Home / Politika / “Mirënjohje e Kryeministrit” për katër ambasadorët e Shqipërisë

“Mirënjohje e Kryeministrit” për katër ambasadorët e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama dekoroi sot me medaljen e “Mirënjohjes së Kryeministrit”, katër ambasadorët e Shqipërisë në katër kryeqytete të rëndësishme të Europës; ambasadoren në Holandë, Aida Sakiqi, ambasadoren në Bruksel Suela Janina, ambasadorin në Bruksel, Artur Kuko dhe ambasadorin në Francë, Dritan Tola.

Në takimin e organizuar me Ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe strukturat e integrimit europian në Ministrinë për Europën e Punët e Jashtme dhe Ministritë e linjës, në ambientet e MEPJ-së, kryeministri Rama theksoi se “dua t’i kushtoj një falënderim të veçantë katër personave dy grave dhe dy burrave që na përfaqësojnë dhe që realisht kanë qenë kyç në gjithë përpjekjet diplomatike te jashtëzakonshme që kemi bërë në këta muaj”.

“Besoj që është e drejtë që nga kjo histori, ku realisht besoj që po të mblidheshim së bashku me Ditmirin dhe katër personat të shkruanim një libër “Europa, Europa”, do të ishte një mrekulli nga pikëpamja e gjithë episodeve dhe kurioziteteve që mund të lexoheshin për atë që ndodh në korridoret e Europës, në lidhje me zgjerimin dhe realisht u takon që të katërve që nga kjo periudhë e karrierës diplomatike, të kenë një kujtim nga unë atë të medaljes së “Mirënjohjes së Kryeministrit””, nënvizoi Rama.

Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, pas marrjes së medaljes, falënderoi kryeministrin Rama, ministrin e Jashtëm Bushati, gjithë kolegët e MEPJ-së, si dhe kolegët e administratës shqiptare.

“Jam shume i prekur dhe i nderuar, pasi është mirënjohja e parë që marr nga qeveria ime. Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe kolegët e vendeve të tjera. Momenti më i bukur nga pikëpamja profesionale dhe emocionale për sot e për të ardhmen është qenia pjesë e këtij procesi të vështirë, të bukur. Kemi pasur emocione të mëdha momente të veçanta profesionale, por pamë edhe spektrin e mënxyrës në një moment, po marr një shprehje të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, që na kaloi si një re e zezë mbi kokë, por që mendojmë se e lamë mbrapa dhe që e ardhmja do të jetë më e mirë e përbashkët”, theksoi Tola.

Sipas tij, kjo shenjë mirënjohje është surprizë për ne dhe prandaj dhe emocioni është më i madh.

Më pas kryeministri Rama duke falënderuar edhe ambasadorët e vendeve të Europës në Tiranë, të pranishëm në këtë takim, tha se “ky takim që do të pasohet nga një takim që po organizon Komisioni Europian me qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë për të filluar procesin e punës përgatitore me delegacione që do të përfshihen intensivisht në këtë proces”

Leave a Reply

%d bloggers like this: