / Bota / Itali, sot betohet kryeministri i ri

Itali, sot betohet kryeministri i ri

Përpjekja e presidentit Sergio Matarella për t’i dhënë një tjetër zgjidhje ngërçit disa mujor, dështoi. Sot në orën 16:00 bën betimin si kryeministër i vendit profesori i Juridikut, Giuseppe Conte, i cili këmbëngul se ka me vete ekipin më të mirë të ministrave.

Me të marrë detyrën, ai prezantoi listën e 19 pjesëtarëve të kabinetit, 5 nga të cilët janë gra. Njeriu që trembi Bashkimin Europian e u refuzua nga Matarella në postin e ministrit të Ekonomisë, Paolo Savona do të drejtojë ministrinë më pak të rëndësishme të Komuniteteve.

Vetë Savona u shpreh i kënaqur që tabloja politike u plotësua, edhe pse jo shumë. Nëse arritën kompromis mbi emrin tim, u shpreh ai, do të thotë se e kuptuan që në fund të fundit, nuk jam dhe aq antieuropian.

Ekzekutivi i ri do të përbëhet nga 6 teknikë, 7 pjesëtarë të “5 yjeve” dhe 6 të Lega-s. Do të punojmë me vendosmëri për të përmirësuar cilësinë e jetesës së të gjithë italianëve, ishte deklarata e parë e Contes si kryeministër i caktuar. Në këtë mënyrë, morën fund katër ditë krize politike dhe institucionale në Itali, por ndonëse ministri i ri i zgjedhur i Ekonomise Giovanni Tria, e favorizon vazhdimin e anëtarësimit në zonën e monedhës së përbashkët, konflikti i populistëve me BE-në nuk është mbyllur plotësisht.

“5 yjet” dhe Lega kanë premtuar shpenzime të reja të ndihmës sociale dhe shkurtim taksash, çka mund të bjerë ndesh me rregullat e shpenzimeve të bllokut. Vetë Matteo Salvini nga ana tjetër do të mbaje portofolin e Ministrisë së Brendshme dhe një nga premtimet e tij të para ishte një politikë e re e ashpër mbi emigracionin, që mund të ngjallë dhe kjo debate në Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.