Home / Politika / Rama: Në tre muajt e fundit 10 mijë të punësuar

Rama: Në tre muajt e fundit 10 mijë të punësuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se tre muajt e fundit të këtij vitit janë punësuar mbi 10 mijë persona, ndërsa deri në fund të tij objektivi është punësimi i 25 mijë qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë sot në punimet e konferencës kombëtare mbi zhvillimin e qëndrueshëm dhe politikat e punësimit tha se sfida tjetër e qeverisë është formalizimi, pasi një pjesë e pagave jepen në të zezë.

“Patëm një periudhë rritje ekonomike që u stopua nga kriza globale por edhe nga kriza e brendshme e një sistemi shtetëror thuajse në kolaps nga pikëpamja e ndërveprimit”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se sot, jemi në kushtet që kemi disa të dhëna shumë inkurajuese.

“Është inkurajuese që me ndryshimin e metodologjisë me një ristrukturim të shërbimit të punësimit në muajt kemi kapërcyer 10 mijë të punësuar në tre muajt e fundit, mars, prill dhe maj. Jemi optimist që do të realizojmë objektivin për të pasur 25 mijë të punësuar në 2018 vetëm përmes zyrave të punës”, tha ai.

Por theksoi kryeministri problem mbetet deklarimi real i pagave.

“41% e pagave deklarohen se janë 30 mijë lekë. Kjo është gënjeshtër. Dhe sipas të dhënave të brendshme kjo nuk është e mundur. Realisht një pjesë e pagës jepet formalisht për të shmangur tatimin dhe pjesa tjetër në të zezë. Do t’a luftojmë këtë fenomen. Kemi shumë pak punonjës të pa regjistruar, por shumë që marrin një pjesë të pagës në të zezë”, bëri të ditur kryeministri.

Shqipëria, tha ai, figuron në rajon me normën më të ulët të papunësisë rinore, 26%.

“Në tremujorin e fundit të viti 2017 shkalla e punësimit për moshën 15-64 vjeç sipas Institutit të Statistikave është 58.2%, ose 15% rritje në krahasim me 2013. Kjo përbën një bazë të rëndësishme për të çuar më tej një proces reformash dhe masash për rritjen e punësimit”, theksoi kryeministri.

Rama shprehu besimin se në periudhën 2018-2021 do të kemi një kërcim të punësimit s falë një programi të ndërtuar që synon një rritje më të madhe ekonomike me punësim real më të lartë”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë konferencës shkencore për politikat e punësimit.

Kryeministri renditi edhe tre sektorët ku shikohet që janë edhe potencialet më të mëdha për punësimin, infrastrukturën turizmin dhe manifakturën.

“Një sektor i rëndësishëm është infrastruktura. Në tre vitet që vijnë do të financohet një numër i konsiderueshëm projektesh që përmban volumin më të madh financiar të dedikuar për infrastrukturën gjatë këtyre viteve. Turizmi, i cili për vit e më shumë po konfirmohet si fuqi e rëndësishme mbështetëse e nxitëse e ekonomisë. Dhe manifaktura, ku po shkohet drejt ciklit të plotë”, deklaroi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.